Fundori amerikan Wendell Green Jr ishte në formacionin e Bashkimit për ndeshjen e së dielës ndaj Trepçës në Prizren. Por Green, që është prej lojtarëve më të rëndësishëm të prizrenasve, nuk u paraqit fare në ndeshje. Mungesa e tij ndikoi që Bashkimi të mposhtet bindshëm, 88:71, në finalen e tretë të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll.
Trepçës tani i duhen edhe dy fitore për ta siguruar titullin e kampionit. Bashkimit edhe tri. Por Trepça tani e ka përparësinë e terrenit vendas.
Mosparaqitja e Wendell Greenit në ndeshjen e së dielës ka bërë që të ketë raportime se ai ka munguar për shkak se doli pozitiv në testin për doping. Por këtë e mohoi të hënën Bashkimi. Edhe Agjencia e AntiDopingut e Kosovës ka mohuar ta ketë testuar fundorin amerikan të Bashkimit.
“Si KosADA nuk e kemi testuar sportistin në fjalë për doping dhe rrjedhimisht nuk kemi asnjë test pozitiv për të”, ka thënë Bernard Tahirbegolli, koordinator i KosADA.
Në një postim të bërë të hënën, Bashkimi ka njoftuar se Green mungoi për shkak të një gripi e jo për arsye tjetër.
“Theksojmë se Wendell Green nuk është testuar asnjëherë për doping dhe çdo spekulim në këtë drejtim është i pabazë dhe i pavërtetë. Pas një rikuperimi të shpejtë, Wendelli tashmë është mirë dhe do të jetë plotësisht i gatshëm për ndeshjen e radhës, të mërkurën në Mitrovicë”, ka shkruar Bashkimi.
Loja e Bashkimit është shumë e bazuar në amerikanët e skuadrës. Green është prej kryesorëve. Ai e organizon lojën e prizrenasve dhe po ashtu shënon shumë pikë në shumicën e ndeshjeve. Në finalen e parë kishte shkëlqyer me 22 pikë, por kishte paraqitje të zbehtë në ndeshjen e dytë në Mitrovicë.