Basketboll

Jovoviqi i kënaqur me fillimin e edicionit, por nuk jep fjalë të mëdha

bashkimi

Fitoret ndaj Trepçës në “Minatori” dhe ndaj Sigal Prishtinës në “Sezai Surroi” kanë rritur optimizmin në kampin e Bashkimit të Prizrenit. Të dy fitoret e skuadrës së basketbollit ishin bindëse dhe vlerësohen nga trajneri i Bashkimit, Igor Jovoviq. Trajneri nga Mali i Zi në verë e mori drejtimin e skuadrës prizrenase, pas përvojës së gjatë e të suksesshme në Gjermani.

Bashkimi ka fituar katër ndeshjet e deritashme në Superligë dhe udhëheqë në tabelë me tetë pikë, sa i ka vetëm edhe Peja. Po ashtu për herë të parë po luan në FIBA Europe Cup.

“Shihet që liga është garuese dhe skuadrat kanë cilësi të përafërt. Për ne me rëndësi është që jemi në ecuri të mirë, në ritëm të mirë. Kemi mposhtur së fundi dy prej skuadrave kryesore dhe kjo është shumë pozitive për ne. Kemi mposhtur kampionen, Trepçën, në shtëpinë e saj, e më pas në shtëpinë tonë fituam bindshëm edhe ndaj Prishtinës, skuadrën me sukseset më të mëdha në të kaluarën. Këto fitore janë pozitive, shërbejnë shumë, por ka edhe shumë e shumë ndeshje. Pasi luajmë edhe në FIBA Europe Cup, synimet i kemi vetëm për ndeshjen e ardhshme. Është shumë herët për të menduar për ndonjë synim të madh apo final”, ka thënë Jovoviq të hënën për KOHËN.

Tifozët prizrenas shpresojnë shumë që ky është edicioni në të cilin Bashkimi do ta fitojë titullin.

Entuziazmi i tyre duket i madh. Por Jovoviq refuzon të lëshohet në parashikime. Ai e di që skuadrat në Kosovë bëjnë shumë ndryshime gjatë edicionit dhe nuk e di cila do të jetë forca e skuadrave kur vendoset për trofe.

“Me skuadrën që kam në dispozicion jam i kënaqur. Nuk i ndajë lojtarët në vendorë e të huaj. Ne jemi një skuadër, funksionojmë si skuadër dhe mund të them se kemi ekip të mirë. Natyrisht llogarisim shumë në përkrahjen e tifozëve, që po na shtyjnë vazhdimisht përpara”, ka theksuar trajneri i prizrenasve.

Në FIBA Europe Cup, Bashkimi ka humbur tri ndeshjet e deritashme. Në udhëtim pësoi nga Cibona në Kroaci dhe nga Reggiana në Itali. Javën e kaluar humbi në Prizren nga skuadra franceze, Dijon.

“Po e shohim që edhe Trepça, që ka përvojë disavjeçare, po ka vështirësi në FIBA Europe Cup. Ne ende nuk e kemi përvojën për këtë nivel garash, ndërsa në grup kemi klube nga vende që janë superfuqi të basketbollit si Franca e Italia. Po ashtu e kemi në grup Cibonën, klubin e famshëm kroat.

Të tri skuadrat kanë bazë të mirë me lojtarë vendorë cilësorë, ndërsa mundësitë financiare i kanë për të angazhuar lojtarë të huaj më të mirë se që i kemi ne. Është mëkat që nuk kemi fituar në shtëpi ndaj Dijonit, pasi rastin e kishim”, ka thënë Igor Jovoviq.

Të martën prej orës 19:00, Bashkimi e pret në “Sezai Surroi” skuadrën e famshme kroate, Cibona. Cibona ka fituar tri ndeshjet e deritashme dhe llogaritet favorite e madhe.

“Ardhja e Cibonës në qytetin tonë është gjë e madhe për basketbollin kosovar në përgjithësi, për popullaritetin e basketbollit në Kosovë. E presim gjigantin kroat, që ka traditë shumë të pasur dhe skuadër cilësore. Do të japim më të mirën, por nuk do të jetë lehtë”, ka theksuar trajneri nga Mali i Zi.
Bashkimi është thuajse pa gjasa për të avancuar në fazën e dytë. Por secila fitore eventuale në skenën evropiane, do të ishte me vlerë shumë të madhe për prizrenasit.