Kori lituan “ARTyn” tashmë ka aterruar në Kosovë për një koncert fillimisht në Pejë, tok me korin vendor të njohur botërisht, “Siparantum”, por dy ditë para koncertit, kanë shpërthyer përplasjet dhe lufta për meritat e organizimit të kësaj ngjarjeje. Shkas për këtë është bërë përshkrimi që Drejtoria e Kulturës e Komunës së Pejës ia bën takimit të koreve me kryetarin e Pejës, ku “Siparantumi” s’përmendet fare. E, postimi dhe reagimi në rrjete sociale tërheqin vjegëzën e akuzave të ndërsjella. Drejtoresha e Kulturës në këtë komunë thotë se ky kor nuk ka bërë asnjëherë një koncert të hapur për publikun e Pejës dhe jo vetëm.
Kori “Siparantum” ka arritur të ndërtojë identitet artistik që flet qartë për Kosovën në botë. Ansambli vokal jo rrallë ka bërë që diplomacia kulturore të ketë ndikim më shumë sesa deklaratat politike. Si rrjedhojë e paraqitjeve ndërkombëtare e kontakteve që ka krijuar, ka ardhur edhe koncerti në Pejë midis këtij formacioni koral dhe atij të “ARTyn” nga Lituania. Të enjten, dy ditë para koncertit, përfaqësues të të dy koreve kanë takuar udhëheqës institucionesh lokale. Një postim në rrjete sociale është bërë shkas për “zhurmë” për këtë ngjarje ende pa u mbajtur.
Përmes një reagimi publik, kori “Siparantum” i ka reaguar Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Pejës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Përkundër përkrahjes së vazhdueshme nga vetë kryetari i Komunës së Pejës, jemi të indinjuar nga mosmirënjohja dhe injorimi i kontributit tonë për kulturë nga DKRS-ja”, shkruhet në reagim.
Postimi në Facebook i faqes zyrtare të Komunës së Pejës u reduktua në tekst e në fotografi nga Drejtoria për Kulturë e kësaj komune. Ngjan se kjo ia ka mbushur kupën “Siparantumit”, pasi, sipas stafit të këtij kori ka kohë që ata nuk kanë raporte të shëndosha me këtë institucion. Se ka shtrembërime për të dalë në publik sikur ata e kanë organizuar koncertin. Sipas tyre, ishte po “Siparantumi” që i kishte kërkuar Komunës të takohej me ekipin e korit lituan të udhëhequr nga dirigjentja Iveta Valickienė dhe se me këtë rast ishte e njoftuar edhe Drejtoria e Kulturës.
Themeluesi e dirigjenti i “Siparantumit”, Memli Kelmendi, ka thënë se kanë kërkuar transparencë dhe informacion të saktë teksa ka theksuar përkrahjen dhe pritjen e ngrohtë të enjten nga kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri.
“Ka qenë iniciativë e jona të takohemi me kryetarin, të cilit i falënderohemi për përkrahjen dhe mbi të gjitha për pritjen shumë të ngrohtë të korit ‘ARTyn’, që e ka bërë të ndihet shumë mirë. Në postimin e Komunës përmenden kori ynë, puna jonë, ndërsa në atë të Drejtorisë së Kulturës nuk përmendet. Ne kemi kërkuar vetëm që kjo deklaratë të përmirësohet, nuk është gjë kundër tyre. Ne jemi falënderues për kontributin e tyre ndaj ‘Siparantumit’, mirëpo mendoj se roli institucional është të krijojë transparencë dhe informacion të saktë mbi atë që qëndron”, ka thënë Kelmendi.
Sipas tij, koncerti i përbashkët midis dy institucioneve të muzikës korale që mbahet më dy maj në kishën katolike “Shën Katarina” ka ardhur pikërisht në Pejë si rrjedhojë e mungesës së aktiviteteve kulturore në këtë qytet. Sipas tij, kjo lidhet me reagimin e tyre publik.
