Arbëri

VV-së nuk i mjafton përkrahja e PDK-së për të miratuar dy rregullore në Podujevë

Qeveria komunale e Podujevës nuk ka arritur të marrë shumicën e votave në Kuvendin Komunal për të miratuar dy propozim-rregullore që kanë qenë të parapara në seancën e së premtes. Një ka qenë për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim më pak se një vit të pronës së paluajtshme të Komunës dhe tjetra për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës. Pushtetit të Vetëvendosjes në Podujevë nuk i ka mjaftuar as përkrahja që e pati nga Partia Demokratike e Kosovës.

Të parën propozim-rezolutë e ka prezantuar para këshilltarëve komunalë drejtoresha për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Bahrije Mehmeti. Ajo ka thënë se Komuna ka të drejtë për dhënie të pronës së paluajtshme për më pak se një vit, ndërsa ka kërkuar votën për “të mirën e interesit publik të komunës”.

Përkrahje i kanë dhënë këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të PDK-së.

Ndërsa, këshilltarët e LDK-së kanë kërkuar sqarim pse nuk janë përfshirë sugjerimet e ish-drejtorit të këtij dikasteri, Abaz Llugaliu, që, sipas tyre, janë dhënë gjatë diskutimit publik.

“Gjatë diskutimit ka pas disa sugjerime dhe këshilla nga ish-drejtori i kësaj drejtorie që sot ju e menaxhoni. Mirëpo në raport keni thënë se kjo është përgatitur nga ekspertë të fushës në bashkëpunim me përfaqësues të MAPL-së dhe është pothuajse e ngjashme me të gjitha komunat tjera, a ka mundësi një sqarim?”, ka pyetur shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti.

Të njëjtën pyetje e ka bërë edhe Adnan Zymeri nga e njëjta parti, edhe pse nuk është treguar se çfarë pati rekomanduar ish-drejtori i LDK-së, Abaz Llugaliu.

Kur është hedhur në votim, propozim-rregullorja i ka marrë 15 vota pro, kundrejt 16 që kanë qenë kundër.

Debat edhe më i gjatë është zhvilluar për propozim-rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës. Këtu VV-ja nuk e ka pasur përkrahjen as të PDK-së.

Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj i ka treguar ndryshimet që janë paraparë.

“Pika më e ndjeshme është ajo në nenin 6 që lidhet me punën e dyqaneve, marketeve dhe qendrave tregtare. Ndryshimet që janë bërë në harmoni me kërkesat e bizneseve, të punëtorëve dhe të qytetarëve, të cilët që prej kur e kemi marrë detyrën kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje edhe të hapet e diela. Përpjekja jonë ka qenë të gjejmë një zgjidhje ndërmjet këtyre kërkesave. Kemi propozuar që ditën e diel të punohet gjatë tërë ditës për dyqanet që furnizojnë me produkte ushqimore në hapësirë deri në 50 metra katrorë”, ka thënë Balaj. “Orari i rregullt për sezonin e verës është zhvendosur nga 22:00 në orën 23:00. Është reduktuar numri i festave zyrtare. Nëse miratohet rregullorja e re festa zyrtare do të konsiderohen Viti i ri, Pavarësia dhe Bajrami i madh dhe Bajrami i vogël. Në rregullore është inkorporuar edhe veterinaria dhe shërbimet e tyre, kozmetika dhe dekoret të cilat janë të lidhura me sallonet e ondulimit, e të cilat punën më të madhe e kanë gjatë verës”.

Por, sipas shefi të Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti, me këto ndryshime është çrregulluar edhe më shumë çështja e orarit të punës.

“Po i jepni të drejtë vetes që të bëni dallimin kush është me biznesin e madh, kush është me të voglin. Unë kam 60 nënshkrime të bizneseve që janë kundër. Është mirë që ju si pushtet dhe është edhe përgjegjësi, me gjet së pari një vijë me ato biznese e jo tash ne si grupe parlamentare të ndahemi se kush është për e kush kundër. Është mirë të dëgjohet edhe pala tjetër - bizneset. Përndryshe ju keni bërë vetëm ndryshime kozmetike. Ne e miratojmë vetëm kur ka harmonizim”, ka thënë Ajeti.

Ndërsa, Lirika Maliqi nga VV-ja ka kërkuar që këtij plotësim-ndryshimi t’i shtohet edhe pika që bizneseve të vogla t’u mundësohet që sipas metrazhit të kujdestarojnë edhe gjatë natës.

Rafet Llapashtica nga PDK-ja ka thënë se qëndrimi i kryetarit, Shpejtim Bulliqi, ka qenë që bizneset të punojnë edhe të dielave.

“Unë i kam 105 nënshkrime nga përfaqësuesit e bizneseve që janë kundër. Kërkesa e tyre është që mundësisht dita e diel me qenë pushim edhe të punojnë deri në orën 23. Është dashtë të lihet në funksion Ligji i punës. Tash a me punu qysh do ti e kryetari Shpejtim Bulliqi a Agimi (Veliu v.j.) e Kamerolli (Mirsad v.j.), apo ligji? Ne si PDK jemi që të lihet në funksion Ligji”, është shprehur Llapashtica.

Këshilltarët komunalë kanë kërkuar sqarim pse nuk janë marrë parasysh kërkesa e dy përfaqësuesve të floktarëve, ku njëri kishte kërkuar të punohet edhe të dielave, e tjetri që të punojnë të shtunave deri në orën 22:30 dhe po ashtu se ku është bazuar pushteti kur e ka nxjerr kriterin prej 50 metrash katrorë për dyqane. Por, drejtori Balaj ka thënë se në takim me floktarët ka qenë kërkesa e të gjithëve që të pushojnë të dielave. Sipas tij, shumica e bizneseve kanë hapësirë nën 50 metra katrorë dhe se me këtë kanë dashur t’u ndihmojnë bizneseve të vogla dhe atyre nëpër fshatra. Balaj ka thënë se kjo është praktikë edhe në Gjermani.

Ndërkohë, këshilltari i PDK-së, Bashkim Syla, ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet për një seancë tjetër, kërkesë kjo që është përkrahur edhe nga VV-ja. Megjithatë, kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, e ka hedhur në votim plotësim-ndryshimin e rregullores e cila nuk i ka marrë votat e nevojshme për miratim.

Gjatë kësaj seance janë miratuar dy propozim-vendime: ai për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr.prot.01/148-350 datë 29 prill 2010, për caktimin e Zonës Industriale në fshatin Livadicë dhe për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr.prot.01/60-02 datë 28 mars 2013, për përcaktimin në interes publik të një pjese të tokave të ish Ndërmarrjeve Shoqërore në territorin e Komunës së Podujevës. Seanca ka vazhduar me shqyrtimin e pikave tjera të rendit të ditës.