Thuajse gjatë gjithë 2025-tës, Kosova qe e bllokuar politikisht dhe me disa institucione jofunksionale e të tjera me kompetenca të kufizuara. Pasojat e kësaj krize janë ndierë veçmas në ekonomi dhe në pozitën ndërkombëtare të shtetit
Kosovës do t’i duhet kohë për t’u rimëkëmbur nga pasojat e krizës politike që shënoi vitin 2025, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike.
Mungesa e vullnetit për bashkëpunim mes subjekteve politike, edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, bëri që vendi të mbetej pa qeveri funksionale. Legjislatura e nëntë u konstitua shtatë muaj pas zgjedhjeve, për t’u shpërndarë vetëm 40 ditë më vonë.
Vullnet Bugaqku, që është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se viti që lamë pas konsiderohet i dështuar në aspektin legjislativ, të mbikëqyrjes parlamentare dhe të reformave. Ai përmend mosrealizimin e vettingut, mosmiratimin e Kodit Civil e ligjet me të cilat është synuar reforma në sistemin e drejtësisë.
“Normalisht që kjo (bllokada institucionale v.j.) shkakton vonesa në implementimin e procesit të vettingut në Kosovë. Ky është një proces shumë i rëndësishëm sepse, siç e ka potencuar edhe Komisioni i Venecias, por edhe vetë Gjykata jonë Kushtetuese, Kosova ka nevojë për një proces të vettingut i cili vlerëson integritetin e krerëve të institucioneve të sistemit të drejtësisë, në atë mënyrë që të hapet rruga që të bëhet vlerësimi i performancës dhe i llogaridhënies për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë”, ka thënë ai.
Edhe Njomza Arifi, e cila e drejton Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), ka numëruar pasojat e bllokadës në aspektin e pamundësisë për të miratuar shumë nisma legjislative.
“Përveç qeverisë me mandat të rregullt, nuk kemi as një kuvend funksional dhe shumë nisma legjislative të cilat janë bartur nga viti në vit tashmë kanë mbetur të bllokuara apo disa të tjera nuk janë nisur fare. Nisma të rëndësishme, siç është Ligji për të drejtat në punë, ligje të ndryshme që lidhen me aspektin e të drejtave shëndetësore apo shëndetësinë, shëndetin mendor, kodi civil dhe paralelisht me këto edhe kornizat strategjike të ndryshme të cilat janë hartuar, por që kanë mbetur peng i aprovimeve nga një qeveri me mandat të plotë apo të ratifikimit në një kuvend funksional siç është Strategjia kundër Korrupsion e shumë strategji të tjera që janë thelbësore për Kosovën”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, analisti politik Seb Bytyqi, konstatoi se dramat politike që i përjetoi Kosova përgjatë një viti, kanë pasojë edhe në fusha të ndjeshme.
“Bllokohet shtyrja e agjendave të brendshme për reforma ekonomike, për çfarëdo përpjekje që do të duhej të ekzistonte për forcimin e prodhimit vendor apo energjisë alternative, shtyrja e politikave publike të brendshme. E gjitha është suspenduar dhe kjo është më me rëndësi sesa për shembull humbja e mundësive për fondin nga BE-ja apo çështjet e ngjashme”, ka vlerësuar ai.
Listë pasojash
Pasojat e bllokadës institucionale nuk ndalen vetëm te reformat.
Hulumtuesi Bugaqku ka paralajmëruar edhe bllokada në institucionet e pavarura, për shkak të skadimit të mandatit të anëtarëve të tyre, me theks të veçantë të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, meqë nuk ka kuvend funksional për t’i zëvendësuar.
“Mandati i Avokatit të Popullit ka skaduar, duhet zgjedhur një avokat i popullit i ri. Kemi dy gjyqtarë mungesë në Gjykatën Kushtetuese. Edhe këtu duhet zgjedhur gjyqtarë të ri të Gjykatës Kushtetuese. Ne rrezikojmë që edhe Gjykata Kushtetuese të mbetet pa kuorum sepse së shpejti i skadon mandati edhe disa anëtarëve atje”, ka thënë ky hulumtues i KDI-së.
Përtej pasojave të brendshme, kriza politike në Kosovë ka reflektuar edhe jashtë kufijve.
Arifi ka konstatuar se bllokada institucionale e ka dobësuar pozicionin e vendit në një moment të ndjeshëm gjeopolitik, kur vëmendja ndërkombëtare ndaj rajonit është në rritje.
“Jostabiliteti politik në Kosovë, mungesa e një qeverie me kompetenca të plota, natyrisht që dëmton edhe imazhin ose kredibilitetin e Kosovës karshi miqve në Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare. Si pasojë e kësaj krize ne jemi duke rrezikuar që të shfrytëzojmë dy momentume shumë të rëndësishme: e para është një administratë e re në SHBA dhe e dyta është një konstalacion krejt i ri i institucioneve të BE-së”, thotë drejtoresha në GLPS-së.
Sipas Arifit, kriza institucionale pengon Kosovën që të shfrytëzojë momentumin e krijuar edhe për kërkesën e saj për shqyrtimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, e në përfitimin e miliona eurove nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
“Është vështirë të besohet se tani Kosova do të arrijë të përfitojë në tërësi shumën nga e cila në fakt Kosova përfiton më së shumti për kokë banori nga Plani i Rritjes i BE-së. Siç e dimë, jemi vonuar mjaft shumë në këtë aspekt, pikërisht si pasojë e mosratifikimit të marrëveshjeve në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Arifi.
E sipas Bytyqit, dramat politike që i përjetoi Kosova përgjatë një viti, kanë pasojë edhe regresin.
