Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vuçiq: Deklarata e Paunoviqit s’e pasqyron vullnetin tim dhe politikën e qeverisë serbe

vuicic

Foto: Associated Press

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se deklarata e ministres Snezana Paunoviq nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e tij e as të Qeverisë serbe, duke shtuar se deklarata ishte “e pamatur”.  

Ai është distancuar nga deklarata e Paunoviqit, e cila thoshte: “Po të isha Sllobodan Millosheviq, do ta spastroja etnikisht Kosovën më 1998”. 

"Kjo deklaratë nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e presidentit dhe të Qeverisë së Serbisë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Politika jonë është dialogu, kompromisi dhe bisedimet, e kurrë spastrimi etnik, pikë", ka thënë Vuçiqi.

Ai ka shtuar se deklarata “kaq të pamatura dhe të papërgjegjshme nuk duhen të bëhen në publik”.

Kosova të martën e ka shpallur persona non grata Snezana Paunoviqin, ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës. 

Reagimi i Vuçiqit vjen pasi gjuha e ministres së kabinetit të tij u dënua nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe një pjesë e opozitës në Serbi.