Dramatik ishte fundi i ndeshjes mes Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës. Por skuadra mysafire ia doli ta ruajë epërsinë për fitore 91:86 ndaj kuqezinjve të Gjakovës.
Ndeshja e së dielës mbrëma i takoi xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Prishtina e shënoi fitoren e katërt, ndërsa me 10 pikë renditet e treta. Vëllaznimi është i parafundit me një fitore e pesë humbje, përkatësisht me shtatë pikë.
Adrio Bailey shkëlqeu te Prishtina me 25 pikë e shtatë kërcime. Don Polloshka i kishte 11 pikë, gjashtë asistime e tri kërcime, ndërsa Daniel Lekndreaj e ndihmoi fitoren me 12 pikë, shtatë kërcime e katër asistime.
Marques Warrick ishte më i miri te Vëllaznimi me 24 pikë e pesë asistime. Ziggy Ride i kishte 21 pikë, tri kërcime e tri asistime.