“Betimi për Drejtësi sjell hulumtimin mbi procesin e këmbimit të një prone komunale në vlerë afër 2 milionë euro në qytetin e Pejës.
A ka dhënë komuna këtë pasuri në funksion të një skeme të kurdisur për interes perivat?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSi u kthye parcela nga rajon ujor në tokë ndërtimore me një vendim të Ekzekutivit komunal?
Cili është arsyetimi i kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri?
Si përfundoi prona në një proces këmbimi me një kompani private?
A ishin në dijeni pronarët privatë për shkëmbimin e pronave të tyre me Komunën e Pejës?
Kush mori paratë nga tregtarët edhe para miratimit zyrtar nga Komuna e Pejës?
Pse MAPL e vlerësoi vendimin e Komunës së Pejës si të kundërligjshëm?
Komuna votoi për këmbimin e pronës milionëshe, pavarësisht kontestit gjyqësor me familjen Mataj
Emisioni hulumtues me titull “Nga Ujë në Beton: Dyshime për kurdisje të këmbimit të pronës milionëshe nga Komuna e Pejës”, zbuloi një skemë të dyshimtë të këmbimit të një prone afër 2 milionëshe në Komunën e Pejës. Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Dhe, një pronë që nga “rajon ujor”, u kthye në “tokë ndërtimore” me një vendim të ekzekutivit komunal, e për të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI) thotë se këto prona shoqërore ujore (P.Sh “Ujërat”) janë nën administrimin e tyre dhe se çdo veprim apo shfrytëzim i tyre është i jashtëligjshëm.
Pikërisht, për një pjesë të kësaj prone, Komuna e Pejës është paditur edhe nga familja Mataj.
Sipas, Fatmire Mataj-Vokshi, ka 60 vjet që familja saj jeton në këtë shtëpi.
“Babai im kur ka qenë gjallë ma ka lënë amanet, unë tash kryefamiljare, babai im ka thënë “çika jeme e kemi pasë shtëpinë te Xhemajl Kada” edhe aty i kanë thënë komuna se do me ra shkolla, me u ndërtu dhe i kanë thënë po ta marrim këtu dhe po të qojmë këtu, ku e kemi shtëpinë edhe janë marrë vesh. Qe ku e kam skicën, krejt dokumentet i kam që ka qenë shtëpia e babait tim. Tash kryetari thotë janë uzurpator”, ka thënë Fatmire Mataj-Vokshi.
Familja Mataj, kishte parashtruar padi më 4 prill 2022, për vërtetim të drejtës së pronësisë. Por, më 16 dhjetor 2025, Gjykata Themelore në Pejë ka hudhur poshtë këtë padi.
Gjykata, nuk kishte arritur ta trajtojë me kohë propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, andaj seanca dëgjimore është mbajtur më 29 tetor 2025.
Ndërkaq, pas mbajtjes së seancës më 6 nëntor 2025 bashkë me ekspert gjyqësor të gjeodezisë ishte vërtetuar gjendja faktike.
Dhe, pas pranimit të ekspertizës së gjeodezisë së datës 18 nëntor 2025, gjykata me aktvendim i’a kishte kthyer paditësit padinë për plotësim dhe korrigjim. Mirëpo tutje, sipas aktgjykimit të gjykatës, paditësi nuk ka vepruar në kuptim të vërejtjeve sepse nuk ka bërë precizimin e kërkesëpadisë, por vetëm për masën e sigurisë dhe si pasojë lënda është hudhur.
Por, familja Mataj, ka bërë sërish padi më 24 dhjetor 2025 ndaj Komunës së Pejës, për vërtetim pronësie.
“Unë kërkoj prej Gjykatës, që gjykata le ta merr vendimin e drejtë, ja kom dërgu krejt dokumentet gjykatës me i pasë, krejt me kunorizim e krejt”, u shpreh tutje Mataj-Vokshi.
Banorët e kësaj lagje, duke përfshirë edhe familjen Mataj, kishin bërë peticion në Komunë dy ditë para se të votohej për këmbimin e pronës.
Në peticionin që u nënshkrua nga 33 persona, kërkohej që në parcelën që do votohej për këmbim të bëhej ndonjë park dhe jo banesa.
Një pronë publike me vlerë rreth 2 milionë euro u kthye nga “rajon ujor” në “tokë ndërtimore” dhe përfundoi në një proces këmbimi që kontestohet edhe për ligjshmërinë e tij. Veprimet paraprake, koha e blerjes së ngastrave dhe shfrytëzimi i hapësirës para miratimit formal hedhin hije të forta dyshimi mbi gjithë procedurën.
“I ndërrojmë edhe se vesim kërkond”, kryetari Muhaxheri për ndryshimin e tokës nga ujore në ndërtimore
Hulumtimi disamujor i “Betimi për Drejtësi”, zbuloi një proces të dyshimtë të këmbimit të një prone komunale në Pejë me vlerë afër 2 milionë euro. Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Një pronë që nga “rajon ujor”, u kthye në “tokë ndërtimore” me një vendim të ekzekutivit komunal, e për të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI) thotë se këto prona shoqërore ujore (P.Sh “Ujërat”) janë nën administrimin e tyre dhe se çdo veprim apo shfrytëzim i tyre është i jashtëligjshëm.
Në aktvendimin e Drejtorisë për Çështje Pronsoro-Juridike, të datës 25 tetor 2019, janë gjithsej 32 parcela që janë evidentuar si Pronë Shoqërore “Ujërat”, e që nga destinimi i ujërave, të njëjtat u shndërruan në tokë ndërtimore.
Në vendimin e 2019-ës, ishte e përfshirë edhe prona që u miratua për këmbim më 17 prill 2025 në Kuvendin Komunal të Komunës së Pejës.
Betimi për Drejtësi, ka marrë edhe një version të kryetarit Gazmend Muhaxheri në lidhje me propozimin dhe votimin e këmbimit të pronës afër dy milionshe.
Intervistë: Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës në Pejë
Gazetarja: Përshëndetje kryetar, si je? Shpresa, gazetare prej Betimit për Drejtësi.
Muhaxheri: Po?
Gazetarja: Nëse ka mundësi veç dy – tre pyetje. Ju kemi telefonu edhe gjatë ditës së djeshme…
Muhaxheri: Jo. Jo nuk ka hiç, nuk ka hiç.
Gazetarja: A mundeni me na tregu me 17 prill e keni këmby një pronë…
Muhaxheri: Jo kurgjo, hiç kurgjo s’mundem..
Gazetarja: Një pronë, tek ish – Ambienti, në të cilën jeton edhe familja Mataj. A mundeni me na tregu se mbi çfarë baze…
Muhaxheri: Jo nuk është këmby, s’është këmby
Gazetarja: Pse nuk është këmby? Po ju e keni votu.
Muhaxheri: E kemi votu, por s’janë kry procedurat
Gazetarja: E pse e keni qitë në votim, a mendoni që është e kundërligjshme?
Muhaxheri: Sepse është pronë komunale
Gazetarja: A mendoni që është e kundërligjshme?
Muhaxheri: Jo
Gazetarja: Pse?
Muhaxheri: Pse është pronë komunale
Gazetarja: Ideja është që Ministria e Mjedisit, po thotë që ajo pronë është në “P.sh Ujërat”, e që pastaj është në dikasterin e tyne me vendos…
Muhaxheri: Jo jo, nuk është. Në “Psh Ujërat”, në zonën urbane i takojnë Komunës së Pejës edhe s’kanë plotësisht të drejtë.
Gazetarja: Po na i kemi dokumentet e Ministrisë, ku dokumentet thonë që ato prona janë të Ministrisë dhe duhen me…
Muhaxheri: Jo nuk janë të Ministrisë, në zonën urbane janë të Komunës edhe s’kanë hiç drejtë edhe kurdush…
Gazetarja: Ministria thotë që pronat që kanë qenë në “Psh Ujërat” i takojnë Ministrisë së Mjedisit
Muhaxheri: “Psh Ujërat” i takojnë Komunës së Pejës në zonën urbane, prej kur hin qyteti e deri kur përfundon janë të Komunës së Pejës edhe i ndërrojmë edhe se vesim kërkond. Për të tjerat shkojmë në Gjykatë..
Gazetarja: Edhe kur Ministria thotë që janë të kundërligjshme?
Muhaxheri: Jo s’ka thënë kurrë edhe s’kanë mujtë më thënë kurrë.
Gazetarja: A keni marrë vendim prej Ministrisë për pronë, e cila është këmby?
Muhaxheri: Po është marrë, është marrë aprovimi jo për këtë po edhe për të gjitha tjerat që i kemi bo.
Gazetarja: Ju se konsideroni si të kundërligjshme?
Muhaxheri: Jo nuk është e kundërligjshme edhe për atë e kemi bo këtë punë, jo vetëm për këtë po edhe për shumë prona tjera.
Gazetarja: A i njihni pronarët të cilëve i’u është këmby prona?
Muhaxheri: Jo, ajo prona nuk është këmby sepse nuk është kry procedura..
Gazetarja: Pronarëve të cilëvë ka me i’u këmby pra në të ardhmen, a i njihni personalisht?
Muhaxheri: Jo.
Gazetarja: Me Qehaj-të, a keni raporte..?
Muhaxheri: Jo s’kom kurrëfare.
Gazetarja: A e dini që ata e kanë përdorë edhe paraprakisht atë pronë..?
Muhaxheri: Se di ajo ka qenë, është Ambient
Gazetarja: E kanë shfrytëzu pikërisht për çështjen e tregut i cili është mbajtë, do të thotë ata kanë marrë pagesë prej personave që kanë ardhë aty për shitje…
Muhaxheri: Ajo pronë.. ata e kanë ish tregun e kanë privatizu edhe kanë mujtë me përdorë ndoshta këto
Gazetarja: Do të thotë ka qenë e privatizume prona..
Muhaxheri: Tek tregu në anën e kundërt, ka ku qenë tregu i qytetit…
Betimi për Drejtësi ka dërguar kërkesë për intervistë dhe informata tek kryetari Gazmend Muhaxheri, Rexhep Kurtbogaj, kryesues i Kuvendit Komunal në Pejë dhe tek Luan Gashi, udhëheqës i sektorit në Drejtorinë për Çështje Pronsoro-Juridike.
Por, në një përgjigje Faik Zekaj, shef i kabinetit të kryetarit, ka thënë se rasti është duke u trajtuar nga institucionet kompetente dhe si rrjedhojë, siç thuhet në shkresën elektronike nuk mund të shpalosen detaje të tjera.
Pronarët e Qehaja Group dyshohet se morën para nga tregtarët për shfrytëzim të pronës pa vendim këmbimi
Emisioni hulumtues me titull “Nga Ujë në Beton: Dyshime për kurdisje të këmbimit të pronës milionëshe nga Komuna e Pejës”, zbuloi një skemë të dyshimtë të këmbimit të një prone afër 2 milionëshe në Komunën e Pejës.
Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Betimi për Drejtësi, duke u bazuar në të dhënat identifikuese të ngastrave kadastrale, kupton se shumica e pronave figurojnë në posedim të Qehaja Group Sh.P.K.
Nga tetë ngastrat kadastrale, kjo kompani vetëm në njërën ka qenë posedues që nga viti 2021, ndërsa tek të tjerat kryesisht figuron si posedues që nga viti 2023 dhe 2024.
Betimi për Drejtësi ka arritur të sigurojë disa videoincizime, në të cilat dyshohet se pronarët e Qehaja Group, kanë shfrytëzuar këtë pronë edhe para se të miratohej për këmbim në Kuvendin Komunal në Pejë.
Parcela afër dy milionëshe gjatë të shtunave shërben si treg dhe sipas video incizimeve dhe bisedave të tregtarëve, ata detyrohen të paguajnë nga 10 deri në 20 euro për shfrytëzim të hapësirës.
Biseda parë mes tregatërve:
Tregtari 1: Koka kanë ka han që thonë në *** të huaj.
Tregtari 2: Sa para po paguan ti?
Tregtari 1: Varet sa je i hapur. (nuk kuptohet) i paguan prej atje deri qetu, 5,7, 8, 10…
Tregtari 2: A vjen Valoni, a vjen Bajrami?
Tregtari 1: Jo, jo vjen ai Valoni mashume ai. Herë njo, herë njo tjetër. Nuk i njoh unë, nuk vi shpesh, vi rrallë shumë. Qa me bo shoku jem.
Tregtari 2: Qe tri vjet tu dhënë pare
Tregtari 1: Aihhh unë (nuk kuptohet).
Bazuar në këtë videoincizim që ka siguruar Betimi për Drejtësi shihet Valon Sadiku, pronar i Qehaja Group, i cili shkon tek tregtarët në radhë, e që dyshohet se nga ta merr paratë për shfrytëzim të pronës së tregut. Ndërkaq, në një bisedë tjetër të tregtarëve, tregohet se si ka funksionuar mënyra e pagesës.
Biseda dytë mes tregatërve:
Tregtari 3: Qetash po i thirri, mos të lashtë tani pa parë e me të thonë mos fol te të tjerët kishe të kam jaran qe (nuk kuptohet). E jo me t’i fshi 14-15 euro në javë.
Tregtari 4: 20
Tregtari 3: Po ty 10, atij 15, dikujt 20.
Tregtari 4: Këta të Gjakovës 20 e kanë.
Tregtari 3: 20 e di, e di.
Tregtari 4: Se nxojnë shumë.
Tregtari 3: Me metër a se di qysh e kanë.
Tregtari 4: Po me metër, me metër.
Kur Valon Sadiku pyetet për këtë çështje gjatë bisedës përmes telefonit, ai ndal telefonatën.
Betimi për Drejtësi, ka siguruar një foto që ishte publikuar nga pronari i Qehaja Group, Valon Sadiku, më 17 tetor 2021 bashkë me kryetarin Gazmend Muhaxheri me mbishkrimin “Deri 2054 ktu jem”.
Por, në bisedë me “Betimi për Drejtësi”, Sadiku mohon të jetë mbështetës i kryetarit.
“Jo, veç si krejt qytetarët (nuk kuptohet)”, thotë Sadiku për raportin me kryetarin Muhaxheri.
Gjatë bisedës me Valon Sadikun, ai thotë se nuk është pronar i kompanisë, porse është vëllai i tij, ndonëse sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, ai figuron si pronar i autorizuar. Ai tha që për të gjitha çështjet rreth shkëmbimit të pronës milionshe të komunës, të flasim me vëllain e tij.
Sadiku, ndonëse tha se do i dërgoj ekipit të Betimit për Drejtësi kontaktin e vëllait, nuk ka dërguar dhe pas kësaj telefonate nuk është përgjigjur më në thirrjet e BpD-së.
Po ashtu, Betimi për Drejtësi, ka dërguar pyetje edhe tek vëllai i tij, por deri në publikimin e emisionit, nuk ka kthyer përgjigje.
Muhaxheri mohon shkelje, MAPL shpall të kundërligjshëm vendimin për këmbim të pronës
Emisioni hulumtues me titull “Nga Ujë në Beton: Dyshime për kurdisje të këmbimit të pronës milionëshe nga Komuna e Pejës”, zbuloi një skemë të dyshimtë të këmbimit të një prone afër 2 milionëshe në Komunën e Pejës. Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Më 17 prill 2025, Kuvendi Komunal në Pejë, kishte disa pika në rend të ditës për shqyrtim. Njëra ndër to, ishte edhe këmbimi i pronës së paluajtshme komunale afër 2 milionshe, me pronarë privatë, e cila gjendet në rrugën Konstantini i Madh apo siç quhet ndryshe prona tek ish-Ambienti. Me 17 vota pro, kuvendi komunal votoi pro propozimit të kryetarit.
Duke pasur parasysh që vendimi i Kuvendit Komunal për këmbim të pronës, sipas procedurave i dërgohet për shqyrtim të ligjshmërisë Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Betimi për Drejtësi ka kërkuar një përgjigje edhe nga ky dikaster.
Ndonëse, kryetari Muhaxheri vlerëson se nuk ka kundërligjshmëri në vendimin e këmbimit të pronës, përgjigja e MAPL-së, e thotë të kundërtën.
Sipas përgjigjes së tyre, thuhet se vendimi i datës 17 prill 2025 mbi miratimin për këmbimin e pronës se paluajtshme të komunës me pronarë privatë është vlerësuar në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.
“Kërkesa për rishqyrtim dërguar komunës së Pejës, i përmban arsyet për të cilat akti është vlerësuar se është kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Komuna e Pejës, nuk ka ndërmarr veprimet e nevojshme, sipas kërkesës se MAPL-së, për harmonizimin e aktit, brenda afatit prej 30 ditësh, prandaj MAPL, aktin në fjalë e ka dërguar në Ministrin e Drejtësisë e cila është kompetente të dërgoj lëndën në gjykatën kompetente siç përcaktohet me nenit 9, pika 4 të Ligjit Nr.08/L-284 Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.
Kuvendi Komunal në Pejë, miratoi vendimin për këmbim të pronës, ndonëse të gjitha pronat e pronarëve në total, nuk arrinin shumën e vlerës së pronës komunale. Dhe, të njëjtit sipas vendimit ishin të obliguar të paguanin diferencën e shumës totale.
MAPL, në arsyetimin e dërguar Komunës së Pejës për kundërligjshmëri të vendimit, thotë se Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton se komunat kanë të drejtë të shesin dhe japin me qira pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme sipas ligjit, me përjashtim të shitjes së tokës e cila rregullohet me ligj të posaçëm.
“Në rastet kur prona e komunës është vlerësuar me çmim më të lartë nga Divizioni për Vlerësimin e Pronave të Paluajtshme për Shpronësim dhe Këmbim në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe kufizimin ligjor që komuna nuk mund ta shes pronën e paluajtshme, MAPL kërkon nga Komuna e Pejës që këmbimi i pronave të realizohet ashtu siç e përcakton ligji në fuqi, që do të thotë se pronat e komunës në aspektin financiar të jenë të barazvlefshme apo me vlerë fininaciare më të ulët se pronat e personave fizik dhe juridik që janë në objekt këmbimi”, thuhet në arsyetimin e MAPL-së dërguar Komunës së Pejës.
Në një përgjigje për Betimi për Drejtësi, Avokatura Shtetërore, ka treguar se sipas kërkesës së MAP-së ka ndërmarrë veprime ligjore lidhur me rastin.
Konkretisht, ky organ me datë 17 korrik 2025 ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Administrative.
Në një përgjigje për Betimi për Drejtësi, zyra për informim dhe komunikim me media e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka thënë se lënda është pranuar më 17 korrik 2025 dhe se gjykata në vazhdimësi vepron sipas lëndëve në bazë të numrit dhe kohës së dorëzuar në gjykatë.
Andaj, lidhur me lëndën në fjalë, siç thuhet në përgjigje ende nuk janë marrë veprimet procedurale, duke marr parasysh se ka lëndë më të vjetra.
Komuna miratoi këmbimin me katër pronarë privatë, vetëm Qehaja Group në dijeni të vendimit
Hulumtimi disamujor i “Betimi për Drejtësi”, zbuloi një proces të dyshimtë të këmbimit të një prone komunale në Pejë me vlerë afër 2 milionë euro. Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Një pronë që nga “rajon ujor”, u kthye në “tokë ndërtimore” me një vendim të ekzekutivit komunal, e për të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI) thotë se këto prona shoqërore ujore (P.Sh “Ujërat”) janë nën administrimin e tyre dhe se çdo veprim apo shfrytëzim i tyre është i jashtëligjshëm.
Në aktvendimin e Drejtorisë për Çështje Pronsoro-Juridike, të datës 25 tetor 2019, janë gjithsej 32 parcela që janë evidentuar si Pronë Shoqërore “Ujërat”, e që nga destinimi i ujërave, të njëjtat u shndërruan në tokë ndërtimore.
Në vendimin e 2019-ës, ishte e përfshirë edhe prona që u miratua për këmbim më 17 prill 2025 në Kuvendin Komunal të Komunës së Pejës.
Bazuar në vendimin për miratim të këmbimit të pronës së paluajtshme komunale, pronat njëra në sipërfaqe me 3413m2 është vlerësuar me 240 euro metri, që në total i bie 819,120.00 euro. Ndërsa, ngastra tjetër, në sipërfaqe prej 3750m2 është vlerësuar me çmim 900,000.00.
Vlera totale për të dy ngastrat kadastrale është 1,719,120.
Tutje, sipas vendimit pronat private të kompanisë Qehaja Group SH.P.K, janë në katër ngastra kadastrale, tri nga to me shtëpi, e që në total bashkë me vlerën e investimeve, arrijnë në 677.075.00.
Ndërsa, pronat private të Shkelzen Gutiqit, përbëhen në tri ngastra kadastrale, që po ashtu janë me shtëpi dhe që bashkë me vlerën e investimeve, në total shuma e tyre arrin 211,660.00.
Dhe, pronat e Raif dhe Ali Kelmendi, janë dy ngastra kadastrale që bashkë me vlerën e investimeve arrijnë në shumën 197,876.00.
Të gjitha pronat e pronarëve në total, arrijnë shumën prej 1.086.611. euro. Ndërsa, vlera totale e pronës së komunës është 1,719,120.
Kështu që, të gjithë pronarët privatë sipas vendimit, obligohen që të paguajnë Komunën për diferencën në shumën prej 632,509.00 euro.
Betimi për Drejtësi, ka kontaktuar me pronarët privatë, për t’i pyetur nëse kanë përfunduar procedurat e këmbimit të pronës, pas miratimit në Kuvend Komunal.
Valon Sadiku, pronar i Qehaja Group sh.p.k, ka thënë se nuk janë përfundur procedurat e shkëmbimit të pronës me komunën.
“Jo, jo. Valla nuk e di se ka qenë shumë kaherë kjo. I kemi pasë disa prona që i kemi pasë të bleme, kena pasë me i ndërtu, por komuna nuk na ka leju me i përfundu ato që janë në interes komunal”, ka thënë Sadiku në një bisedë telefonike.
I pyetur se çfarë është paraparë të bëhet në pronën afër 2 milionëshe që ka votuar për shëkmbim Kuvendi Komunal i Pejës, ai thotë se nuk e di ende.
“S’ja kemi idenë valla, veç na ka ofru komuna ato për me këmby”, u shpreh Sadiku.
Në anën tjetër, Raif Kelmendi, thotë se nuk është në dijeni për shkëmbim pronash, ndonëse Kuvendi Komunal në Pejë kishte votuar për shkëmbim të pronës së tij me atë tek ish-Ambienti.
“Jo, jo s’jam në dijeni për atje. Na kanë thënë që dojnë me marrë se e kanë marrë edhe këtë shtëpinë e kojshive. Tash e jemja ka mbetë në mes, edhe këta e kanë marrë, tash unë kam mbetë diqysh si”, ka thënë Raif Kelmendi.
Tutje Klemendi, thotë se nuk e din për çfarë arsye është këryker prona e tij nga Komuna.
“S’podi pse po i marrin. Jo, jo”, tha Raif Kelmendi.
Tutje, në bisedë me Raif Kelmendin, u përfshi edhe djali i tij, i cili tha se prona nuk do shkëmbehej, por do shpronësohej.
“Kanë bo vlerësim të pronës edhe u mbetë ashtu. Jo ka qenë shpronësim. Nuk e di që kanë përmend diçka me këmbim”, ka thënë djali i Raif Kelmendit.
Ndërsa, sipas Raif Kelmendit, vëllai i tij Aliu, jeton në Angli. Ai tha se nuk ka ndonjë kontakt të tij që mund t’i ofroj ekipit të Betimit për Drejtësi dhe si rrjedhojë komunikimi me Ali Kelmendin nuk është realizuar.
Ndërkaq, pronari privat Shkelzen Gutiqi, thotë se pronën e tij e ka shitur tek Qehaja Group sh.p.k në nëntor të vitit 2024. Pra 6 muaj para se të votohej në Kuvend Komunal të Pejës për këmbim.
Ai, thotë se nuk është në dijeni të vendosjes së emrit të tij në këtë vendim të komunës.
“Këtë nuk po e disha pra unë, nuk po e disha. Jo, nuk jam në dijeni që me mu shkëmby një pronë tjetër me atë kompensim të qasaj. Unë vallai nuk jam në dijeni për kurgjë tjetër, përveç se e kam shitë atëfarë pronën, ja kom shitë Qehajve edhe Komuna e ka marrë përsipër këtë punë që me bo aty, çka po di çka kanë ndërmend me bo. Kështu që, më këmby prona me prona nuk jam unë në dijeni që mu ka pru kjo punë. Ja kom shitë pronën Qehajve. Qehajt kanë marrëveshje me Komunën edhe Komuna vendos tash çka me bo me atë pjesë”, u shpreh Gutiqi
Ndonëse në vendimin e Komunës vlera totale e vlerësimit të pronave të Gutiqit arrin shifrën 211 mijë euro, ai thotë se nga Qehaja Group u pagua më pak.
“Jo jo, unë kam marrë ma pak”, ka thënë Gutiqi.
Tutje, Gutiqi pyetet për periudhën se kur është bërë shitblerja e pronës së tij me Qehaja Group.
“Valla mundet me qenë vitin e kaluar në nëntor. 2024-ën” u shpreh ai.
Gjendja faktike e pronës sipas komunës “ndërtimore”, Ministria e Mjedisit “non sens”
Emisioni hulumtues me titull “Nga Ujë në Beton: Dyshime për kurdisje të këmbimit të pronës milionëshe nga Komuna e Pejës”, zbuloi një skemë të dyshimtë të këmbimit të një prone afër 2 milionëshe në Komunën e Pejës.
Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Dhe, një pronë që nga “rajon ujor”, u kthye në “tokë ndërtimore” me një vendim të ekzekutivit komunal, e për të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI) thotë se këto prona shoqërore ujore (P.Sh “Ujërat”) janë nën administrimin e tyre dhe se çdo veprim apo shfrytëzim i tyre është i jashtëligjshëm.
Në aktvendimin e Drejtorisë për Çështje Pronsoro-Juridike (DÇPJ), të datës 25 tetor 2019, janë gjithsej 32 parcela që janë evidentuar si Pronë Shoqërore “Ujërat”, e që nga destinimi i ujërave, të njëjtat u shndërruan në tokë ndërtimore.
DÇPJ, kishte kërkuar nga një ekspert i gjeodezisë në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër (DGJK), që të konstaton gjendjen faktike në teren.
Në bazë të saj, thuhet se gjeodeti ka bërë matjen dhe ndarjen fizike dhe regjistrimin e këtyre ngastrave, ku duhej të ndërrohej destinimi me shfrytëzim tokë ndërtimore.
“Për këtë ndarje janë siguruar pëlqimet urbanistike se nuk ka pengesa për ndarje fizike dhe krijimin e ngastrave të reja me qëllim të rregullimit të rrugës dhe parcelave sipas Planit Rregullues Urban”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit të DÇPJ-së.
Lidhur me këtë DGJK, jep shpjegim se pronat kanë ndërruar “bonitetin e sipërfaqes kadastrale”, kanë ndërruar destinimin dhe se nuk mund të konsiderohet lloji i shfrytëzimit “rajon ujor” apo “lum”, por “tokë ndërtimore”, pasi sipas kësaj Drejtorie, prona hyn brenda zonës urbane të qytetit dhe si e tillë siç thuhet është “ e mirë publike komunale dhe duhet të menaxhohet nga Komuna”.
“Dihet mirëfilli se ripërtrirja-reambulimi i kadastrit është bërë në bazë të identifikimit dhe posedimit faktik të pronarit, pra kufijtë kadastral janë caktuar në bazë të kufijve faktik apo real (muri, mexha, bregu i lumit etj) dhe kështu edhe është bërë regjistrimi në regjistrat kadastral kanë mbetur gjer më sot”, thuhet në shpjegimin e DGJK-së të bashkëngjitur në aktvendimin e DÇPJ-së.
Tutje, sipas shpjegimit të DGJK-së, lumi Lumbardh ka pasur një konfiguracion natyror që në matje e ka përfshirë edhe kufirin e brigjeve të shtratit të lumit. Siç thuhet në shpjegim, lumi në atë kohë ka pasur rrjedhën jo të rregullt prandaj sipas tyre edhe forma ka qenë jo e rregullt dhe si rezultat hapësira e shtratit në disa vende ka qenë më e madhe.
Po ashtu, Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër, tregon se hapësira në kohën e reambulimit, shtrati i lumit ka qenë në gjerësi në mbi 200m dhe gjatësi më shumë se 500m, por që me ndërtimin e mureve mbrojtëse gjerësia e shtratit sipas tyre ka rënë në 30-40m.
“Në vitet e gjashtëdhjeta, pas reambulimit janë ndërtuar muret mbrojtëse ku ka kaluar lumi nëpër qytet me ç’rast është ndërruar edhe konfiguracioni i lumit duke e ngushtuar në formë të rregullt edhe shtratin e së këndejmi edhe sipërfaqen kadastrale ngase në këto hapësira të mbetura nuk ka kaluar më lumi, por ato kanë mbetur hapësira të mbuluara nga dheu e që janë shndërruar në tokë ndërtimore”, thuhet tutje në shpjegimin e DGJK-së.
Në dokumentet e siguruara nga Betimi për Drejtësi, MMPHI kishte bërë me dije që pronat shoqërore ujore janë nën administrimin e tyre dhe se çdo veprim apo shfrytëzim i pronave është i jashtëligjshëm.
Në anën tjetër, udhëheqësja e Divizionit për Menaxhimin e Pellgjeve Lumore në MMPHI, Fatlije Buza, thotë se në Agjencinë Kadastrale kanë arritur të verifikojnë së prona afër dy milionëshe figuron si pronë e komunës, porse sipas saj deri më tani nuk kanë arritur të shohin historiatin e pronës.
“I kemi gjetë që këto prona qysh nuk figurojnë domethënë në listat e agjencionit kadastral si prona ujore që na faktikisht në bazë të eksperiencave tona ne jemi befasuar, jemi habitur për arsye se kur e kemi verifikuar ngastrat, ngastrat janë domethënë në brezin e lumit Lumbardh të Pejës. Kështu që udhëzimi edhe në qoftë se ata domethënë e kanë bërë këtë veprim ato duhen me u hetu në mënyra të tjera që ne nuk e dimë, nuk jemi të informuar për arsye se ne punojmë me kërkesa, në qoftë se komuna do me bë një veprim të tillë ose do me ndërtu ose e ka një interes edhe ato ndërtime lejohen vetëm në bazë të interesave publike”, ka thënë Buza.
