Kontestimi i vendimmarrjes së menaxhmentit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmohet edhe me rritjen e numrit të ankesave në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë. Derisa në vitin 2021 kanë qenë 30 ankesa, më 2022-n ky numër shkoi në 74 e në 2023-n kanë qenë 48 ankesa. Derisa në Këshillin e Pavarur thonë se të gjitha vendimet janë zbatuar nga Ministria e Jashtme, avokatë që deponuan ankesa në emër të zyrtarëve e thonë të kundërtën
Pakënaqësitë e punonjësve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës me vendimmarrjen e menaxhmentit janë shoqëruar edhe me ankesa, të cilat vitet e fundit janë rritur në numër në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.
Ministria e Punëve të Jashtme është ndër institucionet kryesore ku shërbyesit civil i kanë atakuar vendimet në instancën që ka për mandat trajtimin e tyre. Derisa në vitin 2021 në Këshill janë deponuar 30 ankesa, në vitin 2022 kanë qenë 74 ankesa. E në 2023-n janë 48 ankesa. Në Këshillin e Pavarur kanë treguar për natyrën e këtyre ankesave disa prej të cilave janë trajtuar edhe nga “Koha.
“17 ankesa me natyrë Kërkesë nga marrëdhënia e punës; 2 ankesa me natyrë Kompensim material; 4 ankesa me natyrë Kontestim Konkursi; 9 ankesa me natyrë Masë disiplinore; 6 ankesa me natyrë Ndërprerje e marrëdhënies së punës; 1 ankesë me natyrë Pezullim nga marrëdhënia e punës; 3 ankesa me natyrë Transferim dhe 6 ankesa me natyrë Vlerësim i Rezultateve në Punë”, kanë thënë Avdyl Bekteshi, zyrtar i Lartë për Bashkëpunim Profesional në KPMSHCK.
Sipas tij, të gjitha vendimet janë zbatuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
E njëri prej avokatëve që ka trajtuar rastet e zyrtarë të MPJD-së thotë se institucioni që ka udhëhequr më herët nuk po vepron në bazë të mandatit që ka.
“Këshilli nuk i ka trajtuar dhe nuk i ka zgjedhur ankesat e nëpunësve civil në bazë të mandatit që ka. Ka raste që objekt shqyrtimi ka qenë i njëjtë, por kanë vendosur jo në mënyrë të njëjtë. Po ashtu e ka shpallur veten jokompetent për të shqyrtuar ankesat e nëpunësve civilë të MPJD-së, kur Gjykata e Apelit ka konstatuar dhe ka vendosur se nëpunësit civilë që kanë parashtruar ankesa në KPMSHC e kanë statusin e nëpunësit civil”, ka deklaruar avokati Mehdi Geci.
Sipas tij, rritja e ankesave nga nëpunësit civilë në MPJD ka të bëjnë me përfundimin/ndërprerjen e parakohshëm nga misionet diplomatike në vendet e ndryshme, “por ka edhe raste të ankesave për shkak të pakënaqësive brenda ministrisë”.
Geci ka përmendur raste kur nuk janë respektuar vendimet e Këshillit, për të cilat pati raportuar edhe “Koha”.
“Nuk e di që ka zbatuar ndonjë vendim. Ka pasur raste kur nuk e ka zbatuar vendimin, siç është rasti i z. Viskont Jakupi”, ka deklaruar Geci.
Ish-sekretarit të parë në Londër, Jakupit, Këshilli i kishte dhënë të drejtë në ankesë duke e cilësuar të paligjshme mënyrën se si ishte shkarkuar. Jakupi brenda 24 orëve ishte tërhequr nga misioni diplomatik në Londër, me arsyen se ka “thënë një të pavërtetë të patolerueshme”.
Këshilli pati konstatuar se Ministria ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për shërbimin e jashtëm, ngase masat disiplinore dhe pretendimet për shkelje të rënda do duhej t’i shqyrtonte Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës.
Ligji përcakton se tërheqja e përfaqësuesve diplomatikë para mbarimit të afatit të caktuar mbetet në diskrecion dhe kompetencë të ministres së Punëve të Jashtme. Por nuk ka kompetencë të tërheqë përfaqësuesin diplomatik për shkak të supozimeve për shkelje ligjore, pa u konstatuar dhe vendosur paraprakisht nga një organ kolegjial, siç është Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në marsin e vitit të kaluar shkarkoi dhjetëra zyrtarë të Shërbimit të Jashtëm, që ishin punësuar mbi bazën e një konkursi të vitit 2012. Vendimi ishte arsyetuar me maste e Ministrisë për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike dhe për anulimin e vendimeve të jashtëligjshme. Pasi Këshilli ua refuzoi ankesat, diplomatët që ishin pjesë e grupit të zyrtarëve të shkarkuar e patën cilësuar absurd dhe dyshues veprimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Pas 45 ditësh trajtim të lëndës, Këshilli e kishte shpallur veten jokompetent për të vendosur lidhur me ankesat, me arsyen se të shkarkuarve u mungojnë aktemërimet.
Veç Këshillit, ankesa për paligjshmëri e fushata hakmarrëse kundër zyrtarëve kundërshtues brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë deponuar edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit e gjykata kompetente.
Vendimmarrja e ministres së Jashtme është shoqëruar edhe me përplasje mes menaxhmentit dhe shoqatës sindikale të MPJD-së. Versione të ndryshme lidhur me emërimet dhe gradimet i ishin prezantuar edhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë edhe gjatë vizitës monitoruese në Ministrinë e Jashtme. Menaxhmenti pati refuzuar që bashkë me sindikatën t’i ballafaqojnë argumentet para zyrtarëve të Këshillit.
Po ashtu është kontestuar Rregullorja për Organizimin dhe Sistematizimin e vendeve të Punës në MPJD, mbi bazën e së cilës janë larguar disa zyrtarë. Me rregulloren e re, u shua edhe pozita e drejtorit të Përgjithshëm të MPJ-së, rast po ashtu i kontestuar në Këshill. Ky institucion e kishte konfirmuar vendimin e MPJD-së, por që Gjykata Themelore e kishte cilësuar të jashtëligjshme shuarjen e kësaj pozite.
Më pas, MPJD-ja e kishte përjashtuar nga shërbimi i jashtëm ish-drejtorin Albert Prenkaj me arsyen se i njëjti ka zhvilluar takime të pa autorizuara me amerikanët e mosbindje të autoritetit të zëvendëssekretarit.