Amerikani Shanon Shorter jep përgjigje shumë të shkurtër në pyetjen se cilat janë pritjet e tij për finalen e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll në mes të Trepçës dhe Bashkimit.
“Pritjet e mia janë fitorja”, ka thënë Shorter të premten për KOHËN. Ai po e udhëheqë skuadrën prizrenase të Bashkimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBashkimi e prezantoi amerikanin me përvojë më 27 dhjetor. Shpejt 36-vjeçari u bë bartës i lojës së skuadrës prizrenase. Madje ka vendosur disa prej ndeshjeve të rëndësishme.
Seria finale e plejofit mes Trepçës e Bashkimit fillon të dielën mbrëma. Ndeshja e parë luhet nga ora 19:30 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Trepça do të jetë vendase edhe në ndeshjen e shtatë eventuale, për shkak se e përfundoi stinorin e rregullt në vendin e parë, kurse Bashkimi në të dytin. Skuadra që shënon katër fitore, shpallet kampione.
Në gjysmëfinale, Bashkimi e eliminoi Borën e Prishtinës. Fitoren për 3:2 e shënoi të mërkurën mbrëma në Prizren. Shorter ishte më i dalluari në fitore 100:76, duke i realizuar 20 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime. Ai ka shkëlqyer edhe në ndeshjet tjera të plejofit.
Shorter është i kënaqur me formën aktuale të skuadrës.
“Mendoj se që nga ndeshja me Prishtinën në stinorin e rregullt jemi kthyer në rrugën e duhur si ekip. Seria gjysmëfinale na ka testuar vërtetë mendërisht. Mirënjohje për Borën, është ekip vërtetë i talentuar”, ka theksuar Shorter.
Trepça ka dominuar në basketbollin kosovar në vitet e fundit. Vlerësohet favorite në serinë finale të plejofirt, por amerikani Shorter pret ndeshje të forta.
“Faktori vendimtar do të jetë se cila skuadër do të imponojë dëshirën e saj ndaj ekipit tjetër. Ndeshjet do t’i marrim njërën pas tjetrës dhe pres që secila ndeshje të dallojë nga e kaluara. Detajet, topat 50-50, komunikimi, topat e humbur. Gjërat që syri i shikuesit të thjeshtë nuk i vëren, do ta vendosin kampionin”, ka thënë Shorter.
Arritja në finale të plejofit ka bërë që lojtari i gjatë 193 centimetra të jetë i kënaqur me kontributin personal.
Shorter po luan në Superligë me mesatare prej 18,4 pikëve për ndeshje, 5 kërcimeve e 2,7 asistimeve.
“Arsyeja e vetme që më bën të them se jam i kënaqur me kontributin personal është pasi kemi fituar rastin të garojmë për kupë të kampionit. Mendoj se kjo do të thotë se kam pasur ndikim në ekip”.
Pas karrierës në NCAA në SHBA, Shorter e nisi karrierën si basketbollist profesionist te Guerreros në Meksikë, në edicionin 2012/13. Ka luajtur edhe në Argjentinë, Izrael, Japoni, Turqi, Francë, Australi, Kore të Jugut, Greqi dhe në Kroaci. Para transferimit te Bashkimi sërish ishte në Meksikë. Më së gjati ka luajtur për Splitin në Kroaci.
Ka fituar trofe me Splitin dhe në Kore të Jugut, ndërsa ishte shënuesi më i mirë në Ligën ABA në vitin 2022, sa ishte te skuadra kroate.
Shorter e veçon përvojën e parë si profesionist. Ai thotë se gjithnjë qëndron me këmbë në tokë dhe është shumë mirënjohës dhe falënderues. E veçon edhe titullin e parë të kampionit dhe përvojën gjatë kampanjës që përfundoi me trofe.
Para se të vinte në Kosovë, nuk e ka ditur se Superliga është kaq garuese.
“Jam shumë i kënaqur me përvojën në Kosovë. Liga është garuese dhe këtë nuk e kam ditur fillimisht. Vërtetë e kam shijuar kohën time këtu”, thotë Shorter.
Tifozët e Bashkimit po e presin titullin e kampionit prej vitit 2018. Dhe prej Shorterit presin shumë në serinë finale të plejofit.
“Është ‘fito apo vdis’ për mua. E di që bashkëlojtarët e mi janë të entuziazmuar për mundësinë. E tillë është jeta, e gjitha që mund të kërkosh është një mundësi”, ka thënë Shanon Shorter.