Arbëri

Vetëvendosja ia ndan trofeun e “kampionit të korrupsionit” kryetarit të Lipjanit

Pas arrestimit të zyrtarëve komunalë në Lipjan nën dyshimet për dallavere lidhur me punimet në stadiumin e futbollit në Magurë, asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e Kuvendit të martën ia kanë ndarë kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, një kupë të kampionit për “korrupsion” dhe disa topa të futbollit.

“Kemi vendosur ta ndajmë një çmim për korrupsion. Kemi vendosur ta shpallim kryetarin e komunës kampion të korrupsionit, pasi për krejt ngjarjet e fundit që kanë ndodhur, mendojmë se e meriton këtë çmim”, ka thënë asamblisti Alban Salihu.

Pas aksionit të opozitës, kryetari Ahmeti ka thënë se “është mirë që s’po gjuajnë me vezë”.

VIDEO:

 

“Mos ikni se burracakët ikin kështu... Situata për të cilën dikush dëshiron t’ia veshë kryetarit është e kotë. Janë fluska që shpejt bien. Duhet të jemi të vetëdijshëm se prezumimi i pafajësisë duhet të jetë prioritet, nuk mund të shpallet askund fajtor pa verdiktin final të gjykatës. Çdo hetim është i mirëseardhur dhe unë s’marr të drejtën të intereferoj në punët e gjyqësorit e as të gjykoj apriori e t’u jap etiketë edhe atyre që janë në hetime e lëre më politikisht”, ka thënë Ahmeti.

Javën e shkuar u arrestuan 9 persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës. Të arrestuarit ishin anëtarë të komisionit teknik që kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magurë, kinse janë kryer sipas kontratës së fituar nga kompania.