Basketboll

Trepça përballet me kampionin holandez në Champions

Kb trepca

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, ka mësuar të mërkurën kundërshtarin e parë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Në çerekfinale të raundit kualifikues, Trepça do të përballet me skuadrën e madhe holandeze, Heroes Den Bosch. Në shortin e fazës kualifikuese Trepça ishte në vazon e tretë, ndërsa Den Boschi në vazon e dytë. Gjithsej ishin katër vazo.

Prej tetë skuadrave që janë në një grupin kualifikues, vetëm njëra do të kualifikohet në stinorin e rregullt të Championsit. Bëhet fjalë për tetë skuadra kampione të vendeve të tyre dhe rruga e Trepçës nuk është e lehtë.

Nëse e mposht Den Boschin, Trepça në gjysmëfinale të turneut kualifikues do të përballet me Bakken Bears të Danimarkës apo Kutaisin e Gjeorgjisë.

Nëse e kalon edhe gjysmëfinalen, skuadra mitrovicase në finale të raundit kualifikues do të përballet me njërën prej këtyre katër skuadrave: Patrioti Levice të Sllovakisë, AEK Larnaca të Qipros, Kalev/Kramo të Estonisë apo Rilski Sportist të Bullgarisë.

FIBA ende nuk ka njoftuar se ku do të zhvillohen ndeshjet e fazës kualifikuese. Ndeshjet do të zhvillohen në fund të shtatorit, por orari i saktë do të caktohet më vonë këtë muaj.

Trepça për herë të dytë garon në Champions. Vjet në çerekfinale e eliminoi Keravnosin qipriot, por u ndal në gjysmëfinale të turneut kualifikues nga Nymburku çek. Ndeshjet ishin zhvilluar në Turqi.

Më pas “xehetarët” kishin vazhduar në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup ku i kishin humbur të gjitha ndeshjet në grup me Ludwigsburgun e Gjermanisë, Dijonin e Francës dhe Caledonia Gladiators të Britanisë së Madhe.

Në gara evropiane Trepça ka debutuar në edicionin 2022/2023. Ishte ndalur nga Gottingeni gjerman në raundin kualifikues të FIBA Europe Cup. Në edicionin 2023/2024 në raundin kualifikues të FIBA Europe Cup kaloi Tindastollin e Islandës dhe skuadrën Parnu Sadam nga Estonia. U kualifikua në stinorin e rregullt ku kishte një fitore e tri humbje, pa ia dalë të avancojë tutje.

Këtë edicion mitrovicasit shpresojnë të kenë sukses në Champions, ndërsa nëse eliminohen do të vazhdojnë në FIBA Europe Cup.

Heroes den Bosch është kampion i Holandës. Ka plot 18 tituj të Holandës, që është rekord. Den Boschi vjet ishte ndalur në çerekfinale të turneut kualifikues të Championsit. Kishte pësuar 92:72 nga skuadra turke Petkim. Nuk kishte vazhduar në FIBA Europe Cup.

Në edicionin 2023/2024 të FIBA Europe Cup, Den Boschi ishte në grup me Pejën. Peja kishte përfunduar e treta e Den Boschi i katërti. Peja kishte fituar 99:84 në ndeshjen si vendase, ndërsa kishte pësuar 109:91 në Holandë.

Den Boschi, njëjtë si skuadrat kosovare, bazohet shumë në basketbollistët amerikanë.

Ky është edicioni i dhjetë i Champions Leagues, garës kryesore të FIBA-s për klubet evropiane të basketbollit. Ende klubet më të mira evropiane garojnë në Euroligë dhe EuroCup, që është organizim paralel.

Por Champions League e FIBA-s po fiton rëndësi gjithnjë e më të madhe në basketbollin evropian.