Ndonëse të dedikuara vetëm për përdorim dhe punë zyrtare, veturat e institucioneve publike vazhdojnë të përdoren edhe jashtë orarit të punës dhe ditëve të vikendit, raporton KTV.
Një veturë të tillë e ka në dispozicion edhe drejtori i Departamentit për marrëdhënie ndërkombëtare në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Jeton Arifi.
Në disa fotografi dhe video, të cilat i janë dërguar KTV-së, kjo veturë është parë në një parking privat jashtë orarit të punës dhe gjatë natës.
Por Arifi përmes një përgjigjeje me shkrim, përdorimin e veturës zyrtarë jashtë orarit e ka arsyetuar me mbajtjen e disa pozitave brenda këtij institucioni.
“Drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë. Vetëm në saje të kësaj pozite jam i detyruar të jem në dispozicion të publikut (sidomos të gazetarëve), së paku pesëmbëdhjetë orë në ditë. Vlen të theksohet se pak ditë më parë jam ngarkuar edhe si udhëheqës i shtyllës për qasje në dokumente publike brenda Agjencisë, në kuadër të mandatit të ri që i është dhënë AIP-së”, ka thënë ai.
Më tutje, Arifi ka thënë se me autorizim të drejtorit të përgjithshëm atij i është lejuar të shfrytëzojë çdo aset të këtij institucioni.
Megjithëse ka kthyer përgjigje me shkrim, përdorimin e veturës e ka arsyetuar edhe me dalje të shpeshta në media, por edhe takime nëpër komuna për vetëdijesim të zyrtarëve për Ligjin për qasje në dokumente publike.
“Për sa i përket interesimit tuaj rreth shfrytëzimit të veturës zyrtare, më lejoni të ju njoftoj që Agjencia, në saje të statusit të saj të pavarur, nuk i nënshtrohet udhëzimeve të Qeverisë për shfrytëzimin e veturave. Për shkak të detyrave dhe obligimeve të mia zyrtare (pa orar fiks) jam i ngarkuar nga Drejtori i Përgjithshëm për të shfrytëzuar çdo aset të këtij institucioni që do ta lehtësonte kryerjen e punëve zyrtare, pavarësisht nëse ato paraqiten si nevojë para fillimit zyrtar të një dite pune (fjala bie, rastet e paraqitjeve të mia në emisionet e mëngjesit në televizione apo radio), apo edhe pas orarit të punës në emisione të ndryshme të karakterit vetëdijesua në orët e vona. Aktualisht, në kuadër të fushatës informuese dhe ndërgjegjësuese lidhur me lirinë e informimit, jam i angazhuar me takime nëpër komuna të ndryshme duke shpalosur dispozitat e reja të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe duke zgjeruar rrjetin e zyrtarëve të akredituar për qasje në dokumente publike”, ka deklaruar Arifi.
Përdorimi i veturave zyrtare jashtë orarit të punës është i shpeshtë.
Në një foto shihen, gjithashtu, dy vetura të tjera zyrtare, të cilat kanë qenë jashtë orarit të punës.
Por, Instituti GAP thotë se numri i madh i zyrtarëve të cilëve viteve të fundit u janë lejuar përdorimi i veturave zyrtare ka rritur shpenzimet e buxhetit të shtetit për rreth 2 milionë euro.
Derisa Udhëzimi Administrativ mbi përdorimin e veturave zyrtare përcakton se cilët punonjës të Qeverisë dhe institucioneve publike kanë të drejtë t’i përdorin automjetet zyrtare.
Bazuar në nenin 3 të këtij udhëzimi, kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe shefi i kabinetit të kryeministrit, lejohen t’i përdorin 24 orë automjetet zyrtare.
Ndërsa, nëpunësve të caktuar mund t’u lejohet përdorimi i tyre edhe jashtë orarit zyrtar të punës me vendim të ministrave, me propozim të sekretarëve të përgjithshëm, kryeshefave ekzekutivë apo udhëheqësve më të lartë të institucionit përkatës.