Arbëri

Vetë nuk e mundëson, por Komuna e Prishtinës premton qasje për karroca në të gjitha objektet

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi për t’iu mundësuar qasje më të mirë në institucionet publike personat me aftësi të kufizuara, por vetë Komuna e Prishtinës s’e ka këtë qasje.

E kjo mungesë e infrastrukturës për persona me aftësi të kufizuara, në vetë ndërtesën e objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës po i shkakton vështirësi Faik Berishës.

“Ashensori është siguruar, mirëpo nuk është tërësisht funksional, sepse nuk shkon deri në katin e katërt, e po ashtu këtu kemi problem edhe me ndërprerje të energjisë elektrike. Shkallët po shihet si janë, sepse edhe me dy përcjellës është e vështirë të hyhet në komunë. Nuk mund as të dal prej banesës, sepse nuk mund t’i kaloj 45 shkallë vetë, ndërtesa nuk ka as ashensor. Madje te zyra e Iliri Musliut shkoi bashkëshortja ime, sepse ashensori nuk shkon deri në katet e larta”, ka thënë Berisha.

Kurse kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se tanimë të gjitha objekteve që do të ndërtohen në kryeqytet do t’iu kërkohet që të krijojnë infrastrukturë të nevojshme për personat me aftësi të kufizuara.

“Sot nënshkruam memorandum bashkëpunimi me ambasadoren Elvana Shala, që iu mundëson personave me nevoja të veçanta që të kenë një qasje më të lehtë në infrastrukturë dhe në ndërtesa dhe në institucione, por edhe t’i transferojmë zonat urbane. Nëse këtë e bëjmë për këtë komunitet, atëherë faktikisht e bëjmë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit. Ne këtë vetëm se e kemi filluar, sepse nëpër të gjitha ndërtesat që po ndërtohen në Prishtinë e kanë kërkesë ligjore dhe rregullative, që të krijojnë qasje në fokus për personat me aftësi të kufizuara”, ka thënë Rama.

E për t’i mbështetur personat me aftësi të kufizuara në Prishtinë do të zhvillohet edhe një fushatë 30-ditore.

Komuna e Prishtinës për mungesë të infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara, në qytet dhe në ndërtesa të institucioneve, është paditur nga Faruk Kukaj.

Ai fitoi në shkallë të parë padinë kundër Komunës së Prishtinës, derisa e njëjta duhet ta kompensojë tani për dëmin e shkaktuar jomaterial ndaj tij.