Si asnjëherë tjetër, më 2025, qytetarët iu drejtuan kutive të votimit katër herë. Janë mbajtur dy palë zgjedhje parlamentare dhe dy runde të zgjedhjeve lokale. Ajo që pritet nga partia fituese e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe ato opozitare, është që të mos e çojnë vendin në zgjedhje sërish në pranverë kur të vijë puna e zgjedhjes së presidentit të Republikës
Kosova e nisi dhe e përfundoi 2025-tën me zgjedhje. Katër cikle zgjedhore u zhvilluan brenda një viti. Një palë zgjedhje parlamentare në shkurt, një palë lokale në tetor, raundi i dytë i tyre në nëntor dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare në dhjetor.
Rezultati i procesit të parë nuk u materializua. Partitë politike mbajtën qëndrime të kundërta, që secili kampi i quajti bllokuese dhe për pasojë u pamundësua formimi i institucioneve.
E në matjen që bënë partitë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, disa humbën elektorat e një e shtoi atë.
Në vitin 2026, sfida e parë e kryesore do të jetë ajo për zgjedhjen e presidentit, moszgjedhja e të cilit mund të nxisë zgjedhje të reja. Barra do të jetë mbi Lëvizjen Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve. Pritjet janë që fitorja plebishitare e dhjetorit do t’ia lehtësojë kësaj partie që të kalojë testin për zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nga mbi 900 mijë votat e rregullta, Lëvizja Vetëvendosje doli forcë e parë me 49.33 për qind apo 432 mijë vota. Ende pa u numëruar 74 mijë votat e diasporës dhe gati 10 mijë me kusht, LVV mori mbi 36 mijë vota më shumë se më 9 në shkurt 2025.
PDK-ja doli e dyta me 21 për qind apo 184 mijë vota. Sipas rezultatit të votave të rregullta, PDK-ja mori mbi 12 mijë vota më pak sesa në shkurt.
LDK-ja është humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve. Ajo ra për rreth 52 mijë vota. Nga 18.27 për qind u tkurr në 13.57 për qind.
Rënie pësoi edhe AAK-ja. Mori mbi 16 mijë vota më pak se në zgjedhjet e fillimvitit kur ishte në koalicion me Nismën. Nga 7,06 për qind, ra në 5,66 për qind.
Në votë u ngrit Lista Serbe, e cila mori 42.235 sosh, mbi 2 mijë më shumë se në zgjedhjet e kaluara.
Bazuar në përllogaritjen e votave të numëruara, LVV-ja ka siguruar 56 ulëse në Kuvend, PDK-ja 23, LDK-ja 15 dhe AAK-ja 6. Ky rezultat ia mundëson LVV-së që me votat e deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe ta formojë shumicën parlamentare e rrjedhimisht edhe Qeverinë.
Gjuha që dogji urat
Fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet e 9 shkurtit, u vlerësua skajshmërisht polarizuese. Gjuha e përdorur, sidomos nga Vetëvendosje u konstatua si nxitëse nga Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. 30 ditë zgjati fushata zgjedhore. Vetëvendosje kërkonte gjysmë milioni vota. Mori 396 mijë. Partitë tjera nuk kishin këso qëllimesh. Më shumë e dëshironin një dominim të partive opozitare bashkërisht sa i përket fuqisë elektorale. Më 9 shkurt u dhanë rezultatet e preliminare dhe 42.3 për qind të votave sa fitoi nuk ia siguruan LVV-së shumicën parlamentare që e pati në 4 vjetët e kaluara. Nuk i mjaftuan as votat e minoriteteve joserbe.
Në entuziazmin e fitores së VV-së u vendosën edhe muret që bllokuan bashkëpunimin me partitë opozitare.
Në sheshin kryesor të Prishtinës, para qytetarëve, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i quajti “hajvana” opozitën.
“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit”, ka thënë Kurti në mbrëmjen e 9 shkurtit.
Kjo deklaratë, sipas njohësit të çështjeve politike, Artan Alijaj ishte strategji e tij për t’i shembur urat e bashkëpunimit me opozitën e deriatëhershme, pasi e donte edhe një mandat tjetër pa ta. Sipas tij kjo gjuhë i parapriu një polarizimi, që qëllim do të kishte vetëm një disponim tjetër elektoral të shprehur me zgjedhje tjera.
