Skuadrat e basketbollit kishin pak kohë për pushim e edhe më pak për festë. Të paktën njëra prej tyre, Trepça, ka ushtruar edhe në ditën e fundit të vitit 2025, por edhe në ditën e parë të vitit të ri.
Të gjitha skuadrat e Superligës këtë javë i presin ndeshje të rëndësishme. Por jo në kampionat.
Të mërkurën e të enjten janë ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Kosovës. Këtë edicion çerekfinalja, njëjtë si gjysmëfinalja, zhvillohet në dy ndeshje.
Dhe ndeshjet e para çerekfinale vlerësohen me peshë të madhe për të gjitha skuadrat pretendente.
Pos kampione në fuqi, Trepça është edhe fituese në fuqi e Kupës së Kosovës. Mitrovicasit synojnë ta mbrojnë trofeun e kupës, ndërsa do të kenë sfidë goxha serioze në çerekfinale.
Të mërkurën nga ora 18:45, Trepça e pret Golden Eagle Yllin në “Minatori”. Ndeshja e dytë do të luhet në Suharekë, kështu që të përzgjedhurit e Adis Beqiragiqit synojnë të bëjnë hap të rëndësishëm që në ndeshjen e parë.
Se sa seriozisht e vlerësojnë te Trepça garën për Kupë dëshmon fakti që kjo skuadër ishte në kamp përgatitor në Gjevgjeli nga 29 dhjetori e deri më 3 janar. Pasi palestra “Minatori” u lirua, Trepça vazhdoi me stërvitje në shtëpinë e saj të hënën.
Trepça së fundi u nda me fundorin boshnjak, Adnan Arslanagiq, ndërsa gjatë dhjetorit angazhoi dy amerikanë cilësorë.
Optimizmi është i madh edhe te Golden Eagle Ylli, sidomos pas ardhjes së fundorit amerikan me shtetësi të Kosovës, Scott Bamforth.
Ylli të hënë njoftoi për ndarjen me Joe Reece, kurse ndryshim tjetër është paralajmëruar në krye të shtabit teknik.
Në Superligë, Trepça është lidere me 23 pikë, përkatësisht me dhjetë fitore e tri humbje.
Ylli është vetëm i parafundit me 17 pikë. Ka katër fitore e nëntë humbje.
Të mërkurën prej orës 18:45 është edhe ndeshja mes Borës e Rahovecit 029, që zhvillohet në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Këto dy skuadra vlerësohen me cilësi të përafërt, ndërsa në Superligë kanë bilanc prej pesë fitore e tetë humbje.
Të enjten vëmendja do të jetë në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Nga ora 18:45 takohen Bashkimi e Go+Peja, dy prej skuadrave që synojnë trofe këtë edicion. Bashkimi ka nisur furishëm edicionin, por më pas pësoi rënie në formë, ndër të tjera edhe për shkak të lëndimeve.
Prizrenasit kanë paralajmëruar “atmosferë të papërsëritshme” në palestër.
Bashkimi më 2 janar nisi përgatitjet, ndërsa më 27 dhjetor e prezantoi përforcimin e fundit, Shannon Shorter. Peja së fundi ka kthyer Fatlind Shoshajn, ndërsa nuk ka njoftuar për ndryshime të tjera.
Po të enjten prej orës 18:45 është edhe ndeshja mes Vëllaznimit e Sigal Prishtinës. Bëhet fjalë për dy skuadra që vazhdimisht këtë edicion ishin në kërkim të stabilitetit. Kjo ndeshje luhet në Gjakovë, ku po ashtu priten shumë shikues, si në Mitrovicë e Prizren.
Ndeshjet e kthimit të çerekfinales zhvillohen më 21 e 22 janar.