Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se kanë nisur punën për rinovimin e objektit të Komunës, por që të përfundohet, sipas tij, duhen disa javë.
Zeqiri ka thënë se në seancës e Kunvedit Komunal që u mbajt të premten e kanë themeluar një Komision i cili do ta mbikëqyrë rinovimin e objektit, për të cilin është shprehur se ka probleme teknike.
“Do të duhet pak kohë për ta rinovuar, javë me siguri. Komisioni me siguri do të punojë në këtë drejtim. Ka bukur mirë probleme teknike, ka probleme me rrymën, me instalimin e ujit, rrjetin e internetit. Këto që janë jetike për të funksionuar objekti. Ka edhe zyra të demoluara. Megjithatë, është themeluar Komisioni për të bërë njëfarë incizimi në çfarë gjendje është objekti dhe për të funksionalizuar të gjitha zyrat”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Zeqiri ka deklaruar se po punojnë për të funksionalizuar çdo gjë, por ka theksuar rëndësinë që objekti të ruhet 24 orë.
“Na duhen shumë gjëra, por e rëndësishme është që të merren disa sigurim, por këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me organet e rendit. Duhet të jenë akoma prezent derisa objektin ta futim në funksion të plotë. Objekti duhet të ruhet 24 orë”, ka shtuar ai.
Kryetari i Zubin-Potokut ka vlerësuar se gjendja në këtë komunë është e qetë.
“Gjendja është e qetë. Nuk mendoj se kam nevoj për përcjellje nga Policia. Zgjerimi i kapaciteteve na mundëson punë më të lehtë dhe më të sigurt”, ka deklaruar ai.
Zeqiri është kthyer në objektin komunal një vit pasi u zgjodh si kryetar i Zubin-Potokut. Deri tash, e ushtronte detyrën nga një zyrë alternative në fshatin Çabër. Në objekt komunal së shpejti pritet të kthehet edhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci. Të dy vinë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ata pas tensioneve që u patën krijuar në veri dhe protestave të organizuara nga serbët të cilët nuk i lejonin që funksionet t’i ushtronin nga objektet komunale, i janë përgjigjur thirrjes së ndërkombëtarëve që detyrat t’i ushtrojnë nga zyrat alternative.
E nga objekti i komunës së Leposaviqit, refuzoi të largohet kryetari nga radhët e Vetëvendosjes, Lulzim Hetemi, ani se prania e tij aty u kundërshtua për ditë të tëra me protesta, prej të cilave kryesisht pësuan gazetarët, duke u sulmuar e lënduar nga protestuesit serbë.
Zhurmë nuk u krijua në Mitrovicë të Veriut, pas zgjedhjes së kryetarit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq, që detyrën e ushtroi nga objekti komunal.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se situata në katër komunat në veri është e qetë dhe se ata janë në dijeni të çdo veprimi që zhvillohet atje.
Drejtimin e nivelit lokal në Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok e Mitrovicë të Veriut, kryetarët joserbë e morën pas një procesi zgjedhor të bojkotuar nga shumica e qytetarëve serbë.
Në këto komuna, të banuara kryesisht me serbë, kryetarët shqiptarë punën e nisën në situatë të jashtëzakonshme. Përveç atij të Mitrovicës së Veriut, tre kryetarët e tjerë zotimin për ta kryer detyrën, në të cilën u zgjodhën me vota minimale, e bënë nëpër objektet shkollore fshatrash e jo në ato komunale.
Teksa në veri të Mitrovicës, i gjithë procesi u zhvillua pa shumë zhurmë, gjendja ka qenë krejt ndryshe në komunat e tjera.
Tensione, dhunë, protesta e shumë telashe kanë shoqëruar tentimet e kryetarëve të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut për të hyrë në zyrat e tyre.
Situatë më e rrezikshme zotëroi në Zveçan. Aty, me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it e të Policisë së Kosovës u lënduan nga protestuesit e dhunshëm serbë, që e kundërshtonin praninë e kryetarit në objektin e komunës.
Barra për shtensionimin e situatës në tri komunat veriore iu vu Qeverisë së Kosovës.
Asaj, faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ia kërkoi largimin e kryetarëve nga komunat dhe ushtrimin e detyrave të tyre nga distanca.
Dy prej tre kryetarëve që u kundërshtuan me protesta, hoqën dorë nga kryerja e funksioneve prej zyrave komunale dhe u pajtuan që punën ta vazhdojnë në zyra alternative.
Kryetarët shqiptarë mbeten në pushtet në katër komunat veriore edhe pas votimit të 21 prillit, i organizuar pas një peticioni të nënshkruar nga serbët atje, mbështetur nga Lista Serbe.
Votimi për ose kundër largimit të katër kryetarëve do të ishte i suksesshëm nëse do të arrihej 50 për qindëshi plus një votues. Megjithatë, nga rreth 46 mijë qytetarë të regjistruar, të drejtën e votës e ushtruan vetëm rreth 250 persona.