“Ajo ndoshta ka qenë edhe një mesazh i drejtuar edhe partive opozitare në atë kohë që krijimi i shumicës do të jetë problematike dhe mendoj që pastaj çdo gjë që ndodhi prej natës së 9 shkurtit e deri më tash është vetëm një vazhdimësi e atyre, të themi, strategjive politike që i kanë përdorë partitë politike në vend për të shty procesin ndoshta në një kohë të pacaktuar dhe për të synuar ndoshta që të krijojnë një disponim qytetar, qoftë kundër njërës palë, ose kundër palës tjetër”, ka thënë Alijaj.
Kuvendi peng i kalkulimeve

Rezultati zgjedhor i 9 shkurtit nuk u jetësua. Vetëvendosje bashkë me 7 deputetë të grupit multietnik dhe me një të komunitetit serb i siguruan veç 56 vota. Opozita në anën tjetër kishte 55. Nëntë ishin të Listës Serbe por ata nuk përfshihenin në kalkulimet e asnjërës palë. Së paku, deklarativisht jo. Qëllimi fillestar ishte të konstituohej Kuvendi. Nga prilli e deri në tetor seancat për konstituim u mbajtën një ditë po e një jo. Tetë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve Kuvendi arriti të konstituuohej. Njëherë, Vetëvendosje nuk lëvizte nga propozimi i saj për kryetar Kuvendi - derisa e lëvizi Gjykata. Më pas, kjo parti nisi të japë alternativa, por opozita s’i pranonte. Propozonte emra për të cilët opozita ishte shprehur se nuk ia votonte. Disa herë nga LVV-ja deklaruan se i kanë numrat për formimin e Qeverisë, por në të njëjtën kohë u mungonin për konstituimin e Kuvendit. Nuk i pati as për njërën as për tjetrën. Lëvizjen e parë zhbllokuese për të dalë nga ngërçi e bëri PDK-ja. Ia votoi LVV-së emrin e pestë të propozuar për kryetar Kuvendi. Sjellja politike e PDK-së sipas analistit Aliaj, ishte më parimorja në krahasim me partitë e tjera parlamentare. Më kritik ai është shprehur ndaj Lidhjes Demokratike e cila nuk pranoi kurrfarë alternative dhe refuzoi të gjitha ftesat. S’donte marrëveshje me LVV-në, por edhe për opozitën nxori kushte.
“Erdhën me atë propozimin e tyre për një Qeveri uniteti, që edhe ajo në njëfarë forme nuk bënte sens. Pasi, i kishin dy opsione në tavolinë, ishte opsioni që të shkonin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe opsioni që të shkonin me Partinë Demokratike të Kosovës dhe të formojnë qeverinë e të dalin nga kriza. Që në fillim kanë qenë në hapa të gabuar. Por hapi më i mirë i tyre ka qenë kur kanë vendosur që të votojnë për nënkryetarin e Kuvendit që vjen nga komuniteti serb”, ka thënë Alijaj.
Edhe AAK-ja mbajti qëndrime konsistente kundër LVV-së, ndonëse edhe ajo i ofroi votat e saj për disa emra të caktuar. E Nisma Socialdemokrate shprehte vullnet të ishte pjesë edhe e Qeverisë me LVV-në edhe e Qeverisë me opozitën.
Për koalicion me LVV-në kërkoi postin e kryeparlamentarit, gjë që nuk e mori.
Me disa beteja në Kushtetuese e aktgjykime të saj në formë instruksionesh, Kuvendi u konstituua më 10 tetor. Por, votat për Qeverinë nuk u siguruan. Dy herë dështoi të votohet prej 61 deputetëve mandatari i Vetëvendosjes për kryeministër e kabineti qeveritar. Më 20 nëntor, presidentja e shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale për datën 28 dhjetor.
Alijaj thotë se përgjatë gjithë muajve të bllokadës partitë pa përjashtim ekzekutuan lojëra e strategji politike vetëm në interesa partiak e assesi shtetëror.