“Si mision dhe vizion po punojmë që të sjellim në Kosovë kore me të cilat kemi bashkëpunuar dhe ato që nuk kemi bashkëpunuar. Qëllimisht e kemi zgjedhur që koncerti të jetë në Pejë, sepse edhe në mungesë të aktiviteteve kulturore kemi menduar që të pasurohet jeta kulturore në Pejë. Kjo lidhet me reagimin tonë. Ne thjesht kemi kërkuar të mos anashkalohet kori ‘Siparantum’ në një postim të tillë, por të jetë përmbajtja reale”, është shprehur Kelmendi për KOHËN.
Në reagim konsiderohet e papranueshme që në njoftimin e Drejtorisë lidhur me aktivitetin e përbashkët midis dy koreve të mos përmendet fare “Siparantumi”, ndonëse përfaqësuesit e tij kanë qenë të pranishëm dhe, siç shkruhet aty, vetë bashkëpunimi është iniciuar dhe koordinuar nga ta.
“Theksojmë se është pikërisht Kori Siparantum ai që e ka sjellë këtë kor në Pejë dhe po zhvillon këtë koncert në qytetin tonë, me qëllimin e vetëm për të pasuruar jetën kulturore dhe për të krijuar mundësi reale të shkëmbimit artistik ndërkombëtar”, shkruhet në reagimin e “Siparantum” në Facebook.
Aty shkruhet gjithashtu se në këtë komunikim zyrtar, roli i tyre “është injoruar plotësisht”.
“Institucionet publike kanë detyrim për saktësi dhe transparencë në përfaqësimin e bashkëpunimeve. Çdo devijim nga kjo cenon besimin dhe bashkëpunimin institucional”, vijon më tutje reagimi.
Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Pejës, Xhenet Syka-Kelmendi, ka thënë se do ta postojnë “Siparantumin” kur të mbahet koncerti.
“Do t’i postojmë kur të mbahet koncerti, ka rend e protokoll për këtë, jo të gjitha menjëherë”, ka thënë ajo për KOHËN duke u shprehur se kori nuk mund të jetë i injoruar përderisa përkrahet nga DKRS-ja.
“Le të thonë çfarë të duan, veç formati sa i suportojmë gjithandej, flet se a i injorojmë a jo. Gjykimi mund të jetë i dyanshëm. Nëse dikë e ndihmon financiarisht më shumë se të gjithë të tjerët, kujtoj se nuk ka të bëjë me injorim”, ka thënë drejtoresha Syka-Kelmendi për KOHËN.
Ajo ka thënë se kori “Siparantum” nuk ka bërë asnjëherë një koncert të hapur për publikun e Pejës.
“Nuk ka ndodhur që një herë kori ‘Siparantum’ të shfaqë diçka për Komunën ose për qytetin. Asnjëherë të vetme. Sepse gjithmonë kanë kërkuar mjete shtesë edhe nëse i kanë marrë subvencionet. Kanë bërë koncerte me pagesë. Unë kam kërkuar prej tyre koncert pa pagesë për të bërë diçka për qytetin. Por e kam parë që nuk e kanë vullnetin e mirë dhe prapë kam vazhduar t’u jap subvencione më shumë se asociacioneve të tjera”, ka thënë ajo.
Në planin e buxhetit të Komunës së Pejës për periudhën 2026-2028, subvencione për klubet sportive, organizatat joqeveritare kulturore dhe ato rinore janë planifikuar 230 mijë e 353 euro për vitin 2026, 222 mijë e 832 mijë për vitin 2027 dhe 250 mijë për vitin 2028.
Të enjten, dy formacionet korale kanë zhvilluar provën e parë të përbashkët për koncertin e së shtunës, që do të mbahet prej orës 20:00 në kishën katolike “Shën Katarina”.
Memli Kelmendi do ta dirigjojë një pjesë të koncertit, ndërsa pjesën tjetër dirigjentja Iveta Valickienė, drejtoreshë artistike e korit nga kryeqyteti lituan, Vilnius. Është paralajmëruar program me vepra korale nga repertori bashkëkohor e klasik, përfshirë katër vepra që do të interpretohen nga dy formacionet. Mbi 80 koristë do të bashkojnë zërat edhe për këngën shqipe “Moj e bukura more”.
