Lëvizja Vetëvendosje është bërë anëtare e asociuar e organizatës së Partive të Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (PES) në një kongres që është duke u mbajtur në Amsterdam të Holandës.
Siç ka njoftuar kjo parti, kryetari i VV-së, Albin Kurti, po merr pjesë në këtë kongres.
“Ky status është më i larti i një partie në një familje politike evropiane para se shteti të bëhet anëtar në BE. Bashkangjitemi me kërkesat e këtij kongresi për ‘më shumë Evropë, më shumë demokraci, më shumë drejtësi’”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.
Në fjalimin e tij në Kongres, Kurti ka thënë se ky status i ri e gjen në mes të afatit si mandatar për formimin e Qeverisë dhe pas rezultateve premtuese në raundin e parë të zgjedhjeve lokale.
Në aspektin evropian, Kurti ka thënë se Kosova i ka dy kërkesa kryesore: heqjen e masave dhe dorëzimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai është zotuar se Kosova është e vendosur të jetë pjesë e familjes evropiane.
Deri tash VV-ja ka qenë anëtare “vëzhguese”. Tani e ka statusin e njëjtë sikur Partia Socialiste e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.