Arbëri

Ukshini për deklaratën e Trumpit: Do të ishte fat për Kosovën nëse e kthen vëmendjen

ukshini

Ish-ambasadori Sylë Ukshini e ka cilësuar “fat” nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e rikthejnë vëmendjen te Kosova.

Ai ka thënë se përmendja e Kosovës nga presidenti amerikan, Donald Trump, dy ditë më parë nuk ka qenë e rastësishme dhe se mund të jetë paralajmërim për rikthim në agjendën amerikane.

“Duke njohur praktikën e prononcimeve të politikanëve, aq më tepër presidentët e Amerikës, jo një fjalë por një presje nuk shtohet krejt pa u studju. Ai është një rezultat i një raportimi që ia kanë bë bashkëpunëtorët e tij për Kosovën, Ballkanin. Është një paralajmërim që mund të jemi prapë në agjendën amerikane. Vendet e vogla si ne kur hapen këto dosje, hapen nganjëherë rrallë, por duhen shfrytëzuar. Do të ishte fat për Kosovën nëse SHBA-ja e rikthen pozicionin dhe vëmendjen ndaj Kosovës”, ka thënë Ukshini.

Trump të dielën ka thënë se gjatë mandatit të tij të parë konflikti mes Kosovës dhe Serbisë “ishte gati të shpërthente në luftë”, e se ai e kishte ndaluar mundësinë e përshkallëzimit të situatës.


Koci: Ndryshimi i regjimit në Iran, qëllimi maksimal i Izraelit e SHBA-së

Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka deklaruar se pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, synimet strategjike të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara përfshijnë jo vetëm ndalimin e kapaciteteve bërthamore të Iranit, por edhe objektiv më të thellë dhe ambicioz – ndryshimin e regjimit në Teheran.

“Kjo do të jetë çështja qendrore pas eliminimit të rrezikut nga arsenali bërthamor i Iranit. Një prej objektivave të Izraelit dhe SHBA-së është kjo, por është maksimali”, ka deklaruar Koci në “Konfront”.

Ai thotë se pa realizimin e dy objektivave kyç – zhdukjen e programit bërthamor dhe eliminimin e kapaciteteve raketore të Iranit që mund të godasin deri në 2 mijë kilometra – nuk do të ketë ndalim të veprimeve ushtarake nga Izraeli.

“Objektivi minimal është eliminimi i programit bërthamor. Pa e arritur atë, nuk do të ndalet lufta. Dhe eliminimi i potencialit raketor... Ky do të jetë minimumi. Nuk do të ndalen pa i realizu këto dy objektiva”, theksoi ai.

Sipas Kocit, ndryshimi i regjimit në Iran është qëllimi më i lartë, por njëkohësisht më i vështiri për t’u realizuar.


Koci: Irani lufton deri në palestinezin e fundit për interes të vetin, jo për shtetin e Palestinës

Ish-kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka thënë se sulmet ndaj Izraelit dhe përfshirja e Iranit nuk kanë për qëllim çlirimin apo ndihmën për krijimin e një shteti palestinez, por shërbejnë interesave gjeopolitike të vetë Teheranit.

“Strategjia e Iranit, sidomos me palestinezët, ka qenë të luftojnë për palestinezin e fundit, por për interesin e vet, jo për shtetin e Palestinës. Janë të instrumentalizuar. Palestinezët janë viktimat më të mëdha në Lindjen e Mesme”, ka thënë Koci në “Konfront” të martën.

Ai theksoi se sulmi izraelit ndaj Iranit është pasojë e disa zhvillimeve të mëhershme në rajon dhe shërben për të zhvendosur vëmendjen nga kritikat ndërkombëtare ndaj Tel Avivit për ofensivën në Gaza.

“Ky aksion është përgatitur qe dy vjet. Dhe pse ka ndodhur tani ka tri arsye: Hamasi nuk përbën më rrezik serioz për Izraelin, regjimi në Siri ka rënë dhe Izraeli kohët e fundit ka qenë nën presion të madh ndërkombëtar për shkak të Gazës”, shpjegoi ai.

Sipas tij, qëllimi i Izraelit është të zhvendosë fokusin nga Gaza, ndërsa Irani e shfrytëzon çështjen palestineze për të luftuar Izraelin, jo për të ndihmuar popullin palestinez.

Sa u përket vendeve arabe, Koci parashikon mospërfshirje në konflikt, ndonëse thekson se shumë prej tyre në heshtje e dëshirojnë rrëzimin e regjimit të Ali Khameneit në Iran.

“Vendet arabe nuk do të reagojnë. Shumica e duan rënien e Khameneit, por nuk e thonë për shkak të sentimenteve fetare. E shohin Iranin si rrezik për stabilitetin e tyre”, vijoi ai.


Ukshini: Ajo çka bën Irani ndaj Izraelit, bën edhe Serbia ndaj Kosovës

Sylë Ukshini, ish-ambasador, ka thënë se ideologjia e Iranit është e njëjtë me atë të Serbisë, teksa ka shpjeguar se ashtu siç Irani mohon popullin hebre dhe shtetin izraelit, njëjtë Serbia mohon Kosovën.

Ukshini ka theksuar se lufta mes Iranit dhe Izraelit do të ketë ndikim jo vetëm në rajon, por më gjerë.

“Ajo që e bën Irani është ajo ideologjia që e ndërton Serbia drejt Kosovës, e mohon popullin hebre, e mohon shtetin e Izraelit. Të njëjtën gjë që Serbia e mohon popullin shqiptar dhe shtetin e Kosovës, i intereson territori. Ka të njëjtën logjikë në brendësi”, ka thënë ai në “Konfront”.

Ukshini është shprehur se kjo luftë ka ndikim edhe në atë që po zhvillohet tash prej vitesh në Ukrainë.

“Bombardimet ndaj Izraelit kanë dalë përtej pritjeve që ka pasur Izraeli për sistemin e saj kundërajror. Ky konflikt gjithsesi ka impakt sepse e zhvendos vëmendjen e Perëndimin në Lindjen e Mesme dhe ka pasoja për vetë luftën e Ukrainës dhe mbi të gjitha e kthen në skenë Putinin. Cinizmi i tij shkoi deri atje që gjoja të ndërmjetësojë për paqen”.