Kandidati i LDK-së për deputet, Festim Kabashi, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk do as të qeverisë, e as nuk po ngopet me pushtet.
Sipas tij, LDK-ja në vazhdimësi po angazhohet për bashkim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“LDK-ja asnjëherë nuk njihet që është angazhuar për bllokada e vija të kuqe, apo pengesa e ngecje në shtetndërtim apo në stabilitetin e vendit. Ne kemi qenë të gatshëm të shkojmë, të flasim e të ofrojmë. Ishim të gatshëm edhe për marrëveshje politike për çështjen e presidentit, por Kurti duket se bënte humor me gjithë këtë proces”, ka thënë ai.
Ka deklaruar se për emrin e Albulena Haxhiut për pozitën e kryekuvendarës, vendi ka qenë i bllokuar për një vit.
“Kurti ka përfunduar duke folur për pazare politike. Kurti nuk ka pranuar asnjëherë të flasë për asnjë parim. LDK-ja nuk është e interesuar për bllokada. Me VV-në kemi mospajtime të thella për qeverisje. Në Kosovë katër pozitat kryesore të shtetit janë me ushtrues detyre. Ky person nuk e trajton seriozisht shtetin. Ky njeri nuk po ngopet me pushtet, po i do të gjitha, po do me u bë mbret”, ka shtuar ai.
Dakaj drejtuar Zogajt: S’mund ta ndryshoni rezultatin duke fjetur
Analisti Shkëlzen Dakaj ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për mënyrën e funksionimit në opozitë, duke deklaruar se rezultati zgjedhor nuk mund të ndryshohet “duke fjetur”.
Gjatë një debati televiziv me kandidatin për deputet të LDK-së, Alban Zogaj, Dakaj ka thënë se kandidatja për presidente nga kjo parti Vjosa Osmani e ka arritur kulmin e popullaritetit falë angazhimit të vazhdueshëm publik.
Sipas tij, Osmani është bërë figurë e fuqishme politike duke qenë aktive në media, në terren dhe në debatet politike.
“Vjosa Osmani e mbërriu kulmin e popullaritetit falë angazhimit, punës, duke u marrë me secilin, me zë të fuqishëm nëpër media, në terren, në të gjitha betejat”, deklaroi Dakaj në “Konfront”.
Ai shtoi se LDK-ja do të duhej të kishte më shumë figura aktive si Hykmete Bajrami dhe Janina Ymeri.
“Janina Ymeri nuk ka gju gaz lotsjellës, por ka folur me fakte”, tha Dakaj.
Nga ana tjetër, Zogaj u kundërpërgjigj duke thënë se kritikat ndaj LDK-së nuk janë të drejta dhe se vendi po shkon në zgjedhje për shkak të, siç u shpreh ai, “kryeneçësisë” së partisë fituese.
“Nuk e ki kritikën korrekte. Ne po shkojmë në zgjedhje falë një kryeneçësie të atij që i ka fitu 51 për qind, ky po merret me opozitën”, deklaroi Zogaj.
Debati mes tyre vazhdoi me Dakajn që insistoi se opozita nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndryshuar perceptimin qytetar.
“S’mundesh me ndërru rezultatin duke fjetur kështu. Më shumë kemi bërë ne mediat sesa ju”, u shpreh ai.
Dakaj: S’ka fakte e as vepra që Kurti do t’i arrijë 51%, po mbahet me propagandë
Gazetari Shkelzen Dakaj ka thënë se nuk mund të parashikohet rezultati i zgjedhjeve sepse “te politika gjithçka është e mundshme”, por është shprehur me bindje se Vetëvendosje nuk do t’i marrë më 51 për qind të votave.
Sipas tij, nuk ka fakte e vepra që LVV-ja do t’i marrë mbi 50% në zgjedhjet e 7 qershorit. Dakaj ka shtuar se Kurti po e demanton veten duke propaganduar për projekte që i ka premtuar por s’i ka bërë gjatë mandatit.
“Nuk ka frymë për VV-në, nuk është momentumi i VV-së me, është duke u mbajtur me një lloj propagande dhe infuzioni që kjo mbi 50% jodomosdoshmërisht nënkupton se opozita do të ketë rritje. Unë e shoh se as nuk ka frymë, as fakte, as vepra, Albin Kurti të mbërrijë më në historinë e tij të paktën këto zgjedhje jo, 51%. Sepse e pamë intervistën e djeshme atë që nuk ia ka bë opozita në këtë legjislaturë, e sfidoi dje kolegu ynë në KTV. Nuk e pati asnjë projekt të vetëm që u thirr që duhet të dalë t’u thotë qytetarëve ‘ma jepni edhe një herë besimin se këto-këto unë i kam kryer’”, ka thënë ai në Konfront.
