“Situata është e ngjashme në Kosovë, një tjetër shoqëri ballkanike tejet patriarkale dhe e orientuar drejt meshkujve. Atje, përdhunimi i një vajze 11-vjeçare vitin e kaluar nga pesë sulmues shkaktoi protesta në rrugë duke kërkuar siguri për gratë, gjë që çoi në dorëheqjen e shefit të policisë”, shkruan “Associated Press”
Një burrë në Bosnjë-Hercegovinë e vrau gruan e tij dhe të gjithë ngjarjen e transmetoi drejtpërdrejt në Instagram. Në Serbi, 27 gra u vranë sivjet në sulme me bazë gjinore, me gjithë përpjekjet për ta rritur ndërgjegjësimin dhe për ta ndryshuar trendin. Aktivistët në Kosovë thonë se dhuna ndaj grave përbën “një emergjencë kombëtare”.
Në një shkrim mbi rastet e dhunës ndaj grave në vendet e Ballkanit Perëndimor, agjencia e lajmeve “Associated Press” vlerëson se gratë në rajon ngacmohen, përdhunohen, rrihen dhe vriten shpesh nga partnerët e tyre, ani se ato e raportojnë vazhdimisht dhunën tek autoritetet. Agjencia e përshkruan rajonin si jashtëzakonisht konservator, me një traditë shekullore të dominimit të meshkujve, porse thekson që problemi është rritur pas luftërave të viteve 1990 dhe krizave politike, ekonomike dhe sociale që kanë vazhduar që nga përfundimi i konflikteve.
Protestat
Si përgjigje, grupet e grave në rajon kanë organizuar protesta për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të kërkuar veprim. Ato kanë krijuar linja ndihme dhe strehimore për gratë. Por aktivistët fajësojnë autoritetet se nuk kanë vepruar me vendosmëri për t’i mbrojtur gratë dhe për të luftuar një kulturë të mosndëshkimit, shkruan AP.
Publiku në Bosnjë dhe në rajon u trand përballë realitetit brutal të një gruaje nga qyteti verilindor Gradaçac, që u qëllua në kokë nga ish-partneri i saj, në një ngjarje që u transmetua drejtpërsëdrejti në Instagram.
“Vrasja ishte aq tmerruese dhe tragjike saqë shërbeu për të na hapur sytë”, ka thënë Jadranka Miliçeviq, nga grupi “Cure” (Vajzat).
Në Ballkanin Perëndimor, shumica e vendeve kanë miratuar ligje dhe rregullore për ta luftuar dhunën ndaj grave, por zbatimi mbetet jokoherent, thonë aktivistët që folën për AP-në.
Bosnja, për shembull, ishte ndër vendet e para që e ratifikoi Konventën e Stambollit të Këshillit të Evropës për dhunën ndaj grave, porse që atëherë problemi vetëm sa është rritur, ka theksuar Miliçeviqi.
“Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje janë fenomen global. Ato ekzistojnë kudo, por është përgjigjja e shtetit ndaj dhunës ajo që është çështja kryesore”, ka thënë Vanja Macanoviq, nga Qendra Autonome e Grave në Serbi. “Mjerisht, ajo që ne shohim këtu në Ballkan është se dhuna miratohet. Është një model sjelljeje që nuk dënohet mjaftueshëm në publik”, thotë ajo për AP-në.
“Ne kemi nënshkruar të gjitha deklaratat, rezolutat dhe konventat relevante ndërkombëtare, por zbatimi i tyre është i dyshimtë”, ka thënë Miliçeviq. “Shumë njerëz ende e perceptojnë dhunën në familje si çështje private, çështje private mes dy personave. Ata nuk e kuptojnë se është problem shoqëror”.
Vëzhguesit i përmendin dënimet e buta që shqiptohen në Bosnjë-Hercegovinë për dhunën dhe vrasjen e grave si një prej problemeve kryesore. Një raport i vitit 2022, i përpiluar nga GREVIO, një organ ekspertësh që e monitoron zbatimin e Konventës së Stambollit, ka njoftuar se praktika të tilla gjyqësore ushqejnë një “ndjenjë mosndëshkimi”, që ndihet fuqishëm si nga autorët ashtu edhe nga viktimat e tyre.
Vetëm një herë një vrasës është dënuar me 40 vjet burgim në një rast në të cilin një grua ishte viktimë, tregon Miliçeviq. Gjithsej 65 gra janë vrarë në 10 vjetët e fundit dhe pesë të tjera u kanë mbijetuar tentativave për vrasje në vendin me 3.3 milionë banorë, tregojnë të dhënat lokale.
Rastet në Kosovë
Situata është e ngjashme edhe në Kosovë, në një tjetër shoqëri ballkanike tejet patriarkale dhe të orientuar kah meshkujt, shkruan AP. Agjencia e përmend përdhunimin e vitit të shkuar të një vajze 11-vjeçare nga pesë sulmues, për të cilin rast ka shkruar se janë organizuar protesta për të kërkuar siguri për gratë, në atë që çoi drejt dorëheqjes së shefit të policisë.
Por më vonë gjatë vitit 2022 protestuesit dolën përsëri në rrugë, të zemëruar nga dy vrasjet e kryera në kryeqytetin, Prishtinë. Një mësuese e gjeografisë 63-vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj me sëpatë, ndërsa një grua shtatzënë u ndjek në oborrin e spitalit nga bashkëshorti i saj, i cili më pas e vrau teksa ajo po priste të lindte fëmijën e saj.
Gjithsej 66 gra janë vrarë nga partnerët apo burrat që nga viti 2000 në Kosovë, ndërsa vetëm një autor është dënuar me burgim të përjetshëm, tregojnë statistikat zyrtare të cilat i siguroi AP-ja.
Aktivistja serbe, Macanoviq beson se një pjesë e problemit është se “institucionet nuk po mbahen përgjegjëse” dhe nuk ka pasoja për gabime në trajtimin e rasteve. Kjo i dekurajon gratë që t’i drejtohen shtetit për ndihmë, veçanërisht në komunitetet pakicë, shton ajo.
“Nuk kemi sistem të strukturuar mirë të përgjegjësisë për veprime të gabuara të çdo profesionisti, ose më mirë thënë, mungesë veprimi”, ka thënë ajo. Është e rrallë që zyrtarët e policisë, shërbyesit socialë, prokurorët apo zyrtarët e gjykatës të mbahen përgjegjës nëse bëhen gabime dhe një grua vritet.
Teksa po përballej me rritje të dhunës dhe vrasjeve të grave, Serbia e nisi më 2017 zbatimin e ligjit të posaçëm për ta thelluar bashkëpunimin ndërmjet agjencive, për të marrë masa të menjëhershme kundër sulmuesve dhe për të formuar grupe lokale pune për parandalimin e dhunës.
Tomislav Zigmanov, ministër i të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Serbi, premtoi përpjekje të mëtejshme në një takim të fundit në Beograd, duke shënuar një fushatë globale për të luftuar dhunën ndaj grave, shkruan AP. Zigmanov bëri thirrje për bashkëpunim me organizatat bazë në parandalimin e dhunës dhe monitorimin e procesit penal.
Në Kosovë, Ministria e Drejtësisë ka dërguar mesazhe telefonike për të bërë thirrje kundër dhunës dhe për t’i nxitur gratë që t’i raportojnë sulmet. Zyrtarët e lartë kanë kërkuar publikisht dënime më të ashpra për autorët dhe kanë kritikuar praktikat e kaluara.
“Kemi nevojë që i gjithë sistemi i drejtësisë t’u japë prioritet rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave”, ka theksuar kryeministri Albin Kurti, të martën në konferencën me temën: “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”. Kurti përmendi rastet kur kriminelët lirohen dhe krimet përsëriten edhe më keq se herën e parë”.
Bosnja, gjithashtu, e miratoi një ligj për parandalimin e dhunës në familje disa vite më parë dhe autoritetet kanë premtuar të bëjnë më shumë. Por në shoqëritë që kaluan nëpër luftëra, ku ekonomitë dhe institucionet janë shkatërruar dhe ku ndarjet etnike, politike dhe sociale shpesh nxiten nga autoritetet në vend që të kundërshtohen, vetëm ndryshimet ligjore nuk janë të mjaftueshme, thonë ekspertët.
“Dhuna ka vazhduar dhe do të vazhdojë”, ka theksuar Vesna Stanojeviq, e cila e drejton një zinxhir shtëpish të sigurta për gratë në Serbi. “Ndonjëherë pranojmë gra që janë rrahur aq shumë saqë nuk mund të ecin ose të lëvizin kokën”, tregon ajo.
Aktualisht, më shumë se 40 gra dhe fëmijë janë duke qëndruar në strehimoret e drejtuara nga organizata e saj.
“Në 32 vjetët e punës sime, nuk kam parë rënie të dhunës. ...Ndonjëherë ka më shumë, ndonjëherë më pak, por në përgjithësi është gjithmonë prezente”.
E vendosur në njërën prej strehimoreve, një grua 26-vjeçare i tha AP-së se vendosi që të largohej nga partneri i saj kur vuri re mavijosje edhe në trupin e djalit të tyre të vogël. Gruaja, e cila nuk dha emrin e saj për arsye sigurie, theksoi se partneri i saj e ka përdhunuar vazhdimisht, e ka rrahur dhe i ka mbajtur atë dhe foshnjën e saj të mbyllur në banesë për orë të tëra.
Me t’u larguar nga partneri, gruaja ka përfunduar në spital me lëndime në gjoks dhe me mavijosje. Burri tani është arrestuar.
“Rrahja e fundit ishte vërtet e keqe”, u shpreh ajo. “E dija se nëse do të ndodhte përsëri, as unë dhe as foshnja nuk do të mbeteshim gjallë”.
Përktheu: Blerta Haxhiu