Në bashkëbisedimin me gazetaren dhe autoren Mira Kazhani në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi kujtoi vizitën e parë në Shqipëri, në shkurt të vitit 1991 — një javë që e përshkruan si jashtëzakonisht dramatike për vendin dhe për të personalisht.
“Erdha pikërisht gjatë grevës së studentëve të Universitetit asokohe të quajtur ‘Enver Hoxha’, disa ditë para se të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës”, ka thënë Surroi.
Ai tregoi se vizita e tij kishte qëllim të qartë politik,
“Misioni ynë ishte të bisedonim me pushtetin dhe opozitën. Interesi i Kosovës ishte që Shqipëria të kalonte tranzicionin pa dhunë, të hapej rruga për zgjedhje të lira dhe demokraci”, ka thënë Surroi.
Në Tiranë, ai qëndroi rreth gjashtë ditë, ku pa nga afër momentet vendimtare të ndryshimit formimin e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike, mitingun e parë të opozitës në Kavajë, lëvizjet e njerëzve drejt Durrësit, që prisnin një anije për t’u larguar dhe grevën e studentëve që vazhdonte pandërprerë.
“Ishte një javë e jashtëzakonshme e një vendi që po ndryshonte para syve”, thotë ai, duke shtuar se gjithë ato përjetime po i përmbledh në librin e tij të radhës.
Kur Kazhani e pyeti nëse ka fotografi nga ajo kohë, Surroi u përgjigj me humor: “Unë nuk kam fotografi… ndoshta i ka Sigurimi i Shtetit”.
I pyetur për marrëdhëniet personale me politikanët në Shqipëri, Surroi shmangu emrat, por theksoi dy parime që ka ndjekur gjatë gjithë karrierës.
“Është e vështirë të ruash miqësi në politikë. Por jam përpjekur të mbaj komunikim të hapur, pa dorëza, dhe mbi të gjitha të ruaj konfidencialitetin e bisedave. Nëse një njeri në sferën publike flet me ty, nuk ke të drejtë t’ia publikosh mendimet pa marrëveshje”, ka deklaruar publicisti.