Hapësirë e sponsorizuar

Gardiania e fjalës së lirë

“Rrjeti i Grave i Kosovës e vlerëson shumë punën e Fluturës. Ajo ka një përkushtim të hatashëm, ka një guxim madhështor që vërtet s’e kam parë moti. Një grua e guximshme që është edhe në media, por edhe aktiviste për të drejtat e grave. Rrjeti e vlerëson luftën e saj për të drejtën dhe për drejtësinë”, thekson Igballe Rogova, drejtoreshë e OJQ-së, Rrjeti i Grave i Kosovës. “Mendoj se ajo është aset i madh jo vetëm për demokracinë në Kosovë, por edhe brenda Bashkimit Evropian”, thekson Matthew Caruana Galizia, i biri i gazetares së vrarë malteze, Daphne Caruana Galizia, për rastin e së cilës para drejtësisë është përfshirë që nga fillimi Kusari. Ajo i prin programit të mbështetjes ligjore të Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave (ECMPF), organizatë jopërfituese, themeluar më 2015 në Lajpcig në Gjermani

Artikull i sponsorizuar - Për gratë aktiviste, Flutura Kusari është model i gruas së guximshme që mbron fort fjalën e lirë. Për gazetarët, gardiane e së vërtetës, që e kanë profesion e mision. E njohur për pasionin profesional e personal, Kusari nuk sprapset edhe atëherë kur kthehet në cak sulmesh të pathemelta të fushatave militante në rrjete sociale vetëm pse mbështetësve të politikanëve të caktuar nuk u pëlqejnë pikëpamjet e saj, të bazuara mbi fakte kokëforta, ani pse gjithnjë avokon mbështetjen e fjalës së lirë. Ama, pa i njollosur gardianët e saj.

Grua e guximshme

“Rrjeti i Grave i Kosovës e vlerëson shumë punën e Fluturës. Ajo ka një përkushtim të hatashëm, ka një guxim madhështor që vërtet s’e kam pa moti. Një grua e guximshme që është edhe në media, por edhe aktiviste për të drejtat e grave. Rrjeti vlerëson luftën e saj për të drejtën dhe për drejtësinë”, thekson Igballe Rogova, drejtoreshë e OJQ-së Rrjeti i Grave i Kosovës, duke iu referuar citatit anglisht të shkruar në murin e sallës së mbledhjeve të organizatës: “Gratë që sillen mirë, nuk bëjnë histori. Gratë që janë të guximshme bëjnë histori për të mirë të grave dhe vajzave”, thekson ajo.

Kusari, e cila jeton në mes Gjakovës dhe Prishtinës – dhe udhëtimeve të shumta profesionale nëpër Evropë - i prin programit të mbështetjes ligjore të Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave (ECMPF), organizatë jopërfituese, themeluar më 2015 në Lajpcig të Gjermanisë. Me punën e saj, Kusari ka ndihmuar qindra punëtorë mediash në mbarë Evropën.

“Ajo avokon me organizata ndërkombëtare për përmirësimin e legjislacionit për të mbrojtur lirinë e shprehjes”, thuhet në përshkrimin e uebfaqes së ECMPF-së për Kusarin. “Gjatë dekadës së kaluar, ajo është angazhuar në ndërtimin e kapaciteteve të gjyqtarëve, prokurorëve, zyrtarëve policorë dhe avokatëve për lirinë e shprehjes në mbarë Ballkanin Perëndimor”.

Pos kësaj, ajo këshillon gazetarët para dhe pas botimit të shkrimeve për çështje, si shpifjet, qasja në informacion, për përmbajtjen e teksteve para gjykatave dhe për privatësinë.

Por si kishte nisur angazhimi publik i Kusarit me të filluar studimin e drejtësisë në Prishtinë.

“I jam shumë mirënjohëse KMDLNJ-së, sepse kur pata shku, pata shku me një letër A4, të shkruar ‘Flutura Kusari, adresa Prishtinë, edhe brucoshe’. Kjo ka qenë CV-ja ime kur pata shku, edhe ata m’i patën hapur dyert”, kujton me qeshje ajo.

Aty do të mësonte dy gjëra: monitorimin e zgjedhjeve dhe zgjerimin e informacioneve për rëndësinë e të drejtave të njeriut. Pastaj kishte ndihmuar edhe gjatë themelimit të Komisionit për Ndihmë Juridike, për të vazhduar me punë edhe në organizatën joqeveritare Iniciativa Kosovare për Stabilitet, duke monitoruar punën e komunave dhe të qeverisjes lokale. Ndërkohë do t’i bashkohej Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN). Gjatë kësaj periudhe do të çmonte edhe më shumë punën e gazetarëve.

Një periudhë të shkurtër do të punonte në një bankë.

“E pata pa që nuk është punë për mua dhe pata dhënë dorëheqje”.

Çmimi i lartë i së vërtetës

Puna me mediume e OJQ ia kishte fuqizuar edhe më shumë vendosmërinë për mbrojtjen e së vërtetës.

“Për mua një prej përfitimeve më të mëdha si aktiviste prej bashkëpunimit, prej më shumë se një dekade me gazetarë, është rëndësia dhe vërtetësia e informacionit, që nënkupton për mua se para se me reagu si aktiviste, para se më shkru, para se me reagu për diçka, sigurohem që me siguru të vërtetën për aq sa është e mundur”, thekson ajo.

Sa herë që kishte dilema për ndikimin e angazhimit jo vetëm në jetën e saj personale, mendja i shkonte te qëllimi për mbrojtjen e fjalës së lirë, bazuar në Kartën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian.

“Kam humbur shumë shoqëri për shkak të aktivizmit tim. Edhe anëtarët e familjes sime kanë humbur shumë shoqëri për shkak të aktivizmit tim”, thekson ajo, pa qenë asnjëherë pishman për luftën e saj për kërkimin dhe mbrojtjen e së vërtetës në të mirë të shoqërisë dhe zhvillimit të demokracisë llogaridhënëse. Ndien keqardhje ndaj partnerit, i cili, megjithatë, tregon mirëkuptim për punën e saj pa orar. Kusari, nënë e një vajze, i është përjetësisht mirënjohëse nënës së saj që e kishte rritur me frymën dhe edukatën për mbrojtjen e së vërtetës pavarësisht çmimit të luftës për të.

Verës Kusari kishte ndarë mendjen që pushimet t’i kalonte me familje dhe miq, pa u lidhur me laptop me mediume e kërkime për zhvillimet politike, sidomos ato të lidhura me mediat.

Por Kusari edhe nga distanca ishte një prej zërave më aktivë në paraqitjet mediatike gjatë përplasjes së Qeverisë së Kosovës me televizionin Klan Kosova për çështjen e kontestuar të licencës.

“Thashë ky vit është vit i pushimit, por ke Klan Kosova dhe unë e kam gjetur veten duke hyrë 10-15 minuta n’det, duke dalë me shku me një kënd me fol pak si tinëz se më vinte keq prej shoqërisë që po ua prishi diqysh. Por jo, nuk është e mundur me pasë pushim”, thekson Kusari, që gjithnjë ka laptopin me vete kudo që shkon. Në fakt, ajo nuk ka zyrë si vend pune.

Kusari i ka prirë projektit për vendosjen e gazetarëve ukrainas në Kosovë pas agresionit rus në Ukrainë. Lyudmila Makey, gazetare ukrainase, i është mirënjohëse Kosovës që ia hapi dyert dhe ia mundësoi që ta ndihmonte Ukrainën në luftë edhe prej vendit nikoqir.

“U pajtova që të vija, sepse ishte mundësi për mua, mundësi për të vazhduar profesionin, mundësi që të jem e dobishme për Ukrainën”, ka thënë Makey në dokumentarin e AGK-së për programin “Journalists in Residence – Kosovo”, realizuar nga AGK-ja. “Me fjalë të tjera, nuk dija pothuajse asgjë për Kosovën. Ishte e sinqertë kur erdha; vetëm e dija se ishte shteti më i ri në Ballkan dhe se kishte pasur konflikt të armatosur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se Nënë Tereza kishte rrënjë shqiptare”.

Aset për demokracinë e Kosovës dhe të BE-së

“Flutura është një prej avokueseve më të mëdha të punës së gazetarëve”, thekson Xhemajl Rexha, drejtor i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK). “E kemi parë se këtë e bën në fakt në baza vullnetare si aktiviste dhe si juriste e mediave për të ngritur zërin e saj për gazetarët sa herë që ata kanë nevojë dhe probleme për të mbrojtur punën e tyre të mirë”, thekson ai. “Sidomos të gazetareve gra në Kosovë, që gjatë viteve gazetaret gra kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në gazetarinë profesionale, në gazetarinë që ka efekt, në gazetarinë investigative në Kosovë që ka ndikuar edhe për të rrëzuar qeveri, edhe për të ngritur debate të rëndësishme shoqërore”. Rexha thotë se Kusari nuk është tërhequr edhe kur i ka kushtuar personalisht.

Kusari i mbron vullnetarisht gazetarët sa herë përballen me padi e akuza para drejtësisë.

“Përtej këshillës profesionale shumë të vlefshme, në fakt këshillave profesionale në lidhje me mënyrën sesi gazetarët duhet t’i nënshtrohen etikës, por edhe si të mbrohen prej kërcënimeve të palëve, qoftë përmes padive, apo edhe fizike, besoj se një kontribut i jashtëzakonshëm i saj është se ia ka treguar publikut dhe e ka futur në diskursin publik se çfarë janë paditë SLAPP”, thekson gazetarja e Grupit KOHA, Saranda Ramaj, duke shtuar se Kusari e ka ngritur vetëdijen në mesin e gazetarëve dhe opinionit se këto padi në fakt përdoren nga subjektet e shkrimeve hulumtuese për t’iu bërë presion gazetarëve dhe për të krijuar konfuzion në mesin e qytetarëve.

Kusari bashkëkryeson punën e ANTI-SLAPP në nivel evropian si pjesë e Koalicionit Kundër SLAPP-it në Evropë dhe si eksperte për Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Kusari, e cila ka doktoruar në të Drejtën e Medias në Universitetin e Gentit në Belgjikë, punon si eksperte e Bashkimit Evropian. Kusari ka ndihmuar ngjashëm edhe familjen e gazetares më të njohur investigative të Maltës, Daphne Caruana Galizia, kur në tetorin e vitit 2017 u hodh në erë bashkë me makinën e saj, ku i ishte montuar një bombë. Pas vrasjes, ra qeveria malteze dhe vrasësit u nxorën para drejtësisë, por Kusari është e bindur se prapa sulmit qëndronte shteti i Maltës. Ajo e përcolli nga afër procesin gjyqësor në drejtësinë malteze.

“Dhe prej atëherë ajo ka qenë gjithnjë aktive në rastin e nënës time”, ka theksuar Matthew Caruana Galizia, i biri i gazetares së vrarë. “Mbështetja e Fluturës ka qenë shumë e çmuar për ne dhe mendoj se kjo buron prej personalitetit të saj. Kur ajo përfshihet në një çështje, nuk tërhiqet derisa të ketë llogaridhënie dhe drejtësi të plotë”, ka shtuar Matthew Caruana Galizia, njëherësh drejtor i fondacionit “Daphne Galizia”. “Mendoj se ajo është aset i madh jo vetëm për demokracinë në Kosovë, por edhe brenda Bashkimit Evropian”.

Kusari thotë se shteti i Maltës po “e luftonte dhe për së vdekuri Daphnen”, pasi e di fort mirë se vrasja e saj me përfshirje të shtetit është njollë e pashlyeshme për shtetin ishullor.

Kusari është përfshirë profesionalisht e emocionalisht edhe në rastin e vrasjes së gazetarit hulumtues sllovak, Jan Kuciak, dhe partneres së tij në shtëpinë e tyre rreth 65 kilometra në lindje të Bratislavës, më 26 shkurt 2018. I vjen keq që familja e Kuciakut nuk ka kushte materiale për të luftuar edhe më fort për zbardhjen e vrasjes.

“Ata nuk dinë anglisht, por edhe nuk pranojnë asnjë ndihmë juridike”, thekson ajo.

Lutz Kinkel, drejtor i Kusarit në ECMPF, thotë se ajo është një prej aktivistëve më të mirë në Evropë për lirinë e shprehjes dhe të medias.

