Arbëri

Vitin e shkuar VV-ja “s’kishte votë” për Listën Serbe. Sot e votoi Sllavko Simiqin nënkryetar

Lista Serbe

Foto: Driton Paçarada

Përderisa tërë vitin e shkuar, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtonin zëshëm një nënkryetar të Kuvendit nga radhët e Listës Serbe, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ndryshoi gjithçka.

Disa zyrtarë të Vetëvendosjes në deklarata të ndryshme ishin shprehur se s’kanë votë për propozimet e Listës Serbe. Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, në tetor pati deklaruar se kjo parti ka qëndrim të palëkundur për të mos i votuar kandidatët e Listës Serbe. Ngjashëm pati thënë në të njëjtin muaj edhe Glauk Konjufca që pati deklaruar se “VV-ja nuk ka kurrfarë vote për Listën Serbe”. E edhe më ashpër ishte shprehur deputeti Agim Bahtiri që pati thënë se “e pret dorën e nuk e voton Listën Serbe”.

Momenti i votimit të nënkryetarëve. Foto: Driton Paçarada

Ndërkohë para seancës sot, Kusari-Lila ka thënë se VV-ja s’ka ndërruar qasje e mosbesim ndaj Listës Serbe, por sipas saj “duhet të ruhet mbarëvajtja e jetës institucionale”.

“Kanë ndodhur zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka ndodhur një proces i cili na ngarkon me shumë përgjegjësi të gjithë ne këtu që jemi. Por gjithashtu, qëndrimi ynë politik mbetet i pandryshuar. Asgjë në raport me qasjen dhe mosbesimin që kemi ndaj çfarëdo komunikimi apo bashkëpunimi me këtë grupim politik, që fatkeqësisht deri më tani ka treguar vetëm kundërshti në raport me interesin e Kosovës, asgjë nuk ka ndryshuar. Interesi i Kosovës është mbi të gjitha dhe ajo çfarë duhet të ndodhë sot është të ruhet mbarëvajtja e jetës institucionale, interesat e mijëra punëtorëve dhe gjithë atyre që janë në shërbim të këtij vendi, në sektorin publik por edhe në sektorin privat, e natyrisht edhe të procedohet me ato obligime që i kemi, që mund t’i kishim kryer para datës 6 tetor. Ato për të cilat u kërkua e u lutën shumë herë edhe partitë e opozitës, edhe nga ana jonë, edhe nga ana e Presidentit, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, afati i të cilave skadon tepër shpejt. Ndërsa ne prej atëherë deri tani e kemi qartësinë mbi vullnetin e qytetarëve të Republikës si asnjëherë më parë dhe mbi atë përgjegjësi ne do të sillemi dhe do të veprojmë sot”, ka thënë ajo.

Ndërkaq pas seancës, deputeti Bahtiri ka thënë se ka votuar pro për shkak se “votimi ishte në pako”.

Gjykata Kushtetuese ditë më parë i dha të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi, edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.

Vendimi u kritikua nga akterë të VV-së, por një ditë më parë në mbledhjen përgatitore për seancën konstituive, kryetari i legjislaturës së nëntë Dimal Basha njoftoi se nënkryetarët do të bëhen në pako. Kjo pako e pesë nënkryetarëve, përfshirë Simiqin e Listës Serbe që vitin e shkuar votohej kundër, mori mbështetjen e 104 deputetëve.

Çështja e nënkryetarit të komunitetit serb ishte ndër arsyet e zgjatjes së bllokadës vitin e shkuar.

Kjo është kritikuar edhe nga Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ai ka thënë se vitin e shkuar VV-ja e shpallte tradhtar secilin që kishte guxim të këronte zbatimin e vendimeve të Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit.

“Sot e njëjta parti harroi krejt parimet e saj të bazuara në gënjeshtra, mashtrime publike në emër të patriotizmit fals dhe me votat e saj votoi Listën Serbe dhe Sllavko Simiqin nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. LVV dhe Albin Kurti sot do duhej të na tregonin se Lista Serbe a është terroriste?” ka shkruar ai në Facebook. “Albin Kurti dhe LVV e cenuan dialogun strategjik me ShBA duke sulmuar GJK për Listën Serbe dhe Sllavko SImiqin, kurse sot votuan njëzëri për ta. Me fjalë të tjera na humbën një vit me rrena në emër të patriotizmit dhe në fund përfunduan duke vallëzuar me Listën Serbe dhe Sllavko Simiqin”.