Arbëri

Votuesve jashtë Kosovës fletëvotimi do t’u dërgohet me postë

Mërgimtarëve që paraqiten për votim në zgjedhjet lokale do t’u shkojë me postë fletëvotimi. Një praktikë e tillë do të zbatohet për herë të parë. Deri tash, fletëvotimi është shkarkuar online

Procesi i votimit nga jashtë për zgjedhjet lokale në Kosovë do të zhvillohet ndryshe nga ai që u praktikua në zgjedhjet e parlamentare më 9 shkurt të këtij viti.

Votuesve që dëshirojnë të votojnë me postë në zgjedhjet e 12 tetorit, fletëvotimet do t’u dërgohen në mënyrë fizike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ato nuk do të mund të shkarkohen online, siç është bërë deri më tash.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, votuesit nga jashtë do të kenë dy mundësi për të dërguar votën e tyre.

“Për dallim nga proceset e kaluara kur votuesit është dashur që ta shkarkojnë fletëvotimin nga webfaqja e KQZ-së dhe pastaj të njëjtin ta dërgojnë përmes postës në adresë të kutive postare të KQZ-së jashtë vendit apo në Kosovës, kësaj radhe KQZ-ja sigurohet që shtetasve të Kosovës të cilët regjistrohen si votues jashtë Kosovës tua dërgoj me postë fletëvotimin në mënyrë që ata pastaj të njëjtin të mund ta dërgojnë pasi ta plotësojnë në adresë të kutisë postare jashtë Kosovës apo në adresë të KQZ-së në Kosovë”, ka thënë Elezi.

Një ndryshim i tillë, sipas Eugen Cakollit, nga Instituti Demokratik i Kosovës përmban më vete rreziqe gjatë administrimit të tij.

“Në njërën anë, dështimit të arritjes së fletëvotimeve nëpër adresa të qytetarëve që bart rrezikun e pamundësimit të së drejtës së votës për një numër të qytetarëve që mund të mos i pranojnë të njëjtat në kohë. Por edhe të sjelljes së tyre në Kosovë, pra do të jetë e paqartë se çfarë do të ndodhë e me shumë gjasë do të anulohen të gjitha fletëvotimet që nuk janë të dërguara nga KQZ-ja dhe që nuk bartin vulën e KQZ-së që normalisht e komplikon procesin”, ka thënë Cakolli.

Cakolli thotë se telash mund të jetë menaxhimi i afatit kohor për realizimin e procesit, sidomos gjatë balotazhit.

“Kjo mund të jetë edhe më problematike, gjë që unë besoj do të kërkojë improvizim të KQZ-së, që do ta cenojë procesin zgjedhor si në kuptim të integritetit ashtu edhe të besueshmërisë, të kredibilitetit që ka në sytë e votuesve, sidomos të atyre jashtë vendit”, është shprehur ai.

Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës do të nisë më 23 korrik e planifikohet të përmbyllet më 29 gusht. 

Derisa ajo e votimit përmes postës do të zhvillohet nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

Sipas KQZ-së, këto afate janë të mjaftueshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të votimit nga jashtë vendit.

“Në bazë të praktikës, në zgjedhjet e fundit parlamentare KQZ ka hapur kutitë postare në 23 shtete të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën dhe këto kuti postare e bëjnë lehtësisht të mundur dërgimin brenda një dite të pakos me fletëvotim nga ana e votuesit”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar që organizimi i votimit nga jashtë për zgjedhjet lokale të kushtojë rreth 2.5 milionë euro.