Pajisje monitoruese janë vendosur në pesë digat e mëdha të Kosovës, pak muaj pasi KOHA publikoi dokumentarin për digat e vjetra, pa mbikëqyrje e që përbëjnë rrezik për sigurinë. E për ta shënuar Ditën Botërore të Ujërave, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, vizitoi digën e liqenit të Ujmanit dhe njoftoi se janë vendosur pajisjet matëse. Nga shtetet e rajonit, Kosova ka më së paku ujë për kokë banori, por zyrtarët paralajmëruan hapa për ngritjen edhe të pesë digave deri në fund të dekadës
Në liqenin artificial që e posedon dy të tretën e kapaciteteve ujore të Kosovës, në Ujman, janë vendosur sistemet monitoruese të digave. Përveç Ujmanit, që ndodhet në pjesën e veriut të banuar kryesisht me serbë, sistemet e tilla janë vendosur edhe në digat e tjera, përfshirë atë të Batllavës, Badovcit, Përlepnicës dhe të Radoniqit.
Ministri Liburn Aliu mori pjesë në aksionin për vendosjen e sistemit monitorues në Ujman dhe paralajmëroi edhe veprime të tjera.
“Është sistem i rëndësishëm. Ka të bëjë edhe me aspektin sizmik, e po ashtu edhe me aspektin hidrologjik, hidrometrik, hidrometeorologjik e kështu me radhë dhe aspektin gjeologjik. Të gjitha këto sisteme të monitorimit do të pasohen tash edhe me sistemin e sigurisë. Pra, është paralajmërimi i hershëm për rreziqet eventuale meqenëse për një kohë të gjatë digat tona kanë qenë, pothuajse – jo pothuajse, por të pamonitoruara fare”, tha Aliu.
Shqetësimet për mungesën e monitorimit të digave të vjetra mbi 60-vjeçare, KOHA i ka paraqitur në dokumentarin “Digat, burim jetese apo frike”.
Kosova është e varur nga liqenet artificiale, meqë ka më pak resurse ujore për kokë banori dhe për sipërfaqe sesa secili shtet tjetër i rajonit. E nevojën për krijimin e digave të reja për liqenet e tilla, sipas ministrisë, vetëm sa e rrisin ndryshimet klimatike që shpesh sjellin thatësi.
Përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit thanë se po planifikohet të ndërtohen edhe pesë diga.
“Brenda këtij mandati besoj se çështja e dizajnit të digës së Firajës do të mund të realizohet. Të mos harrojmë këto janë projekte që nuk kryhen brenda një mandati. Do të kishim dashur që në të shkuarën të kishim projekte gati dhe ne tash t’ia prisnim vetes shiritin, ndonëse ka qenë shumë e nevojshme kjo punë. Kjo sasi e vogël e ujit që ka Kosova ka qenë edhe më herët dhe nëse kjo digë është ndërtuar në vitet 70 dhe nga ajo kohë pothuajse nuk ka pasur investime fare, atëherë është e domosdoshme që tash të fillojmë si të themi, nga e para”, tha Aliu.
Drejtoi i Autoritetit të Rajoneve të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi, tha se ndërtimi i pesë digave të reja pritet të marrë vite të tëra. Edhe nëse qeveria e ardhshme do ta mbajë mandatin deri në fund, mundësia për ndërtim të digave do të jetë për një të tillë.
“Ndërtimi i pesë digave... Tani kanë përfunduar studimet e fizibilitetit. Disa janë më përpara e disa më mbrapa mirëpo për këtë vit për digën e Kuçicës jemi duke e hartuar projektin kryesor, pastaj për digën e Pollatës në Podujevë dhe digën e Dragaçinës e cila është në Suharekë... Diku prej fillimit të një dige e deri në përfundim merr kohë minimum në rastin më të mirë 10 vjet dhe mund të shkojë deri në 15 vjet. Ne mendojmë që diku kah viti 2027 apo 2028 mund të kemi diçka rreth digës së Firajës, ndërsa për digat e tjera diku rreth vitit 2030”, thotë Hafizi.
Liqeni i Ujmanit, që me një përqindje e vogël shtrihet edhe në territorin e Serbisë, vlerësohet se ka rëndësi esenciale për jetesën dhe ekonominë e qytetarëve të Kosovës. Uji i grumbulluar në të përdoret për pije, për ftohjen e termocentraleve të KEK-ut, e edhe për ujitjen e tokave bujqësore.
Pamjen e një prej pjesëve më të bukura të veriut e përthyejnë ndërtimet pa leje, mes të cilave është edhe vila e Milan Radoiçiqit, që publikisht ka pranuar se e ka organizuar dhe udhëhequr sulmin terrorist në Banjskë.
Ujmani ka qenë objekt i letërzotimeve të Marrëveshjes së Washingtonit, ku Kosova dhe Serbia u pajtuan për komitete të përbashkëta për menaxhimin e tij. Megjithatë, kjo pjesë e marrëveshjes nënshkruar në prezencë të ish-presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë nuk është përmendur së fundi dhe ka mbetur nën hijen e zhvillimeve të mëdha që kanë të bëjnë me marrëdhëniet Kosovë-Serbi siç kanë qenë sulmi terrorist në Banjskë dhe pajtimi në Bruksel për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit.