Basketboll

Vazhdon pritja e Prishtinës për titull tjetër të kampionit

KB Prishtina

Me 14 tituj të kampionit, Sigal Prishtina është bindshëm klubi më i suksesshëm i basketbollit në vend. Por pritja e Prishtinës për titullin e 15-të vazhdon ende dhe për kohë të gjatë.

Skuadra prishtinase është ndalur në gjysmëfinale të plejofit në edicionin 2024/2025 të Superligës së Kosovës në basketboll. Pësoi 3:1 nga Trepça, kampionia në fuqi. Humbjen e tretë skuadra e kaltër e pësoi të mërkurën mbrëma para tifozëve të saj.

Prishtina ishte vazhdimisht në ndjekje të rezultatit në këtë ndeshje. Kishte epërsi vetëm 3:2 në fillim të takimit, ndërsa në fund të çerekut të dytë barazoi 42:42 e 45:45. Në kohën tjetër skuadra mitrovicase ishte në epërsi. Në fund, Prishtina u afrua në dy pikë, por pa rrezikuar seriozisht fitoren e mysafirëve.

Prishtina ndeshjen e parë në “Minatori” e kishte humbur 80:65. Reagoi në gjysmëfinalen e dytë, të cilën e fitoi 90:83. Sërish humbi në “Minatori”, 67:61, pas të cilës ndeshje akuzoi gjyqtarët e huaj se ia vodhën fitoren. Prishtina kontestoi një treshe të Tekele Cottonit të Trepçës. Komisionet e FBK-së konfirmuan që ajo treshe ishte shënuar pas fundit të kohës së lejuar për aksion, por duke u bazuar në rregullore, vendosën që të mbetet rezultati i fushës së lojës.

Në çerekfinale të plejofit, skuadra prishtinase e eliminoi Vëllaznimin, 2:1.

Për Prishtinën ishte një tjetër edicion i kaluar në kërkim të stabilitetit. Edicionin 2024/2025 e nisi me humbje në udhëtim nga Proton Cable Prizreni. Rrugës pësoi humbje edhe nga Bora e po ashtu nga skuadrat e tjera. Në janar, shkurt dhe në dy javët e para të marsit kishte seri impresive të fitoreve, por sërish i pësoi disa humbje dhe mbeti e treta në fund të stinorit të rregullt. Bilanci i saj ishte 17 fitore e 11 humbje.

Dështoi ta fitonte edhe Ligën Unike, duke pësuar nga Vëllaznimi në finale. Edhe ajo ndeshje ishte zhvilluar në Prishtinë.

“Prishtina ka buxhet 5-6 herë më të madh se klubi ynë”, kishte thënë trajneri i Vëllaznimit, Jeronimo Sharin, pas triumfit në Ligën Unike.

Paratë pra nuk janë problem për Prishtinën. Vjet, sipas raportit zyrtar të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sigal Prishtina përfitoi 907 mijë e 400 euro nga marrëveshjet e sponsorizimit. Ishte prej klubeve që kanë përfituar më së shumti.

Edhe lojtarët e huaj ishin me bollëk te Prishtina. Në plejof, Prishtina i kishte vazhdimisht pesë të huaj në përbërje. Nën kontratë i kishte gjashtë. Në ndeshjen e fundit, për shembull, nuk ishte i grumbulluar Josh Nzekor, për shkak të kufizimit që pesë të huaj të jenë në 12-she. Por jo gjithnjë të huajt ofruan atë që tifozët prishtinas pritën prej tyre.

Sa u takon vendorëve, Prishtina kishte në ekip disa me përvojë të madhe e po ashtu disa të rinj me potencial të madh. Muhamedali Janjeva e Jon Ismajli janë reprezentues të Kosovës, ndërsa Daniel Lekndreaj, që luan si vendor, është prej lojtarëve kryesorë të Shqipëria. Tifozët e Prishtinës kanë pritur kontribut më të madh edhe nga vendorët, sidomos në serinë gjysmëfinale me Trepçën. Vendorët e ekipit mitrovicas kanë përgjegjësi dukshëm më të madhe se vendorët e Prishtinës.

Në ndeshjen e së mërkurës, lojtarët vendorë të Prishtinës i realizuan 22 pikë, ndërsa vendorët e Trepçës i kishin 31 pikë.

Prishtina e nisi edicionin me turkun Murat Bilge si kryetrajner. Por në fazën përfundimtare të garës ndau rrugët me të. Bilgen e zëvendësoi me Albert Sylejmanin, kurse vetëm pak ditë më pas e angazhoi spanjollin me përvojë, Paco Olmos. Olmos erdhi me ndihmës po ashtu të huaj, por nuk ia doli ta kualifikojë skuadrën prishtinase në finale.

“Jam i dëshpëruar, më vjen keq për tifozët. Na kanë shtyrë, na kanë ndihmuar tërë kohën. E falënderoj klubin për kohën. Momentalisht nuk e di se çka do të ndodhë në të ardhmen. Jam ndier shumë mirë këtu. Tani është koha të mendojmë se çka ndodhi dhe të mendojmë se si të përmirësohemi për kampionatin e ardhshëm”, ka thënë Olmos.

Prishtina e përfundoi edicionin 2024/2025 pa trofe të fituar. Në garën për Kupë u ndal në gjysmëfinale, ndërsa në Superkupë të Kosovës humbi në finale.

Titullin e fundit të kampionit, Prishtina e ka fituar në vitin 2019. Edicioni 2019/2020 u ndërpre për shkak të pandemisë së koronavirusit. Më pas dy tituj rresht i fitoi Golden Eagle Ylli. Në vitin 2023 kampione ishte Peja, ndërsa në edicionin e kaluar Trepça. Kupën e Kosovës, Prishtina për herë të fundit e fitoi në vitin 2021.