“Gjatë tërë vitit kemi parë lojëra politike, strategji partiake se cila nga to do të dalë më mirë nga ky proces i bllokimit. Mendoj që secilës parti veç e veç, i ka konvenuar që të prolongohet zgjidhja e problemit, në këtë rast formimi i institucioneve të Kosovës. Ka qenë thashë në interesin e të gjitha palëve. Në bazë të numrave, matematika na ka treguar që formimi i Qeverisë ka mundur të bëhet, mirëpo komplikimi më i madh ka ardhur si rezultat i faktit që kemi të bëjmë me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës në mars të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.
Pushteti lokal pa dominim absolut
Në mes të dy palë zgjedhjeve parlamentare, u zhvilluan dy raunde votimesh për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe asambleve. Në nivel lokal qytetarët u dhanë partive pushtet të balancuar. Shtatë komuna i fitoi Vetëvendosje, më së shumti në historikun e saj prej kur merr pjesë në zgjedhjet lokale. Fitore shënoi në Podujevë, Shtime, Kamenicë, Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë. Në po kaq komuna arriti fitore edhe LDK-ja, por i humbi dy bastionet e saj: Fushë-Kosovën dhe Obiliqin. Kryesimin e komunave e mori në Lipjan, Istog, Prishtinë, Pejë, Dragash, Junik e Viti. Partia Demokratike fitoi në gjashtë Komuna, Skenderaj, Ferizaj, Han i Elezit, Prizren, Kaçanik dhe Vushtrri. Pushtetin e humbi në Mitrovicë të Jugut, e në Drenas fitoren ia mori Ramiz Lladrovci që kandidoi me një iniciativë të themeluar prej tij.
Në pesë komuna fitoi AAK-ja duke e ruajtur pushtetin në Deçan, Gjakovë, Suharekë, Rahovec e Klinë. Nisma fitoi në Malishevë e KDTP-ja në Mamushë. Ndërkaq, si forca më e madhe politike në nivel lokal doli Lista Serbe me fitore në të 10 komunat e banuara me shumicë serbe.
Fitorja plebishitare e LVV-së dhe shembja e opozitës

Pas zgjedhjeve lokale, ishte radha për ato parlamentare. Zyrtarisht ishin 12 ditë fushatë zgjedhore, por partitë e nisën atë menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve. Disa nga to u përcaktuan që në fillim, që garës t’i futen pa koalicione por listat t’i linin të hapura për ata që donin t’u bashkoheshin. Kështu vendosi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. LVV-ja hyri në koalicion me tri subjekte politike, Listën Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në. Nisma provoi deri në momentet e fundit të gjejë partner koalicioni, por nuk ia doli. AAK-ja ishte e prerë se nuk e do në koalicion, pasi menjëherë pas zgjedhjeve të shkurtit ku i fituan bashkë 8 deputetë, Nisma me tre të saj u shkëput nga AAK-ja me arsyetimin se nuk i detyrohet asgjë. Kësisoj, si adresë e parë ishte LDK-ja. Tentoi për disa ditë radhazi por s’u arrit marrëveshje. Pas saj iu afrua edhe PDK-së. E në fund, kur nuk u arrit marrëveshje as me te, kryetari i Nismës Fatmir Limaj, u shpreh se me këtë subjekt do të bashkohet në Kuvend. Por kjo mundësi nuk iu dha. Sipas rezultateve preliminare, Nisma u ndal në 1.7 për qind, shumë nën pragun prej 5 për qind.
Vetëvendosje i mori votat e rreth gjysmës së votuesve. Këso rezultati, sipas analistit Adrian Zeqiri nuk ka pritur as vetë LVV-ja.
“E para ka qenë një mungesë e mobilizimit të elektoratit te partitë e opozitës, ka pasur një apati për sa i përket mesazhit politik, të cilin ato e kanë përcjellë dhe siç u pa nuk kanë arritur ta ruajnë as votën e vet. Elementi i dytë që mendoj që gjithashtu ka pasur një ndikim, ka qenë një mospjesëmarrje e votuesit rezident të Kosovës dhe një pjesëmarrje masive e votuesit jo-rezident të Kosovës, që ka ardhur në formën e votës së diasporës. Nga ana tjetër, ndarja benefiteve sociale për kategori të caktuara një javë parapara zgjedhjeve, sigurisht se ka pasur efektin e vet, të energjizimit të një pjese të votuesit të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Zeqiri.
LDK performoi më së dobëti. Zeqiri thotë se kjo parti ka mbajtur nivelin e diskursit publik më lartë se popullata dhe e ka humbur taktin me ta. Ai thotë se rënia kaq e madhe do të mund të krijojë grupe të pakënaqura brenda partisë.