“Është njëfarë kthimi prapa sepse po humbet ajo perspektiva apo perceptimi që Kosova veç e ka përfunduar procesin e shtetndërtimit dhe është një shtet serioz. Kjo është një goditje e vetëshkaktuar në këtë aspekt”, ka thënë ky analist politik.
Një nga çështjet më të ndjeshme që, sipas analistëve, rrezikohet drejtpërdrejt nga bllokada institucionale e vitit 2025 është edhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në fokus të veçantë mbetet Këshilli i Evropës, anëtarësimi në të cilin konsiderohet hap kyç për konsolidimin ndërkombëtar të shtetit dhe avancimin e standardeve të të drejtave të njeriut.
“Vitin e ardhshëm potencialisht do të mund të shqyrtohej (anëtarësimi në KE) nëse në Kosovë do të arrihej një konsensus politik lidhur me këtë proces”, thotë Arifi.
E sipas Bugaqkut, përparimi i Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare lidhet drejtpërdrejt me miratimin e Kodit Civil, një dokument kyç që synon harmonizimin e legjislacionit vendor me standardet evropiane, por që ka mbetur i bllokuar për vite me radhë.
“Ky është një proces shumë i tejzgjatur tashmë dhe Kosova ka një kohë të gjatë që po e sjell këtë dokumentin e Kodit Civil qoftë në qeveri, qoftë në parlament, si pasojë e moskonsensusit të deputetëve. Prandaj edhe nevojitet që sa më shpejt të kemi kuvend të konstituuar që ta miratojë edhe Kodin Civil në atë mënyrë që të hapet një rrugë, në atë mënyrë që Kosova të marrë një vlerësim sa i përket përmbushjes së standardeve në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.
Pak shpresë
Por, nuk janë shprehur pritshmëri të larta për ndryshime të shpejta as në vitin e ri.
Njohësit e zhvillimeve politike i referohen kohës që i nevojitet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, procedurave për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjes së Qeverisë së re, si dhe afatit kushtetues për përfundimin e mandatit të presidentes Vjosa Osmani.
Në këtë kontekst, hulumtuesi Bugaqku paralajmëron se vendi rrezikon të humbasë edhe gjysmën e parë të vitit vetëm me procedura institucionale, duke mos përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje, për herë të katërt brenda një periudhe të shkurtër kohore, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, atyre lokale të 12 tetorit dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
“Rrezikojmë që përsëri të përfundojmë në zgjedhje si pasojë që mbase nuk do të ketë gatishmëri dhe konsensus politik në Kuvend që të gjejnë një marrëveshje se si të zgjedhjet presidenti i ardhshëm i Kosovës. Kushtetuta e thotë qartë që duhet 30 ditë më herët të përfundohet procedura e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, prandaj nëse nuk ka dhe nëse vazhdon kjo logjikë e funksionimit të këtyre partive politike, atëherë ne sinqerisht vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm me kësi lloj bllokadash”, ka thënë ai.
Pas muajsh të tërë bllokade institucionale dhe me rrezikun që kjo situatë të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026, analistët paralajmërojnë se pasojat nuk do të mbeten vetëm në nivel institucional, por do të reflektohen drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Kosovës.
Për gjithë këta muaj bllokadë e rrezikun eventual për vazhdimin e saj edhe gjatë 2026, Bugaqku thotë se pasojat do t`i vuajnë qytetarët e Kosovës “qoftë në aspektin ekonomik për shkak të rritjes së madhe të inflacionit” apo edhe për shkak të mos mbikëqyrjes parlamentare, si pasojë e së cilave “dikasteret qeveritare nuk po e luajnë tashmë rolin e tyre siç e kanë ose siç do të duhej ta kishin, sipas ligjeve në fuqi”.
Nëse pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit nuk arrihet një formim i shpejtë i Qeverisë së re, pasojat, sipas analistit Bytyqi, do të jenë të menjëhershme dhe potencialisht më të rënda.
“Nëse ka pastaj probleme të tjera edhe me zgjedhjen e presidentit, me buxhetin e me themelimin e të gjitha institucioneve, atëherë pasojat veç çka do të rëndohen edhe më shumë dhe do të shihet në të gjitha aspektet por shpresoj që do të mbushin mend politikanët”, ka thënë Bytyqi.
Në anën tjetër, drejtoresha e GLPS-së, thekson pritshmëritë që ekzekutivi i ri të veprojë shpejt, veçanërisht në raport me përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe obligimet ndaj BE-së.
“Natyrisht që pritet një kthim i menjëhershëm në tryezën e dialogut në nivel të lartë politik dhe e dyta është ratifikimi i marrëveshjes për Planin e Rritjes dhe implementimi i agjendës së reformave për të cilën jemi zotuar dhe mundësia për të përfituar nga fondet të cilat i janë dedikuar Kosovës. Kurse, brenda ka një sërë reformash të cilat kanë ngecur dhe të cilat kërkojnë vëmendje të menjëhershme e që lidhen direkt me, le të themi, këto që po quhen fundamentale të BE-së, siç janë: sundimi i ligjit, administrata publike, e një sërë reformash të tjera në shëndetësi, arsim dhe në aspekte që janë me rëndësi për ne”, ka thënë Arifi.
Në mungesë të zgjedhjes së qeverisë së re, shteti vazhdon të drejtohet nga udhëheqja aktuale, e konsoliduar afro pesë vjet më parë. Si qeveri në detyrë, ajo ka kompetenca të kufizuara, çka e ngushton hapësirën për vendimmarrje dhe e lë Kosovën në pritje të formimit të institucioneve të reja funksionale, pas zgjedhjeve që u mbajtën më 28 dhjetor.