Arbëri

Zyrtarë serbë të tmerruar pas arritjes së dronëve kamikazë në Kosovë

Të tmerrshëm e kanë cilësuar zyrtarët serbë lajmin për mbërritjen në Kosovë të mijëra dronëve kamikazë nga Turqia. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka akuzuar Ankaranë zyrtare se po e ëndërron rindërtimin e Perandorisë Osmane, teksa ka kërkuar sqarime edhe prej komandantit turk të KFOR-it. E Vuçiqit i ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Me reagime të shumta është pasuar mbërritja në Kosovë të mërkurën e mijëra dronëve kamikazë nga Turqia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka akuzuar të enjten Turqinë duke thënë se ajo nuk dëshiron stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky zhvillim ka ngjarë pak ditë pas ndërrimit të komandës në misionin e NATO-s në Kosovë, me ç’rast gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutash, e ka marrë drejtimin e KFOR-it për herë të dytë në pak vjet.

“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së autoriteteve në Prishtinë. Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk e dëshiron stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe ëndërron të rindërtojë Perandorinë Osmane. Serbia është një vend i vogël, por e kemi kuptuar mirë mesazhin”, ka thënë Vuçiq.  

E ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se vendimi i autoriteteve turke për t’i dërguar dronë Kosovës është një veprim i njëanshëm dhe i paligjshëm, të cilin Serbia “do të duhet ta marrë parasysh në veprimet e saj të ardhshme”.

Në një postim në platformën “X”, Gjuriqi ka shkruar se dërgimi i dronëve turq për “regjimin e Albin Kurtit” përfaqëson “hedhje vajguri në zjarr dhe një shembull të qartë të ndërhyrjes dashakeqe në punët rajonale, me pasoja destabilizuese”.

“E dënoj fuqishëm këtë veprim të njëanshëm dhe të paligjshëm, i cili përbën një hap prapa në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve në rajon dhe nxit një politikë agresioni ndaj serbëve dhe komuniteteve të tjera joshumicë në Kosovë”, ka shkruar ai.

Të enjten është raportuar gjithashtu se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë e ka kontaktuar urgjentisht komandantin turk të KFOR-it për të protestuar kundër dërgesës së dronëve.

Vuçiqit i është kundërpërgjigjur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa ka thënë se ai është duke e sulmuar pa turp presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Jam krenare që kam punuar ngushtë me presidentin Erdogan, një njeri të fjalës së tij, i cili gjithmonë ka treguar kujdes të thellë dhe të sinqertë për të gjithë njerëzit e rajonit tonë dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe mbrojtjes. Ndërkohë, Vuçiqi duket se beson se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s, si Turqia, në të njëjtën mënyrë siç kërcënon vendet fqinje. Në vend që të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, ai nxit bashkëpunimin mbrojtës me Rusinë, Kinën dhe Iranin”, ka shkruar Osmani.  

Ajo ka shtuar se Kosova do të vazhdojnë t’i forcojnë lidhjet me aleatët në NATO, duke i modernizuar aftësitë mbrojtëse të saj bazuar në standardet e NATO-s, duke siguruar paqe, stabilitet dhe duke kontribuar në mënyrë aktive në sigurinë kolektive.

“Vuçiqi duhet të përpiqet ta bëjë të njëjtën gjë, në vend që të sulmojë vazhdimisht fqinjët e tij. Por mendoj se për mendjen e tij hegjemonike që është e bllokuar në të kaluarën dhe vazhdimisht e fiksuar pas ngacmimit të të tjerëve, një pjekuri e tillë duket shumë e paarritshme”, ka shkruar Osmani.

Për acarimin e Serbisë kanë shkruar të enjten edhe mediat turke. Mediumi “TurkeyToday” ka shkruar se dronët turq në Kosovë janë duke e testuar “epokën e artë” të marrëdhënieve Ankara–Beograd.

“Mbërritja e një sistemi të ri të fuqishëm mbrojtës në Ballkan të mërkurën ka bërë më shumë sesa të forcojë aftësitë e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) – ajo ka shkaktuar tronditje politike në diplomacinë rajonale që Turqia e ka kultivuar me kujdes gjatë viteve të fundit”, ka shkruar ky medium.

Akuza për “neo-otomanizëm” është një armë e zakonshme retorike në Ballkan, sa herë që interesat kombëtare përplasen me angazhimin në rritje të Turqisë në rajon. Në realitet, sipas “TurkeyToday”, analistët kanë theksuar se politika e jashtme e Ankarasë zyrtare mbetet pragmatike dhe e fokusuar në stabilitetin ekonomik e rajonal — një politikë që, pavarësisht tensioneve aktuale, ka prodhuar “epokë të artë” të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë.

“Ironikisht, vetë qeveria e Vuçiqit është duke modernizuar arsenalin ushtarak përmes bashkëpunimeve të ngushta me Rusinë dhe Kinën — dy vende që janë në kundërshtim të hapur me Perëndimin. Në korrik, njësitë speciale të ushtrisë serbe zhvilluan stërvitje të përbashkëta me një brigadë kineze, pavarësisht kundërshtimeve nga BE-ja dhe SHBA-ja. Ky qëndrim zbulon standard të dyfishtë: Beogradi pretendon të drejtën për forcim ushtarak, por ua mohon atë fqinjëve të tij – veçanërisht Kosovës, të cilën ende e konsideron territor të vetin”, ka shkruar mediumi turk.

Kontejnerët me mijëra dronë të avancuar kamikazë “Skydagger”, të prodhuar në Turqi, kanë mbërritur të mërkurën në Prishtinë, sipas kontratës me kompaninë e mbrojtjes “Baykar”.

Turqia ka një nga kontingjentet më të mëdha të trupave brenda KFOR-it, i cili vepron sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, të njëjtës rezolutë për të cilën Beogradi zyrtar pretendon se është shkelur me dërgimin e dronëve.

E kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, arritjen e dronëve kamikazë e ka përshkruar si hap drejt ndërtimit të një “force moderne dhe bashkëkohore”. Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilotë, krahas “TB2 Bayraktar” dhe fluturakeve “Puma”, Kurti ka thënë se po vazhdohet ngritja dhe shtimi i fuqisë goditëse të ushtrisë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.

Turqia është ndër mbështetëset kryesore të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve ushtarake me armatim të ri. Me një marrëveshje të nënshkruar më 16 dhjetor të 2024-tës me kompaninë turke të armëve, MKE, Kosova synon të ndërtojë një fabrikë të municioneve të kalibrave të ndryshëm si dhe laboratorë për dizajnim të fluturakeve pa pilotë.

Krahas Turqisë, Kosova mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania, Italia e Kroacia.

Gjatë fazës së dytë të tranzicionit të FSK-së në ushtri, Kosova ka kontraktuar edhe blerjen e 246 raketave anti-tank “Javelin” në vlerë prej rreth 75 milionë dollarësh.

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, më 18 mars të këtij viti është nënshkruar edhe deklarata e përbashkët trepalëshe midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Blerja e kapaciteteve mbrojtëse është angazhimi i parë në deklaratë, për të cilën janë zotuar ministrat e Mbrojtjes të tri shteteve. Synohet që të bëhet një porosi për blerje, në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet.

Blerja e armatimit parashihet me Planin Gjithëpërfshirës drejt transformimit të FSK-së në ushtri. Ajo lidhet me funksionalizmin e planifikimit në fushën e mbrojtjes me armatim personal dhe kolektiv, përkatësisht me sistemet e nevojshme që kjo strukturë ka.

Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, përgjegjësitë e reja të FSK-së përfshijnë ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare.