Botë

21 vjet në burgjet e Assadit – siriani që po përpiqet të nisë jetën nga e para

Siria

Fouad Naal, 52 vjeç, kaloi 21 vjet në burgjet Sednaja dhe Adra deri më 8 dhjetor 2024. Një vit më vonë, ai rrëfen historinë e tij.

Fouad Naal kaloi 21 vjet në burg nën regjimin e Bashar al-Assadit.

Ai qëndroi në burgjet e njohura Sednaja dhe Adra deri më 8 dhjetor 2024 që, sipas tij, nuk ishte vetëm çlirimi i tij, por edhe  i Sirisë nga sundimi i al-Asadit, tha ai për Al Jazeeran.

I gjatë dhe i hollë, me mjekër të gjatë, Naal, 52 vjeç, flet me entuziazëm dhe lëviz lirshëm, pavarësisht viteve në burg.

Ai ishte imam para arrestimit dhe e mban besimin e tij shumë afër, shpjegon në sallonin e apartamentit të tij modest në lagjen Muhajreen të Damaskut, një distancë 10-minutëshe nga rezidenca e ish-presidentit al-Assad.

“Nesër do të dal jashtë”

Më 8 dhjetor, Siria festoi përvjetorin e parë të largimit të al-Assad nga Damasku drejt Moskës. Arratisja e tij shënoi fundin e pesë dekadave të sundimit të familjes al-Assad, të njohur për brutalitetin dhe ashpërsinë.

Qindra mijëra njerëz janë zhdukur në rrjetin e burgjeve të al-Assadit. Shumë të tjerë përjetuan kushte të rënda dhe mbetën me probleme fizike ose mendore, trauma ose sëmundje të rënda.

Naal tha se regjimi e kishte detyruar të paraqitej shumë herë në gjykatë para se ta arrestonin dhe ta burgosnin në vitin 2004. Ai u arrestua, sepse kishte publikuar një fetva, mendim fetar, ku shprehej se sirianët nuk duhej të shkonin të luftojnë kundër pushtimit të Shteteve të Bashkuara në Irak.

Ai dhe shumë të tjerë mendonin se shteti sirian po nxiste sirianët të shkonin në Irak për të luftuar kundër ushtrisë amerikane, e cila kishte pushtuar vendin në 2003.

Shumë myslimanë që njihte Naal vendosën të shkonin, por nuk arritën kurrë në Irak. Autobusët që duhej  të kalonin kufirin sirian u bombarduan para se të largoheshin nga Siria, tha ai.

Naal dyshonte se shteti sirian ishte pas sulmit ndaj autobusëve dhe nxori fetvën e tij.

Ai u arrestua së bashku me gruan dhe vajzën e tij katërvjeçare dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Ai tha se regjimi e akuzoi për planifikimin e vrasjes së al-Assadit dhe disa figurave të tjera të larta.

Akuzat ishin të rreme, tha ai, por pranoi ato nën presion për të shpëtuar vajzën dhe gruan. Pastaj u dërgua në Sednaja, ku qëndroi në atë që në vitet e mëvonshme do të bëhej i njohur si “Burg i Kuq”.

Ai kohën e kalonte duke bërë ushtrime, duke lexuar dhe duke studiuar ligjin. Në vitin 2005, pas një viti të plotë në burg, i lejohej të merrte vizita mujore.

Kushtet në Sednaja ishin të vështira. Ai kujton një kohë kur i ishte inflamuar qepalla e syrit, por ilaçi i ishte mohuar. Të burgosurit nuk lejoheshin të luteshin në grupe ose të lexonin Kuranin së bashku, tha ai.

Megjithatë, ai kurrë nuk humbi shpresën për të dalë nga burgu. “Gjithmonë kisha gati një çantë, gati për të dalë çdo ditë”, tha ai.

“Gjithmonë mendoja: ‘Nesër do të dal jashtë’”.

Revolucioni fillon

Pasi Naal kishte qëndruar shtatë vjet në Sednaja, filloi kryengritja siriane.

Ai dhe të burgosurit e tjerë ndiqnin revolucionet në Tunizi, Egjipt dhe Libi, por nuk besonin se diçka e ngjashme do të ndodhte në Siri.

“Ishte vërtet befasuese që po ndodhte në Siri”, tha ai.

“Kishin momente të mëdha gëzimi. Unë isha i lumtur për fillimin e revolucionit”.

Në vitin 2012, Naal tha se u transferua nga Sednaja në Burgun Qendror Adra, në periferi verilindore të Damaskut, ku ai dhe myslimanë të tjerë u vendosën në një seksion të veçantë politik.

Duket se Sednaja po zbrazet për të marrë sirianë që po mblidheshin për të kundërshtuar regjimin.

Në Adra, kushtet ishin më të lehta. Naal u vendos me të tjerë që akuzoheshin si islamikë. Ata mund të falnin. U jepeshin vizita javore ku merrnin lajme nga bota e jashtme.

“Brenda një muaji nga vizitat e para, të gjithë në burg kishin një ose dy telefona”, tha ai.

Për më tepër, administrata e burgut në Adra kishte frikë nga Naal dhe të burgosurit e tjerë për shkak të thashethemeve që qarkullonin për ta. Një ditë, një oficer policie iu afrua për t’i pyetur për ta. Ai quhej Khadr dhe Naal tha se më pas ai u largua nga regjimi dhe iu bashkua opozitës.

“Ai tha: Mund të të bëj një pyetje, sheikh? Unë i thashë: Sigurisht.

“Ai pyeti nëse ishte e vërtetë që ne prisnim kokat e oficerëve në Sednaja dhe luanim futboll me to”.

“Hej, ju kafshë! Hapni dyert!”

Më 7 dhjetor 2024, Naal tha se ai dhe të burgosurit e tjerë e dinin që forcat anti-Assad po afroheshin. Emocioni ishte i madh dhe disa të burgosur filluan të flisnin për mundësinë e arratisjes.

“Njerëzit nuk duronin më”, tha ai.

Në atë moment, të burgosurit tashmë e dinin se Alepo ishte çliruar dhe prisnin me padurim mbërritjen e rebelëve në Homs, qyteti i tretë më i madh i Sirisë.

Naal u zgjua nga aroma e kafesë që po përgatitej nga shokët e tij të qelisë, diku në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit 2024. Të burgosurit ishin të shqetësuar, por edhe të mbushur me shpresë.

Në një moment, Naal  i ra një zileje për të njoftuar rojat se një i burgosur kishte nevojë për ndihmë, por askush nuk u përgjigj. Ai i ra përsëri ziles dhe sërish nuk pati asnjë reagim.

Megjithëse sharjet ishin të ndaluara në burg, Naal filloi të shante rojat për t’i provokuar që të reagonin.

“Hej, ju kafshë! Hapni dyert!”

Në një çast, një i burgosur që mund të shihte nga dritarja përhapi lajmin se rojet ishin rreshtuar dhe po largoheshin nga burgu.

Britma “Allahu Ekber” u përhapën nëpër burg. Entuziazmi u rrit aq shumë, saqë disa të burgosur filluan t’i thyenin vetë dyert e qelive.

Por trauma që kishin përjetuar disa prej tyre ishte aq e thellë, saqë ata u luteshin të tjerëve t’i mbanin dyert të mbyllura, nga frika e pasojave. Disa, tha Naal, u fshehën nën batanije.

Të tjerë mendonin se nuk kishte më kthim pas dhe vazhduan t’i shkatërronin dyert e qelive.

Kur dolën prej tyre, të burgosurit gjetën uniforma rojash të shpërndara në tokë dhe vrapuan drejt depos së armëve të burgut.

“Njerëzit qëllonin në ajër nga gëzimi”, tha Naal.

Ata u larguan nga burgu dhe gjetën një pikë kontrolli të braktisur.