“Ajo është shumë inteligjente, e pasionuar dhe vërtet ka njohuri të mëdha”, thekson gjatë një videointerviste me “WhatsApp”. “Kur Flutura Kusari ngre gishtin tregues dhe thotë: ‘Dëgjo’, atëherë kjo nuk është arsye që të turpëroheni, por që përnjëmend të dëgjoni”, thotë Kinkel, duke imituar me qeshje gjestin e Kusarit në raste serioziteti të madh. “Ka disa vite që kam punuar me të në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias në Lajpcig dhe Flutura ka mbështetur më shumë se 100 gazetarë në Evropë me ndihmë ligjore. Këta ishin gazetarë që dolën para drejtësisë, por që vërtet kishin nevojë për ndihmë legale. Dhe ajo jo vetëm që e bën këtë punë për arsye teknike, por avokon edhe për sisteme më të mira legale në Evropë”.

Frymëzim për aktivistet e reja

Kusari avokon gjithashtu me organizata vendore e ndërkombëtare për përmirësimin e legjislacionit për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, një prej kushteve kryesore për pranim të shteteve në Këshillin e Evropës, ku edhe Kosova shpreson të anëtarësohet. Për drejtueset e OJQ-ve të të drejtave të njeriut, Kusari konsiderohet model i aktivizimit.

“Unë e njoh qe ndoshta 12 vjet. Ka qenë një prej grave të para që i kam njohur dhe që i kam identifikuar si aktiviste të të drejtave të njeriut dhe vërtet ka qenë një inspirim për mua të filloj dhe të angazhohem për të mirë publike, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë”, thekson Marigona Shabiu, drejtoreshë e organizatës joqeveritare për të drejtat e njeriut, YIHR. “Flutura është një aktiviste e guximshme që shtyn përpara pa kompromis kauzat që ajo beson”.

Kauza e saj universale dhe lufta e Kosovës për liri e shtet të qëndrueshëm janë vendimtare pse Kusari nuk ia ktheu shpinën vendlindjes as gjatë kohës së studimeve dhe kur kishte mundësi punësimi e qëndrimi në shtetet perëndimore.

“Unë kam jetuar pesë vjet në Gjermani derisa e kam kryer doktoratën dhe kam punuar edhe për ECMPF-në, edhe e kam dorëzuar lejen e qëndrimit dhe i jam kthyer regjimit të vizave”, thekson ajo, kur pyet për lidhjen me Kosovën, pavarësisht dëshpërimit të herëpashershëm me vendimet politike në shtetin më të ri evropian. “Unë jam e lidhur me Kosovën dhe këtë e kam marrë vesh kur e kam kryer magjistraturën, fizikisht kam qenë në Londër, por tërë kohën kam qenë duke këqyrë çka po ndodh në Kosovë, çka po bahet, edhe kam thënë: ‘Ok, kjo është njëfarë lidhje speciale’, sepse nuk mundesh të jetosh diku dhe njëkohësisht me këqyrë çka po ndodh në Kosovë”.

Ngjashëm kishte vepruar edhe gjatë studimeve të doktoratës në Universitetin e Gentit në Belgjikë.

“Krejt kohën e lirë e kam kaluar duke u informuar çka po ndodh në Kosovë, për të folur me njerëz në Kosovë, edhe s’kam qenë e interesuar të krijoj shoqëri të tjera”, thekson ajo, duke ngritur edhe pyetje retorike. “Sepse mendoj se ka shumë arsye të mira të jetosh dhe mendoj se shumë gjëra janë arritur”, thotë Kusari, duke vlerësuar se megjithatë Kosova është prijatare në raport me rajonin për liri të medias dhe fjalës së lirë, pavarësisht fushatave të herëpashershme kundër figurave të ndryshme publike që sfidojnë qasjet e militantëve virtualisht aktivë.

“Mendoj se e kemi mundësinë e artë të jemi pjesë e shtetndërtimit, se ne jemi shtet në ndërtim edhe pse kanë kaluar 25 vjet. Edhe mendoj se jemi pjesë e historisë, pjesë e historisë me çfarëdo kontributi minimal”.

“Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, që implementohet nga Integra dhe mbështetet nga Fondi për Zhvillim Komunitar - CDF dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë.”

Përgatiti: Rexhep Maloku