Një tjetër ndeshje dramatike kanë luajtur Bashkimi dhe Trepça në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të dielën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, fitore shënoi Trepça me rezultatin e ngushtë, 84:80. Për Trepçën është fitorja e tretë në finale nga po aq ndeshje të luajtura. “Xehetarëve” u duhet edhe një fitore për ta siguruar titullin e kampionit. Edhe ndeshja e katërt luhet në Prizren, të mërkurën nga ora 19:30.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPjesa e parë u takoi plotësisht mitrovicasve. Pas 20 minutave rezultati ishte 41:31 në të mirë të Trepçës. Bashkimi nisi të reagojë në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 23:16.
Në mesin e çerekut të fundit Bashkimi kaloi në epërsi 63:62 e më pas edhe 68:64. Por epërsia e prizrenasve nuk qëndroi shumë. Mysafirët u kthyen në 70:69.
Një minutë e gjysmë para fundit rezultati u barazua në 72:72. Sek Henry më pas realizoi për 75:72 në të mirë të Trepçës. Deri në fund u shkëmbyen gjuajtje të lira, por mitrovicasit nuk e lëshuan epërsinë për hap gjigant drejt titullit të kampionit.
Kenny Hasbrouck u dallua te Trepça me 22 pikë. Dardan Kapiti kontribuoi me 14 pikë e nëntë kërcime.
Te Bashkimi statistikat më të mira i kishte Shanon Shorter. Ai e mbylli ndeshjen me 25 pikë, pesë kërcime e tri asistime. Por kthimin e pjesës së dytë e udhëhoqi Jalen Riley, që ndeshjen e përfundoi me 21 pikë.
Në fund të ndeshjes në parket u hodhën disa mjete shpërthyese. Një prej mjeteve të hedhura ka goditur njërin prej gjyqtarëve të huaj.
Skuadra që i shënon katër fitore shpallet kampione. Dhe Trepça është shumë pranë për ta fituar titullin e tretë rresht dhe për ta vazhduar dominimin e plotë në basketbollin kosovar. Skuadra e Adis Beqiragiqit e mposhti Bashkimin në finale të Kupës dhe e mposhti po ashtu në tri prej katër ndeshjeve të stinorit të rregullt. Seria e fitoreve të Trepçës ndaj Bashkimit tani ka arritur në shtatë.
Trepça me epërsi bindëse pas pjesës së parë
Në Prizren po luhet finalja e tretë e plejofit në basketboll mes Bashkimit dhe Trepçës.
Tashmë ka përfunduar pjesa e parë, kurse skuadra mitrovicase ka krijuar epërsi bindëse, 41:31.
Kenny Hasbrouck ka udhëhequr Treçën me 16 pikë. Dardan Kapiti i ka tetë pikë e katër kërcime.
Te Bashkimi më i miri është Shanon Shorter me 15 pikë e tri kërcime.