Go+Peja e ka fituar derbin e xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Peja e mposhti Sigal Prishtinën me rezultat 95:90.
Ndeshja nisi në praninë e pak shikuesve, ndërsa përfundoi në palestër të zbrazët. Në fakt ndeshja zgjati shumë më tepër se që zgjat një ndeshje basketbolli. Pjesa e dytë nisi me më shumë se një orë vonesë. Pasi në palestër nuk kishte policë, gjyqtarët kanë refuzuar të vazhdojnë ndeshjen. Dhe ndeshja vazhdoi vetëm pasi u larguan të gjithë shikuesit nga palestra dhe pasi policët erdhën. Sipas Pejës, largimi i tifozëve është bërë për kërcënim ndaj gjyqtarëve.
“GO+ Peja është e gatshme që ta vazhdojë ndeshjen, mirëpo gjyqtarët dhe delegati i ndeshjes kanë vendosur që takimi nuk do të vazhdojë derisa të arrijnë forcat e Policisë në sallë dhe të zbrasin sallën. Kërcënimet ndaj referëve kanë shtyer deri te ky vendim”, ka njoftuar Peja gjatë pauzës së stërgjatur.
Peja e mbylli çerekun e parë me epërsi prej katër pikëve, 24:20. Ky dallim i pikëve u ruajt pas çerekut të dytë që përfundoi 24:24. Peja rriti avantazhin edhe për dy pikë të tjera në çerekun e tretë, që përfundoi 22:20.
Në minutat e fundit Prishtina u afrua në rezultat, por mysafirët megjithatë mbajtën epërsinë për tjetër fitore të rëndësishme në Superligë.
Cesare Edwards udhëhoqi Pejën me 21 pikë, 10 kërcime e tri asistime. Tajh Green e përfundoi ndeshjen me 20 pikë, tetë kërcime e dy asistime. Jordan Johnson e ndihmoi fitoren me 15 pikë, tri kërcime e tri asistime. Prej vendorëve, Dardan Berisha i kishte nëntë pikë, Musab Mala i shtoi shtatë pikë, katër asistime e tri kërcime, ndërsa Malcolm Armstead realizoi nëntë pikë e gjashtë asistime.
Lamb Autrey ishte më i miri te Prishtina me 16 pikë, tetë asistime e pesë kërcime. Adrio Bailey i kishte 19 pikë e shtatë kërcime.
Peja ka pesë fitore rresht, ndërsa Prishtina e pësoi humbjen e dytë pas serisë fillestare prej tri fitoreve.