Në atmosferë të zjarrtë, në praninë e mbi 3000 shikuesve, Trepça e ka bërë hapin e parë drejt titullit të ri të kampionit të Kosovës në basketboll.
Të dielën mbrëma, Trepça e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultatin bindës, 94:79.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIshte kjo finalja e parë e plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Ndeshja e dytë luhet sërish në “Minatori”, të mërkurën nga ora 19:30. Ndërkohë për titull të kampionit kërkohen katër fitore.
Trepça ishte në epërsi shumicën e kohës dhe ka vazhduar dominimin ndaj Bashkimit. Këtë edicion mitrovicasit i kanë katër fitore ndaj prizrenasve, duke llogaritur edhe atë në finale të Kupës.
Çereku i parë i ndeshjes së luajtur të dielën përfundoi 22:18 për “xehetarët”. Në çerekun e dytë Bashkimi reagoi dhe kaloi në epërsi. Por “ndezi” Mustapha Amzil dhe falë kontributit të tij Trepça shkoi në pushim me epërsi prej plot 12 pikëve. Pas 20 minutave rezultati ishte 52:40.
Çereku i tretë i takoi Bashkimit, por rezultati 22:19 nuk rrezikoi epërsinë e skuadrës së Adis Beqiragiqit. Përvoja e mitrovicasve erdhi në shprehje në çerekun e katërt. Trepça menaxhoi lojën, duke mbajtur epërsi bindëse deri në fund. Epërsia e Trepçës vazhdimisht ishte dyshifrore.
Amzil shkëlqeu te Trepça me 21 pikë e plot 14 kërcime.Kenny Hasbrouck i kishte 22 pikë, katër kërcime e pesë asistime. Lojë të mirë kishte edhe Dardan Kapiti që kontribuoi me 16 pikë e gjashtë kërcime. 11 pikë e tetë kërcime i kishte Shawn Jones.
Shanon Shorter i realizoi 27 pikë për Bashkimin. Ai i kishte edhe tri kërcime. Ike Nwamu i kishte statistikat më të mira te prizrenasit me 17 pikë e tri kërcime. Bashkimi në fakt kishte telashe të mëdha në kërcime dhe u dominua në këtë element të lojës.
Trepça po e kërkon titullin e shtatë në histori dhe të tretin rresht. Bashkimi titullin e vetëm deri më tani e ka fituar në vitin 2018.
Finalja e parë u zhvillua në atmosferë të shkëlqyer dhe pa asnjë problem. Trepça të shtunën njoftoi se secili tifoz në palestër do ta ketë dhuratë nga një bluzë me mëngë të shkurtra për suksesin e përbashkët të këtij edicioni. Dhe suksesi i tyre nuk duket se do të ndalet shpejt.
Trepça në epërsi prej 12 pikëve pas pjesës së parë
Në atmosferë të shkëlqyer, në praninë e mbi 3000 shikuesve, në “Minatori” po zhvillohet finalja e parë e plejofit mes Trepçës dhe Bashkimit.
Pas 20 minutave lojë Trepça është në epërsi me rezultat 52:40.
“Xehetarët” kanë shpërthyer në minutat e fundit për epërsi bindëse.
Te Trepça po dallohet Mustafa Amzil, që i ka 13 pikë e pesë kërcime. Dardan Kapiti ka kontribuuar me 11 pikë e katër kërcime.
Shanon Shorter i ka 18 pikë e dy kërcime te Bashkimi, derisa Ike Nwamu ka 13 pikë e dy kërcime.