Ka dështuar dhënie në shfrytëzim e tri objekteve shëndtësore në fshatrat Graboc, Bardh i Vogël dhe Henc të Komunës së Fushë-Kosovës. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës nuk është në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi.
“Kuvendi i Komunës së Fushë-Kosovës, në mbledhjen e mbajtur me datë 22.12.2022, ka miratuar Vendimin 284 për aprovimin e propozimit Nr.1255 datë 12.12.2022, për fillimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim me qira të objekteve të ambulancave të mjekësisë familjare. MAPL konstaton së vendimi i nxjerrë nga Kuvendi i Komunës së Fushë-Kosovës është në kundërshtim me Ligjin Nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës përkatësisht Nenin 6 paragrafin 1.3”, thuhet në arsyetimin e vendimit të MAPL-së.
Duke iu referuar nenit 6, paragrafit 1.3 të Ligjin Nr. 06/L-092, thuhet se ‘konunat mund të japin në shfrytëzim pronën e paluajtshme për me pak se një (1) vit”.
“Procedurat dhe format për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës për periudhën deri në një (1) vit rregullohen dhe përcaktohen me rregullore komunale si dhe nenin 7 të Rregullores Nr. 09/2020, për Përcaktimin e Procedurave për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme të komunës, me të cilën përcaktohen pronat e paluajtshme e komuunës e cila mund të jepet në shfrytëzim për më pak se një (1) vit”.
Ministria ka kërkuar nga Kuvendi Komunal që ta rishqyrtoj dhe harmonizoj këtë vendim sipas legjilacionit në fuqi. Por, në mbledhjen e kësaj jave, Kuvendi vetëm e ka shfuqizuar këtë vendim dhe nuk ka proceduar tutje.
Rreth këtij vendimi KOHA ka raportuar edhe në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Atëkohë, zyrtarët opozitarë konsideronin se nuk ishin ndjekur procedurat ligjore për ta marrë një vendim të tillë.
“Kuvendi Komunal në mbledhjen e fundit mori vendim që tri objekte të QMF-ve dhe AMF-ve në fshatra të jepen në shfrytëzim në interes privat, ndërsa Rregullorja 09/2020 që është për dhënie në shfrytëzim të pronën e paluajtshme e parasheh që të jepen për interes publik”, kishte thënë në muajin dhjetor Durim Hajra, shef i Grupit të këshilltarëve të LVV në Fushë-Kosovë.
Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Mirsad Qyqalla, kishte thënë se ky vendim i pushtetit në Fushë-Kosovë nuk i ka paraprirë asnjë mendim i qytetarëve se çka të bëhet me ato objekte.
“Përveçqë ka qenë përgatitur mjaft dobët, ne kemi qenë kundër se edhe gojarisht kur ka provua me shpjegua arsyeshmërinë e dhënies së tyre, ka qenë e paqëndrusheme, sepse nuk mund që objektet me karakter publik të jepen në shfrytëzim për qëllime private dhe nuk na e ka argumentuar se e ka marrë të paktën një mendim prej qytetarëve se në të ardhen për çka kanë me u përdor ato, ose cila ka me qenë veprimtaria e tyre”, kishte theksuar Mirsad Qyqalla.
Ndërkohë, drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kolshi kishte thënë se duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr.04/2022 Kujdesi Parësor Shëndetësor, këto tri objekte nuk pritet t’i funksionalizojnë për shërbime shëndetësore.
“Këto objekte janë ndërtuar para vitit 2010 dhe se mosfunksionalizimi i tyre ka të bëjë me numrin e vogël të pacienteve si dhe stafit shëndetësor. Ato do të jepen në shfrytëzim për interesa të komunitetit dhe nevojave të tregut. Shfrytëzimi i këtyre objekteve për vitin 2023 do të bëhet në pajtueshmëri (është paraparë) me Rregulloren nr.09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim të Komunës, neni 4 dhe 5, pika 1.1”, kishte thënë Mimoza Kolshi.
Megjithatë, opozitarët në këtë komunë thonë se vendimi bie ndesh me nenin 4, pika 1.6 të rregullores në fjalë, ku e thekson interesin pubik dhe jo atë privat.