Morina: Opozita s’po arrin ta dekonstruktojë zyrën propagandistike të VV-së
Analisti politik, Idriz Morina, ka thënë se partitë opozitare nuk janë duke arritur ta dekonstruktojnë, atë që ai e ka quajtur, zyrën propagandistike dhe dezinformuese të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka thënë se qëllimi i kryeministrit në detyrë, Albni Kurti, nuk është gjetja e zgjidhjes dhe nuk ka synim të plotë zgjedhjen e një presidentin për shkak se, sipas tij, synon ta ketë një njeri të tij, ose të kontrolluar nga ai.
“Në momentin që e ka humbur besimin nga Vjosa Osmani, ai është distancuar nga ajo dhe e ka bërë atë që është pritur ta bënte, bazuar në sjelljen e tij. Duket se LDK-ja megjithëse është kritikuar nga VV-ja se edhe këta do ta ketë edhe presidentin edhe kryeministrin, mendoj që kjo është qasja alternative dhe do të imponohet nga situata e rezultatit zgjedhor. Nëse rezultati do të jetë në favor të logjikës së Albin Kurtit, një rezultat ku ai mund të kushtëzojë emrin e presidentit, do të ketë serish cikël të ri zgjedhor”, ka thënë ai.
Morina ka deklaruar se “thyerja e barrierës së vendosur nga Vetëvendosja prej 40 për qind, do të sjellë ndryshime në skenën politike, do të ketë qeverisje të re dhe do të formohet një prespektivë e re në atë rast”.
Kabashi për çështjen e presidentit: Kurti po mashtron
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Festim Kabashi, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për mashtrim lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe zhvillimet politike që çuan vendin në zgjedhje.
Kabashi ka thënë se LDK-ja po zhvillon takime të shumta me qytetarët për t’i bindur se, sipas tij, qasja e Kurtit nuk është rruga e duhur për vendin.
“Kurti ka pas në dispozicion, përveç besimit të madh të qytetarëve, gjashtë vjet në mandat, i ka pas 20 miliardë euro dhe nuk ka bë kurrgjë në këtë shtet”, deklaroi Kabashi në “Konfront”.
Ai u ndal edhe te çështja e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se Kurti “po mashtronte” kur pretendonte se vetëm ai kishte propozuar emra për këtë post.
Sipas Kabashit, vetë Kurti e ka konfirmuar se nuk i kishte votat për Osmanin, ndonëse, siç tha ai, kishte dalë në konferenca për media duke kërkuar 15 nënshkrimet e nevojshme nga LDK-ja.
“Është munduar ta lë LDK-në fajtore. Kurti ka bërë humor me tërë këtë situatë dhe e ka dërguar vendin në zgjedhje”, u shpreh Kabashi.
Zogaj: Me deklaratat e Kurtit po tentohet të kërcënohen qytetarët e Kosovës
Kandidati i LDK-së për deputet, Alban Zogaj, ka thënë se kryetari i LVV-së Albin Kurti përmes deklaratave po tenton të kërcënojë se nëse nuk merr votat që ka paraparë në zgjedhjet e 7 qershorit, do të ketë kriza të tjera politike.
Ai është pyetur për bashkëpunim të mundshëm me LVV-në pas zgjedhjeve për votimin e Vjosa Osmanit si presidente, pas deklaratave të Kurtit të hënën në KTV, i cili tha se nuk kanë votë për Osmanin.
Zogaj e ka akuzuar Kurtin se sa ishte në pushtet me LVV-në nuk kishte aftësi për zgjidhjen e situatës politike dhe se çoi në një palë zgjedhje të tjera.
“Kjo çka po tentohet të bëhet me këto deklarata në vazhdimësi të Kurtit dhe VV-së është me kërcënu qytetarin dhe skenën politike që nëse ne nuk e marrim një numër të caktuar të votave atëherë do shkojmë në kriza të njëpasnjëshme. Unë them që nuk është e vërtetë. E para duhet të presim rezultatin e 7 qershorit, dhe e dyta do t’ia bëjmë të qartë qytetarit pse ne jemi në këtë pozicion. Ne po shkojmë në zgjedhje për shkak të paaftësisë të fituesit të zgjedhjeve t’i krijojë institucionet e vendit”, ka thënë ai në Konfront.