Arbëri

Vdiq ish-kryetarja e PSD-së dhe ish-deputetja Kaqusha Jashari

Kaqusha JAshari

Foto: Driton Paçarada

Ka vdekur në moshën 79-vjeçare, themeluesja e Partisë Socialdemokrate dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Kaqusha Jashari.

Lajmi u bë i ditur nga familjarë të saj, që kanë njoftuar po ashtu se ceremonia e varrimit bëhet në orën 13:00 në Prishtinë.

Biografia e saj, sipas Fjalorit Enciklopedik të Kosovës:

Funksionare e lartë partiake gjatë periudhës së autonomisë, kryetare e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, deputete, inxhiniere.

Lindi në Prishtinë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e vijoi në Kamenicë, Gjilan dhe Prishtinë.

Fakultetin e Ndërtimtarisë e filloi në Beograd dhe e përfundoi në Prishtinë. Punoi në operativën ndërtimore në Ferizaj deri më 1975.

Në periudhën 1975-1988 ushtroi funksione me rëndësi në organet krahinore të periudhës së autonomisë, ndër të cilat edhe kryetare e Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (1986) dhe kryetare e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës (1988).

Po në këtë kohë, pas përfshirjes në konfliktet politike që shpërthyen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, u largua nga funksioni dhe deri më 1990 ushtroi detyrën e drejtorit të autoritetit rrugor të Kosovës.

Në vitet ’90 vazhdoi aktivitetin politik në radhët e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSDK) dhe në periudhën 1998-2008 ishte kryetare e kësaj partie.

Në legjislaturën e dytë (2006-2010) ishte deputete e Kuvendit të Kosovës.

Merrej edhe me pikturë dhe ka hapur disa ekspozita personale.

Presidentja Vjosa Osmani derisa ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët për vdekjen e Jasharit, ka thënë se ajo ishte një prej figurave më të njohura të historisë politike të Kosovës moderne. 

“Ajo dha kontribut të pandërprerë në periudha vendimtare për vendin. Jeta dhe vepra e znj. Jashari përfaqësojnë përkushtimin ndaj vendit, si zë i fuqishëm në kohë të vështira politike, si themeluese dhe udhëheqëse e një partie politike, si deputete e zgjedhur nga populli, por edhe si krijuese në sferën e artit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.