“Ishte një tenxhere ende duke zier diçka mbi zjarr”, tregoi ai. “Armët ishin hedhur përtokë, pranë uniformave ushtarake të braktisura”.

Teksa vazhdonin të ecin, Naal tha se ai dhe të burgosurit e tjerë takuan ushtarë. Disa kishin hequr pjesën e sipërme të uniformës, por kishin mbajtur pantallonat. Në vend që të qëllonin, ata u thoshin të burgosurve:

“Ne jemi me ju. Ne jemi me ju”, kujtoi Naal.

Sipas tij, fuqia e atij momenti dukej si një dhuratë hyjnore.

“Edhe një njeri pa besim në Zotin e Madh do ta ndiente se ekziston një fuqi më e madhe se vetvetja”.

Një burg i ngjashëm për Assadin në mërgim

Naal doli nga burgu në gjendje fizike shumë më të mirë se të tjerët që kishin kaluar dënime më të shkurtra në sistemin e burgjeve të al-Assadit.

“Ushtrohesha çdo ditë në burg”, i tha ai Al Jazeeras.

“Jam 51 vjeç”, tha fillimisht, pastaj u korrigjua.

“Jam 52, por ende e lidh veten me moshën që kisha kur hyra në burg”.

Megjithatë, ai nuk ka dalë i paprekur nga përvoja. Ai tregoi derën e mbyllur të dhomës së vogël ku po zhvillohej intervista.

“Nuk i dua hapësirat e mbyllura. Nuk më ndikojnë rëndë psikologjikisht, por nuk i pëlqej”, tha ai.

“Nuk dua të fle me derën e mbyllur. Nuk jam i fortë i prekur, por preferoj ta kem të hapur”.

Ai shtoi se ai dhe shumë ish-të burgosur të tjerë kishin vështirësi me gjumin pas lirimit, sepse ishin mësuar me qetësinë absolute të burgut.

Vetëm disa ditë para intervistës, ai kishte vizituar përsëri burgun Sednaja me një grup sirianësh dhe ukrainasish. Vizita ishte emocionalisht e vështirë, por ai e pa si të domosdoshme për drejtësinë në Siri dhe më gjerë.

“Çfarë ndien sot Bashar al-Assad? Ai po i dëgjon këto fjalë dhe rri si një mi, i fshehur në një strofull në Rusi. Edhe nëse ajo strofull është prej ari”.

“Ne thoshim se edhe sikur burgu të ishte një pallat prej ari, prapë nuk do ta donim. Do të donim më mirë të shkonim në shtëpi, të jetonim një orë dhe të vdisnim të uritur për liri. Sot, ai po jeton pikërisht kështu”, tha Naal.

Para burgosjes, Naal tha se i pëlqente të bënte gjithçka në shtëpi dhe nuk i shijonte restorantet.

“Nëna ime më rriti që të mos haja para njerëzve, nga frika se mos ata nuk mund të përballonin atë që unë po haja”, tha ai.

“Preferoja ta merrja ushqimin dhe të kthehesha në shtëpi për të ngrënë”.

Tani, megjithatë, ai gëzon daljet nga shtëpia dhe shëtitjet në lagje. Ai shkon edhe në restorante, sepse e kupton vlerën e përvojës së përbashkët në publik - diçka që në burg është e pamundur.

Ai thekson gjithashtu se në Siri, “revolucionin e bënë fëmijët”.

“Ai që e fitoi revolucionin ishte Hamza al-Khatib”, tha ai, duke iu referuar djalit 13-vjeçar nga Deraa, i cili dyshohet se u torturua për vdekje nga forcat e sigurisë siriane për pjesëmarrje në protesta kundër regjimit në vitin 2011.

Ai përmendi edhe adoleshentët në Deraa që shkruan në mur: “Radha jote ka ardhur, o doktor”, referencë për al-Assadin, i cili kishte studiuar oftalmologji në Londër.

“Ata ishin shkëndija e shpërthimit popullor… vullkani”, tha Naal.

“Ishte gozhda e parë në arkivolin e Bashar al-Assadit”.