Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se janë të tronditur nga lajmi se një zyrtar i BE-së në Gjakovë është therur me thikë.
Zëdhënësi i kësaj zyre, Nikola Gaon, ka thënë se janë duke u zhvilluar hetime nga autoritetet.
“Jemi të shokuar nga ky lajm dhe i dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë. Hetimi është duke u zhvilluar dhe autoritetet po përcaktojnë faktet. Meqenëse është hetim aktiv, nuk jemi në gjendje të japim detaje të mëtejshme në këtë kohë”, ka thënë ai.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se po kryen hetimet e nevojshme për zbardhjen e rastit.
“Lidhur me çështjen për cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale ju njofton se nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike. Duke theksuar se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, ka thënë për KOHËN, Arbnora Luta zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se një shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, pasi dyshohet se është therur me thikë.
Rasti ka ndodhur gjatë mbrëmjes të së martës, teksa viktima dyshohet se ka pasur dy plagë kur ka pranuar trajtim mjekësor.
Viktima me udhëzim të mjekut kujdestar është dërguar në QKUK.