Gjuajtja e Atik Koshit për tri pikë nuk gjeti cakun dhe kështu festa në fund ishte për lojtarët dhe tifozët e Sigal Prishtinës.
Të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë, Prishtina fitoi 71:69 ndaj Vëllaznimit në çerekfinalen e parë të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Kapiteni i Vëllaznimit, Koshi, tentoi për tri pikë, dhjetë sekonda para fundit. Por nuk ishte i saktë.
Vëllaznimi ishte shumë pranë fitores. 1:34 minuta para fundit gjakovarët kishin epërsi prej katër pikëve, 69:55. Por më pas Jericole Hellems humbi një top e Don Polloshka dy, falë presionit të lojtarëve vendas. Këtë e shfrytëzoi Prishtina që me katër pikët e Daniel Lekndreaj barazoi në 69:69.
Olin Carter shënoi për 71:69, 27 sekonda para fundit, ndërsa gjakovarët nuk e shfrytëzuan sulmin final.
Ndeshja e dytë çerekfinale zhvillohet të shtunën në Gjakovë. Prishtinës i duhet edhe një fitore për kualifikim në gjysmëfinale.
Te Prishtina më i miri ishte Lekndreaj me 18 pikë e nëntë kërcime. Jordan Davis i kishte 16 pikë e katër asistime. Dhjetë pikë i kishte Carter.
Te Vëllaznimi, Don Polloshka i kishte 17 pikë e shtatë asistime, por edhe pesë topa të humbur. 20 pikë i kishte Jericole Hellems. Ai shtoi edhe tetë kërcime e katër asistime, por i kishte plot tetë topa të humbur. Antwan Walker i kishte 12 pikë për gjakovarët, që u paraqitën pa Arian Azemin e lënduar.
Në çerekfinalen tjetër të plejofit përballen Golden Eagle Ylli dhe Peja. Ndeshja e parë është të enjten prej orës 19:00 në Suharekë.