Auto

Kompania më e madhe në botë u jep “tru” veturave: Do të dinë të sillen në çfarëdo situate

autonomi-nvidia

Shefi i gjigantit teknologjik “Nvidia”, Jensen Huang, ka prezantuar platformën teknologjike “Alpamayo”, për të cilën ka thënë se do t’u mendojë veturave vetëvozitëse të mendojnë sikur njerëzit.

“‘Alpamayo’ sjell arsyen te veturat autonome, duke ua mundësuar të mendojnë nëpër skenarë të ndryshëm, të vozisin me kujdes në ambiente komplekse dhe të shpjegojnë vendimet e tyre të vozitjes”, ka thënë Huang në skenën e konferencës së përvitshme të teknologjisë CES, në Las Vegas.

Huang po ashtu ka thënë se “Nvidia” ka nisur ta prodhojë një veturë pa shofer me teknologjinë e saj, në partneritet me prodhuesin gjerman Mercedes-Benz.

Vetura pritet të lansohet në SHBA në muajt e ardhshëm para se të dalë në Evropë dhe Azi.

Sipas analistëve, prezantimi e përforcon lidershipin e “Nvidias” në tregun e përfshirjes së inteligjencës artificiale në pajisjet e prekshme.

“Kthimi i Nvidias drejt inteligjencës artificiale në shkallë të gjerë dhe të sistemeve të tilla do ta ndihmojnë të mbetet shumë përpara rivalëve”, ka thënë Paolo Pescatore, analist në PP Foresight. “‘Alpamayo’ përfaqëson ndryshim të madh te Nvidian duke kaluar nga të qenit kryesisht kompjuterike në ofrues platforme për ekosistemet fizike të AI-së”.

Menjëherë pas prezantimit, vlera e aksioneve të kompanisë dizajnuese të çipave u rrit ndjeshëm.

Në prezantim u shfaq edhe një video e një Mercedes-Benz me inteligjencë aritficiale që ecën në San Francisco teksa një pasagjer, ulet prapa dhe mban duart në këmbë.

“Ecën kaq natyrshëm sepse ka mësuar direkt nga demonstruesit njerëzorë”, ka thënë Huang. Ai ka shtuar se “në çdo lloj skenari... vetura do t’ju tregojë se çfarë do të bëjë dhe arsyet përse po e bën këtë”.

“Alpamayo” është model i inteligjencës artificiale të cilit prodhuesit mund t’i qasen tani dhe ta rikualifikojnë modelin për veturat e tyre.

“Vizioni jonë është që një ditë, çdo veturë, çdo kamion, të jetë autonomë”, ka thënë ai.

Projekti kërcënon Teslan e Elon Muskut që ofron asistencën e vozitjes të quajtur “Autopilot”.

“Pikërisht këtë e bën Tesla”, ka shkruar Musk në rrjete sociale pas prezantimit të “Alpamayos”.

Sikur Tesla edhe “Nvidia” planifikon të nisë shërbimin e robotaksive nga viti i ardhshëm.

“Nvidia” është kompania me vlerën më të madhe në botë, me vlerë mbi 4.5 trilonë dollarësh.

VIDEO: