Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vesna Pusiq në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 54-t të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, e ftuar është ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq. 
 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pusiq: Nëse Mali i Zi dështon të anëtarësohet në BE, do ta humbë pavarësinë

16 min. më parë / 17 maj 2026 20:52
Vesna Pusiq

Ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq, ka deklaruar se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian është çështje e mbijetesës së shtetit malazez, duke paralajmëruar se dështimi i këtij projekti do ta vinte në rrezik pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.

Gjatë një bashkëbisedimi në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Pusiq u shpreh se Mali i Zi vazhdon ta ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve dhe të shumicës së partive politike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pavarësisht rënies së lehtë të entuziazmit për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe gjeopolitike.

Sipas saj, sfida kryesore për forcat pro-evropiane në Mal të Zi është që të organizohen politikisht për zgjedhjet e ardhshme dhe të marrin përgjegjësinë për drejtimin e vendit.

“Ata që në Malin e Zi njëmend duan që Mali i Zi të hyjë në BE, duhet t’i fitojnë zgjedhjet. Besoj kjo është detyra e parë”, ka thënë ajo.

Pusiq vlerësoi se Mali i Zi ndodhet në një situatë të ndryshme nga vendet e tjera kandidate për BE.

“Për Malin e Zi, ndryshe nga ndoshta të gjithë kandidatët e tjerë dhe kandidatët e ardhshëm, anëtarësimi në BE është një çështje e mbijetesës së Malit të Zi si shtet”, deklaroi ajo.

Ajo paralajmëroi se nëse dështon integrimi evropian, Mali i Zi do të mbetet pa sovranitet real.

“Nëse dështojnë në këtë projekt, ata do të mbeten formalisht dhe ligjërisht, dhe natyrisht de facto, pa pavarësi dhe sovranitet”, paralajmëroi Pusiq.

Sipas saj, presioni ndaj Malit të Zi vjen kryesisht nga Serbia dhe Rusia, të cilat, sipas saj, e shohin Malin e Zi si pjesë të një politike më të gjerë pro-ruse në rajon.

Pusiq shtoi se problemi nuk është vetëm presioni i jashtëm, por edhe ekzistenca e forcave të fuqishme politike brenda vetë Malit të Zi që, sipas saj, nuk besojnë se shteti malazez duhet të ekzistojë si shtet i pavarur.

“Në Mal të Zi ka një pjesë të opozitës që beson se Mali i Zi nuk duhet të ekzistojë si shtet i pavarur”, deklaroi ajo.
 

Pusiq: Sa më shumë pasurohet një udhëheqës në pushtet, aq më shumë i afrohet Putinit

38 min. më parë / 17 maj 2026 20:30
Vesna Pusiq

Ish-ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq ka deklaruar se liderët që pasurohen gjatë kohës sa janë në pushtet priren të afrohen me presidentin rus Vladimir Putin dhe të largohen nga vlerat evropiane.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Pusiq u shpreh se propaganda kundër Bashkimit Evropian në Serbi ka qenë intensive për më shumë se një dekadë dhe ka ndikuar ndjeshëm në opinionin publik.

Sipas saj, në diskursin e brendshëm politik në Serbi, BE-ja shpesh paraqitet si neutrale ose edhe armiqësore, ndërsa Kina dhe Rusia promovohen si mbështetëse të vendit.

Ajo përmendi edhe rastin e kryeministrit hungarez Viktor Orban, për të cilin tha se nga një mbështetës i demokracisë dhe integrimit evropian u shndërrua në figurë të afërt me Kremlinin.

“Në BE, vetoja e tij quhej vetoja ruse, vetoja e Putinit”, ka thënë Pusiq, duke shtuar se u deshën 16 vjet për të krijuar një shumicë politike që mund ta sfidonte atë në Hungari.

Sipas saj, ekziston një model i dukshëm në Evropën Lindore.

“Sa më shumë pasurohet një udhëheqës në pushtet, aq më shumë i afrohet Putinit dhe aq më shumë largohet nga Evropa”, deklaroi ajo.

Pusiq deklaroi se kjo, sipas saj, mund të shihet te presidenti serb Aleksandar Vuçiq, lideri i Republikës Sërpska, Milorad Dodik dhe Orbani.

Duke folur për mbështetjen ndaj integrimit evropian në Serbi, Pusiq ka thënë se fakti që përkrahja për anëtarësim në BE është rreth 30 për qind është pasojë e drejtpërdrejtë e propagandës shumëvjeçare kundër Evropës.
 

Surroi: Jetojmë në një zonë luftërash dhe shtetesh të papërfunduara

1 o. më parë / 17 maj 2026 20:08
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një hapësirë me konflikte dhe procese të papërfunduara, duke e cilësuar rajonin si “një zonë luftërash dhe shtetesh të papërfunduara”.

Këto komente Surroi i bëri gjatë një bashkëbisedimi në podcastin PIKË me ish-ministren e Jashtme kroate, Vesna Pusiq, ku rikujtoi idetë e ekonomistit kroat Branko Horvat, i cili që në vitet ’60 kishte paralajmëruar fundin e modelit të centralizuar socialist në Jugosllavi dhe nevojën për demokratizim.

Sipas Surroi, Horvat më vonë e kishte parë Kosovën si një “provë lakmusi” për gjendjen reale të Jugosllavisë dhe për mundësinë e mbijetesës së saj.

“Në fund të viteve ’60, duhej të niste një proces i ndryshëm ekonomik për të çuar në demokratizim. Dhe pastaj, 20 vjet më vonë, ai u mor me Kosovën, ku pa se Kosova ishte në fakt një letër lakmusi e gjendjes së shoqërive në ish-Jugosllavi dhe mundësisë së mbijetesës së Jugosllavisë”, ka thënë Surroi.

Ai shtoi se Kosova ishte dëshmi për sllovenët, kroatët dhe popujt e tjerë se Jugosllavia “nuk ekzistonte më” dhe se ishte “e pushtuar nga Serbia”.

Sipas Surroit, sot ky “test i lakmusit” është zgjeruar në gjithë rajonin, i cili vazhdon të përballet me çështje të pazgjidhura politike dhe shtetërore.

“Ne jetojmë në një zonë luftërash të papërfunduara dhe shtetesh të papërfunduara, nisur nga Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina”, deklaroi ai.

Në këtë kontekst, Surroi vlerësoi se anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian ka përmbyllur një proces historik të konsolidimit shtetëror për atë vend, ndërsa pjesa tjetër e rajonit mbetet ende në një fazë të papërfunduar politike dhe institucionale.