Basketboll

Trepça “shkrin” Borën dhe del në vend të parë

Trepça

Kampionia në fuqi, Trepça, është lidere e re në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të martën mbrëma në “Minatori”, në praninë e pak shikuesve, Trepça e mposhti Borën e Prishtinës me rezultatin bindës, 90:72.

Ishte kjo ndeshje e mbetur e xhiros së pestë të Superligës. Bora ishte vendase, por ndeshja u luajt në Mitrovicë.

“Xehetarët” shpërthyen në çerekun e tretë për të bërë shkëputjen e madhe. 

Çereku i parë përfundoi 21:16 për Borën. Pas pjesës së parë rezultati ishte 39:36 për Trepçën. Çereku i tretë përfundoi 38:11 në të mirë të mitrovicasve, dhe kështu sfida u vendos. Çereku i katërt ishte më shumë formalitet.

Ja’cori Payne udhëhoqi Trepçën me 17 pikë, nëntë asistime e katër kërcime. Mikaile Tmushiq po ashtu kishte lojë të mirë. I ralizoi 14 pikë, ndërsa i shtoi edhe pesë kërcime, pesë asistime e gjashtë topa të rrëmbyer. Drilon Hajrizi i kishte 20 pikë. 

Te Bora, Shaquan Jules i realizoi 25 pikë e 11 kërcime. Amin Hot i kishte 17 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime. 

Bora ishte në seri prej katër fitoreve, por ishte pa gjasa ndaj Trepçës. 

Trepça tani i ka tetë fitore e tri humbje dhe me 19 pikë udhëheq në tabelë. Bashkimi e Peja i kanë nga 18 pikë. Bora ka bilanc prej pesë fitore e gjashtë humbje. Me 16 pikë është në mesin e tabelës.

Superliga vazhdon menjëherë të mërkurën me dy ndeshjet e para të xhiros së 12-të. Nga ora 18:45 janë ndeshjet GO+ Peja – Sigal Prishtina dhe Vëllaznimi – Rahoveci. Të enjten prej orës 18:45 janë ndeshjet Bashkimi – Golden Eagle Ylli dhe Trepça – Bora. 

Pra dy skuadrat që u takuan të martën, luajnë tjetër ndeshje të enjten, në arenën e njëjtë.