Arbëri

Zgjerimi i BE-së nën presionin e sigurisë

Lufta në Ukrainë, ndikimi rus në rajon dhe pasiguria politike në Ballkanin Perëndimor e kanë kthyer zgjerimin nga një proces teknik në një urgjencë gjeopolitike. Politikanë dhe ekspertë të çështjeve, gjatë diskutimeve në kuadër të Konferencës së Sigurisë që po zhvillohet në Beograd, kanë theksuar se kërcënimet e reja të sigurisë po e riformësojnë qasjen e BE-së karshi rajonit dhe se integrimi i Ballkanit Perëndimor po shihet gjithnjë e më shumë si një investim strategjik për stabilitetin e Evropës

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) ka hyrë në një fazë të re, në të cilën lufta në Ukrainë e ka kthyer atë nga një proces teknik, shpesh i bllokuar, në një urgjencë gjeopolitike, është thënë të mërkurën gjatë ditës së tretë të punimeve të Konferencës së Sigurisë që po mbahet në Beograd. 

Në panelin me temë: “Resetimi i Zgjerimit. Qasje e re për Ballkanin Perëndimor”, pjesëmarrësit kanë theksuar se dinamikat politike dhe sfidat e brendshme të BE-së po e rimodelojnë rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Analisti i politikave, Agon Maliqi, e ka vënë theksin mbi aspektet e sigurisë që po e diktojnë realitetin e ri të zgjerimit. Sipas tij, projekti evropian në rajon ka qenë historikisht një “projekt paqeje”, por ngecjet në dekadën e fundit e kanë dobësuar fuqinë transformuese të saj.

Ai ka potencuar se nevojitet rol më i fortë i BE-së ndërsa ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë më të përfshira në rajon sesa perceptohet, gjë kjo që mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të sigurisë të cilat po e ngadalësojnë integrimin.

“Rajoni ka ngecur për shkak të sigurisë, çështjeve të pazgjidhura bilaterale. Mes Kosovës e Serbisë, pastaj Maqedoni e Veriut-Bullgari. Duhet rol më proaktiv nga BE-ja, vetë Komisioni Evropian. Po ashtu, SHBA-ja është më shumë e përfshirë në rajon sesa që njerëzit mendojnë. Do te ketë një rol të SHBA-së në zgjidhjen e çështjeve të sigurisë në Ballkan dhe eliminimin e pengesave që lidhen edhe me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor. Ka dritare për ata që e kërkojmë dhe duan ta përdorin atë sa i përket integrimit. Aktualisht janë dy vende që këtë po e shohin në Ballkan - Shqipëria dhe Mali i Zi”, ka thënë Maliqi. 

Ai ka theksuar se mbështetja për integrim mbetet e lartë në të gjithë rajonin, përveç në Serbi e ku ka thënë se qytetarët shpesh nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për përfitimet që i sjell anëtarësimi në BE.

Biljana Papoviq, e cila është sekretare e Shtetit për Çështjet Evropiane në Mal të Zi, e ka ofruar perspektivën e vendit që ka avancuar më së shumti në procesin e anëtarësimit. Ajo ka përmendur se mbi 80 për qind e qytetarëve të Malit të Zi e mbështesin anëtarësimin në BE dhe ka shtuar se procesi është duke u shtyrë përpara me përfshirjen e të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë civile.

“Tani kur e negociojmë mbylljen e disa kapitujve, e shohim se nuk mund të bëhet vetëm, pa mbështetje edhe në rajon, jo vetëm Shqipëria që është në këtë proces, por duam të shohim edhe shtetet e tjera që avancojnë në këtë drejtim. Po përpiqemi t’i mbyllim kapitujt dhe ta rrisim bashkëpunimin rajonal. Besojmë se ai nuk do të jetë zëvendësim për integrimin. Nuk ka lidhje të qarta mes iniciativave rajonale dhe integrimit në BE”, ka deklaruar ajo. 

Papoviq ka shtuar se shpesh vendet e rajonit duhet të zgjedhin mes prioriteteve të kapitujve të BE-së dhe reformave të brendshme, duke e bërë procesin politikisht sfidues.

“Për ne, ndonjëherë duhet të zgjedhim nëse duhet të zgjedhim nga kapitujt e BE-së apo që diçka që lidhet me reformën e agjendave”, është shprehur ajo. 

E ish-ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi, ka folur për aspektet ekonomike dhe politike, duke theksuar se integrimi i rajonit në BE nuk është thjesht proces teknik, por çështje strategjike për vetë bllokun evropian.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor është rajon i vogël ekonomikisht porse me rëndësi të madhe strategjike.

Ai ka vënë në dukje se politikat e brendshme dhe ciklet zgjedhore shpesh e frenojnë procesin, ndërsa reformat mbeten në mes të rrugës për shkak të populizmit dhe të presioneve të brendshme politike.

“Nëse flasim për reforma, është fakt se ka shpenzime në para, kohë, pra, duhet zëri i vendimmarrësve. Nuk është se kërkojmë para por mbështetje për reforma nga BE-ja. Por është fakt po ashtu se politikanët bëjnë kalkulime me zgjedhje në Ballkan, ka populistë dhe përfundojmë në situatën ku reformat ngecin”, është shprehur ai.  

Tanja Mishçeviq, ish-ministre për integrim evropian në Serbi, ka argumentuar se BE-ja e ka miratuar tashmë një qasje të re kundruall zgjerimit, motivuar nga gjeopolitika. Ajo ka thënë se lufta në Ukrainë e ka ringjallur presionin për të çuar përpara Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, ndonëse është mjet i rëndësishëm për reforma, nuk është i lidhur drejtpërsëdrejti me procesin e anëtarësimit, duke ngritur dilema për efektin e tij real.

“Ndryshimet në politikat e zgjerimit kanë ndodhur tashmë, shkaku i pasojave nga gjeopolitika. Pas luftës në Ukrainë reflektohet thirrja e gjatë për lëvizje të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE, përmes projekteve të ndryshme sikurse ai i fundit - Plani i Rritjes. Procesi ka qenë i gjatë, me hyrjen e fundit në BE pati ndryshim drastik sa i përket zgjerimit. Ideja që të sillen rezultate që janë të prekshme. Vetëm kur ka rezultate konkrete e shihni të nevojshme për ta shpejtuar procesin, është qasje e aplikuar. Problemi me Planin e Rritjes është se nuk ka lidhje me zgjerim, pra, nuk e dimë si do të ndikojë në integrim zbatimi i klauzolave të këtij Plani”, ka thënë ajo. 

Moderatorja e Panelit, Majlinda Bregu, e cila është ish-ministre për Integrim e Shqipërisë, ka theksuar se kostot e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë minimale për BE-në, vetëm rreth 1 për qind e GDP-së, teksa ka shtuar se debati për zgjerimin është më shumë politik dhe strategjik sesa që është ekonomik.