“Një pjesë e madhe e programit i takon programit të korit ‘ARTyn’, ndërsa një 30 për qindësh është program i yni. E bukura e kësaj është që në fund të programit do të interpretohen katër vepra nga dy koret. Do të jenë mbi 80 anëtarë në skenë që do të këndojnë bashkë. Një prej veprave të veçanta do të jetë ‘Moj e bukura more’, ku të gjithë do të këndojnë shqip”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi.
Ka thënë se kontaktet e vazhdueshme të “Siparantumit” janë arsyeja e këtij bashkëpunimi. Ka bërë me dije se formacioni lituan ka ardhur me vetëfinancim.
“Koncerti ka rrjedhë nga bashkëpunimi që kemi pasur në Berlin dhe që ne si kor realisht e kemi si qëllim dhe mision – lidhjen e botës dhe koreve të tjera, pra shkëmbimin dhe diversitetin kulturor. Jemi shumë të nderuar që kemi një kor fantastik dhe që korrespondon me natyrën e ‘Siparantumit’. Këtë aktivitet do ta kemi në Pejë, në kishën ‘Shën Katarina’”, është shprehur Kelmendi.
Kori “ARTyn” do të mbajë koncert edhe më 3 maj, në kishën katolike “Zoja Rruzare” në Bishtazhin të Gjakovës, nën drejtimin e dirigjentes Iveta Valickienė. Kelmendi ka thënë se ky koncert realizohet me kërkesën e këtij kori.
Në prill të vitit të kaluar, nuk qe thjesht suksesi i “Siparantumit” për të interpretuar për të pestën herë në skenën e institucionit prestigjioz – Filarmonisë së Berlinit. Në festivalin “Walking in Beauty”, të organizuar nga “Choral Space” në Gjermani, Kelmendi pati dirigjuar veprën “The Rose” të norvegjezit Ola Gjeilo, një prej figurave më të shquara të kohës. Kelmendi kishte drejtuar rreth 500 koristë interpretues në këtë vepër, ndërsa vetë autori i saj, Gjeilo, ishte solist në piano.
Koristët nga Kosova ishin ngjitur në skenë bashkë me koret “Polychromon” nga Greqia, “B-Tenors” nga Spanja dhe “ARTyn” nga Lituania.
“Kemi pasur një bashkëpunim indirekt në Berlin, sepse koristët tanë kanë punuar me dirigjentë të ndryshëm dhe një prej tyre ka qenë Iveta. Pastaj edhe koristët e tyre kanë punuar me mua gjatë përvojës sonë të fundit në Filharmoninë e Berlinit në prill, në koncertin bashkë me Ola Gjeilo. U ka pëlqyer energjia e ‘Siparantumit’, programi dhe gjithçka tjetër. Në bisedime e sipër me dirigjenten, ka thënë se ‘do të ishte nder nëse do na prisnit në Kosovë’. Dhe ne me shumë kënaqësi i kemi pritur, e kemi organizuar këtë koncert”, ka thënë Kelmendi.
“ARTyn” është kor i përzier për të rritur në Vilnius. Është ansambël koral relativisht i ri, por mjaft aktiv në skenën kulturore të Vilnius, i themeluar në vitin 2017. Siç shkruhet, emri “ARTyn” lidhet me idenë e afërsisë me publikun, ngase në lituanisht fjala “artyn” do të thotë “më afër”. Kori ka fokus muzikën korale moderne ndërkombëtare, pra kompozitorë si Eric Whitacre apo Bob Chilcott. Shkruhet se aktiviteti i korit shpesh lidhet me tema sociale, historike dhe kulturore, jo vetëm me performancën muzikore. Debutimin në Pejë e shoqëron edhe zhurma për meritat ende pa u mbajtur koncerti.