Në pyetjen se a mundet DÇPJ në Pejë, të bëjë ndryshimin e destinimit të pronës, duke e përfshirë atë në Plan Zhvillimor, Buza thotë se gjithçka bëhet në harmoni me planet e ministrisë.
E që në këtë rast sipas saj nuk ka pasur ndonjë kërkesë, njoftim apo pyetje nga Komuna e Pejës.
“Gjithçka çka bëhet në këto raste duhet me pas bazën ligjore, që komuna nuk ka ndonjë udhëzim ose ligj ato janë krejt ligjet që dalin prej qendrës. Nuk ka bazë ligjore për me bë ndonjë ndërrim sepse dhe ne nuk kemi bazë ligjore. Në qoftë se ne që jemi bartësit kryesorë domethënë pronarët kryesorë, qeveria, për ujin nëse ne nuk e kemi një bazë ligjore për me bë një gjë të atillë, ku e kanë, ku e paskan marrë komunat atë bazë ligjore. Domethënë faktikisht ata ndryshimet që i bëjnë duhet krejt me i bë në harmoni në bazë të planeve që i bën ministria, pavarësisht plane hapësinore, zona, harta, këto krejt i bëjnë, harmonizohen me këto”, u shpreh ajo.
Tutje, e pyetur se a ka pasur mundësi që Komuna e Pejës ta shndërrojë pronën në ndërtimore, duke e përfshirë në Planin Zhvillimor pa një pëlqim ose vendim të Ministrisë së Mjedisit, Buza përgjigjet:
“Jo, kjo është absurd sepse pa pas një bazë ligjore nuk mundet me i bë ai veç me një plan. Plani nuk është, plani është për me rregullu, me bë një gjë në bazë edhe plani bëhet në bazë të kritereve. Gjithçka bëhet me kritere. Çdo gjë që ndërtohet i ka kriteret. Ka të përshkruar se ku prek ajo, a e prek mjedisin, a e prek domethënë përgjithësi ajrin, tokën, ujin, a e prek mirëqenien njerëzore, a e prek ekosistemin, bimën, a e prek domethënë biotën, a ç’kado ka kritere”, u shpreh udhëheqësja e Divizionit për Menaxhimin e Pellgjeve Lumore në MMPHI.
Lidhur me ekspertin e gjeodezisë të angazhuar nga Komuna, që konstatoi gjendjen faktike në teren, udhëheqësja për Menaxhimin e Pellgjeve Lumore, thotë se ky veprim është “non sens”.
“Nuk e di qysh është bërë kjo. Kjo është shumë e pa kjartë. Kjo nuk ka kurrfarë kuptimi. Nuk di çka me thënë. Është non sens, është pakuptimtë. Nuk mundet një gjeodet me, ku e ka bazën ligjore. Unë po them gjithçka lidhet me bazën ligjore” tha Buza.
Gazetarja: Ai e lidh me gjendjen faktike? A mundet me u bë kjo? Sipas tyre, gjendja faktike nuk e tregon që është pronë ujore, por e tregon që është pronë ndërtimore?
“Gjendja faktike në teren në qoftë se e ka një dokument ai që nuk është pronë shoqërore që ajo është fakt se është dokument, por në qoftë se ai dokument nuk i thirret në dokument po thotë gjendjen faktike në terren, gjendjen faktike në teren nuk i ka tregu atij është pronë shoqërore. Është e pakuptimtë, non sens”, u shpreh Buza.
E pyetur nëse Inspektorati i këtij dikasteri ka evidentuar këtë rast, Buza thotë se ka qenë rast i panjohur dhe se në bazë të informatave nuk ka pasur ndonjë komunikim apo njoftim në mes Komunës së Pejës dhe Inspektoratit të MMPHI-së për aktvendimin e DÇPJ-së.
Nga zonë ujore në tokë ndërtimore, si u hap rruga për këmbimin milionësh në Pejë
Një hulumtim disamujor i “Betimi për Drejtësi”, zbulon një proces të dyshimtë të këmbimit të një prone komunale në Pejë me vlerë afër 2 milionë euro. Një vendim që në thelb e orienton këtë pasuri publike drejt kompanisë Qehaja Group sh.p.k, e njohur për ndërtim banesash shumëkatëshe.
Një pronë që nga “rajon ujor”, u kthye në “tokë ndërtimore” me një vendim të ekzekutivit komunal, e për të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI) thotë se këto prona shoqërore ujore (P.Sh “Ujërat”) janë nën administrimin e tyre dhe se çdo veprim apo shfrytëzim i tyre është i jashtëligjshëm.
Por, a ka dhënë Komuna e Pejës një pasuri afër dy milionëshe në funksion të një skeme të kurdisur për interes privat?
Më 17 prill 2025, Kuvendi Komunal në Pejë, kishte disa pika në rend të ditës për shqyrtim. Njëra ndër to, ishte edhe këmbimi i një prone së paluajtshme komunale afër 2 milionshe, me pronarë privatë, e cila gjendet në rrugën Konstantini i Madh apo siç quhet ndryshe prona tek ish-Ambienti.
“Po kalojmë tek pika tjetër me radhë, shqyrtimi dhe miratimi i propozimit të kryetarit të Komunës për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronat e pronarëve privat Shkelzen Gutiqi, Qehaja Group, Sh.p.k, Raif Kelmendi me 6/7 dhe Ali Klemendi 1/7, me qëllim të interesit publik, rregullimit të shtratit të lumit”, ka thënë kryesuesi i Kuvendit Komunal në Pejë, Rexhep Kurtbogaj në seancën e 17 prillit të vitit të kaluar.
Për këtë çështje, opozita kundër reaguan duke kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhej dhe të mos votohej mbi arsyetimin se ekziston një peticion i banorëve që prona të shfrytëzohej për gjelbërim dhe jo për ndërtime. Po ashtu, opozita treguan se në këtë parcelë jeton familja Mataj, e cila që nga viti 2022 ishte në kontest gjyqësor me Komunën për këtë pronë.
Pavarësisht këtyre, kuvendi komunal votoi pro propozimit të kryetarit.
“Atëherë 17 vota pro, 11 plus dy me ngritje dore, do të thotë 13 vota kundër, përmbajtur një, miratohet kjo pikë për këmbim prone”, kishte konstatuar kryesuesi Kurtbogaj.
Në këtë vendim të Kuvendit Komunal në Pejë, Betimi për Drejtësi, ka identifikuar shkelje ligjore, që nga koha kur Drejtoria për Çështje Pronësore – Juridike, ktheu këtë pronë nga “ujore” në “tokë ndërtimore”.
Dyshimet për një “kurdisje” të këmbimit të pronës shtohen edhe më shumë kur shihen se nga kush dhe se si u blenë pronat tek pjesa ku ishte paraparë rregullimi i shtratit të lumit Lumbardhi.
Më 3 qershor të vitit të kaluar, Drejtoria për Çështje Pronësore-Juridike (DÇPJ), në Komunën e Pejës, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se më datë 25 tetor 2019 ka bërë ndërrimin e destinimit të parcelës nga Pronë Shoqërore “Ujërat”, në pronë komunale.
Sipas DÇPJ-së, ndërrimi i destinimit të parcelës është bërë me qëllim të harmonizimit të gjendjes faktike.
“Gjatë kohës së riambulimit në vitin 1955-1956 rrjedha e lumit aty ka qenë e natyrshme dhe është regjistruar si e tillë – pronë shoqërore “Ujërat”, mirëpo pas ndërtimit të shtratit të lumit Lumbardh ajo pjesë është shfrytëzuar nga N.P “Ambienti” dhe është shfrytëzuar për qëllime të tjera, jo për shtrat të lumit”, thuhet në përgjigjen e DÇPJ-së.
Tutje, në përgjigje thuhet se pas largimit dhe rrënimit të objektit të ndërmarrjes publike “Ambienti”, sipas tyre bazuar në Ligjin mbi Tokën Ndërtimore dhe të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Statusit të Komunës së Pejës është lëshuar aktvendimi për ndërrimin e destinimit të parcelës afër 2 milionëshe dhe disa të tjerave.
“Mbështetur në Planin Rregullativ Urban të asaj kohe, si dhe sot në vazhdimësi është e paraparë sipas Hartës Zonale, si zonë ku lejohet ndërtimi i lartë dhe rregullimin e shëtitores buzë lumit Lumbardh. Të gjitha kompetencat për ndërrim të destinimit të këtyre parcelave në pjesën urbane sipas Ligjit në fuqi i takojnë komunave”, shpjegohet në përgjigjen e Drejtorisë për Çështje Pronësore-Juridike.
Betimi për Drejtësi, ka arritur të siguroj disa dokumente komunikimi në mes ndërmarrjes publike K.R.U ”Drini i Bardhë” dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo ndërmarrje kishte kërkuar sqarime pikërisht për këtë parcelë nëse mund të ishte nën administrimin e tyre.
Por, përgjigja e MMPHI-së që mban datën 9 tetor 2019, thotë se bazuar në Ligjin për Ujërat e Kosovës, në nenin 109, çdo objekt dhe pajisje ujore që ka qenë i administruar nga ndërmarrjet publike e regjistruar si ndërmarrje ekonomike në organin kompetent, do të kalojnë në administrimin e Ministrisë.
“Bazuar në dispozitat si më sipër, lidhur me ngastrat e regjistruara si P.Sh Ujërat (Pasuri Shoqërore e Ujërave), kompetent për administrimin e tyre është MMPHI dhe jo K.R.U “Drini i Bardhë”, thuhet në dokumentin që ka siguruar Betimi për Drejtësi.
I njëjti sqarim nga kjo ndërmarrje ishte kërkuar edhe gjatë vitit 2025 në Ministrinë e Mjedisit.
Përgjigja e ministrisë është e njëjtë. Madje, sipas tyre nuk ekziston ndonjë bazë ligjore ende për dhënien në shfrytëzim të këtyre pronave.
“Me pronat dhe Pasurinë Ujore menaxhon MMPHI-ja bazuar në legjislacionin në fuqi, e cila akoma nuk ka bazë ligjore për dhënien e të njëjtave për shfrytëzim, kompensim apo shitje, andaj konsiderojmë se çdo veprim apo shfrytëzim i pronave është i jashtëligjshëm”, thuhet në komunikimin e K.R.U “Drini i Bardhë me MMPHI-në, të datës 9 shtator 2025, të cilin ka siguruar Betimi për Drejtësi.