“Unë mendoj se ka munguar emocioni në mesazhin politik, të cilin zoti Abdixhiku dhe përgjithësisht Lidhja Demokratike e ka dhënë. Kjo mungesë e emocionit e ka sjellë këtë rezultat, këtë apati tek votuesit, një pjesë e votuesve të tyre. Mendoj që Lidhja Demokratike tani është duke i përjetuar momentet më të vështira në historinë e vet politike dhe ka rrezik të madh që fraksione të ndryshme të mos pajtohen dhe të ketë edhe ndarje”, ka theksuar ai.
Rënie pati edhe Partia Demokratike. Ajo nuk arriti të ruajë votën e saj edhe pse në Kuvend ishte partia më e madhe opozitare. Sipas Zeqirit, PDK-ja, ashtu si LDK-ja nuk e ka gjetur një kryetar që buron nga baza e që i ka kaluar të gjitha nivelet e lidershipit brenda partisë, pa nevojën e mbështetjes së grupeve të interesit.
“Bedri Hamza nuk ka ardhur në krye të partisë si rezultat i një lufte politike e një lidershipi individual e kështu me radhë. Ka ardhur si emëruesi më i gjerë i përbashkët në kuadër të fraksioneve që janë brenda Partisë Demokratike. Është lider konsensual. Mirëpo lideri konsensual, që është i mirë t’i mbajë fraksionet e ndryshme brenda partisë së bashku, nuk do të thotë që detyrimisht është edhe lider i mirë në sy të qytetarëve”, ka thënë Zeqiri. Ai vlerëson se përveç LDK-së dhe PDK-së, edhe AAK-ja do të përballet me çështjen e lidershipit, që sipas tij, ka rrezik ta shpërbëjë këtë parti në një periudhë të mesme.
Zgjedhja e presidentit, testi i parë për Qeverinë e re

Një qeveri e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit do ta ketë sfidë serioze në mars të këtij viti kur do të nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Për zgjedhjen e tij duhen votat e 80 deputetëve. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve - 61 sosh, zgjidhet President. Por ka edhe një kusht, në sallë duhet të jenë minimumi 80 deputetë.
Zeqiri thotë se me rezultatin që ka marrë Vetëvendosje më 28 dhjetor, Kurti do të ketë mundësi të mëdha të manovrimit për presidentin e ri. Me këtë mbështetje popullore, thotë se më nuk ia ka borxh as presidentes Vjosa Osmani mandatin e dytë.
“Nëse Kurti ka mundur të mendojë që më 2021 rezultatin të cilin e mori ishte një lloj aksidenti si rezultat i pandemisë ose me mbështetje të zonjës Vjosa Osmani etj, kësaj radhe e ka të sigurt këtë rezultat që e ka fituar vetë. Është një ndër liderët më të pakontestueshëm në skenën politike në Kosovë dhe nuk është i varur prej Vjosa Osmanit. Në një situatë ku opozita gjendet një defensivë të plotë me lidership dhe me rezultate zgjedhore, ai ka mundësi të mëdha të manovrimit për sa i përket zgjedhjes së Presidentit”, ka thënë Zeqiri.
Zeqiri vlerëson se LVV-ja mund ta kalojë këtë test pa një koalicion paraparak me partitë tjera parlamentare, pasi sipas tij, nuk ka subjekt politik përveç Vetëvendosjes që i shkojnë për shtati zgjedhjet e reja në mars.
“Unë nuk shoh që këto parti janë të gatshme që të shkojnë në një proces tjetër elektoral, edhe për arsye se ky rezultat do t'i shkundë themelet e lidershipit brenda këtyre partive. Me liderë të njëjtë, ose me liderë ad- hoc të cilët nuk e kanë kaluar një proces të brendshëm elektoral, nuk besoj që ka apetit tek partitë e opozitës që të shkohet prapë në zgjedhje”, ka deklaruar ai.
Një rezultat të ngjashëm prej 50 për qind të votave LVV-ja e pati marrë edhe më 14 shkurt 2021. Veç dy muaj pas, sfidë e pati zgjedhjen e presidentit. Propozimin e saj, për Vjosa Osmanin presidente, e pati mbështetur LDK-ja.