Basketboll

Bashkimi mposht Pejën pas dy vazhdimeve

Bashkimi

Bashkimi është fitues i ndeshjes shumë të zjarrtë që u zhvillua të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. 

Nënkampioni i Kosovës e mposhti GO+ Pejën pas dy vazhdimeve 119:118, në ndeshjen e vlefshme të xhiros së 13-të të elitës së basketbollit kosovar. 

Pas katër çerekëve rezultati ishte 91:91. 

Bashkimi ishte afër që ta fitonte ndeshjen që në vazhdimin e parë kur pas dy gjuajtjeve të lira i saktë ishte Isaiah Cousins për 104:102.  

Megjithatë, në prekjen e fundit të topit, Tahj Green shënoi për 104:104. Pikët e Greenit u pranuan pas rishikimit të situatës nga gjyqtarët, pasi kishte dyshime nëse ndeshja kishte përfunduar më herët. 
Edhe vazhdimi i dytë ishte i niveluar dhe u vendos në dy minutat e fundit kur nisi shkëputja e Bashkimit, 113:107. Por, edhe në vazhdimin e dytë pati dramë, megjithatë skuadra pejane nuk arriti që ta shmangë disfatën. Trepikshi i Musab Malajt ishte i fundit në gjithë ballafaqimin. Malaj shënoi në fund për rezultatin final 119:118. 

Cousins ishte më i miri në fitore te Bashkimi me 21 pikë, gjashtë asistime e katër kërcime, ndërsa kontribut të madh në fitore dha edhe Kyan Anderson, me 29 pikë, katër kërcime e tri asistime. 
Lejson Zeqiri pati shumë momente të mira në fitore po ashtu. Kapiteni i prizrenasve e mbylli ndeshjen me 22 pikë, dy asistime e një kërcim. 

Green ndërkohë ishte më i miri te GO+ Peja me dyshifror të dyfishtë prej 35 pikëve e 11 kërcimeve, ndërsa i pati edhe tri asistime. Musab Mala pati po ashtu lojë të mirë me 18 pikë, gjashtë asistime e katër kërcime, por nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen. 

Për Bashkimin ishte fitorja e nëntë, ndërsa i ka edhe katër humbje, kurse GO+ Peja e pësoi disfatën e pestë. Pejanët i kanë edhe tetë fitore. 

Për Bashkimin ishte fitorja e dytë rresht. Edhe në xhiron e kaluar fitoi me një pikë dallim 78:77 ndaj Golden Eagle Yllit.