Dimri mund të ketë përfunduar, por Oleksii në Kharkiv beson se beteja për të shpëtuar rrjetin energjetik të Ukrainës nga raketat e Putinit do të vazhdojë për aq kohë sa Rusia ka kapacitet për ta sulmuar.
Ukrainasit po kënaqen në ditët parapranverore. Netët janë ende të ftohta, por po kalojnë dimrin e sulmeve me raketa ruse që i kanë lënë pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë.
Dimri qe fort i ashpër, por tani ka përfunduar, ka deklaruar presidenti Volodymyr Zelenskyy. Ukraina ende ka ngrohje dhe shteti është i pathyeshëm, ishte mesazhi i tij.
Deri të enjten, Ukraina kishte arritur që për tre javë rresht të mos kishte ndërprerje të energjisë elektrike, madje kishte edhe tepricë. Për tri javë nuk kishte as bombardime dhe dukës sikur kishte përfunduar beteja e Vladimir Putinit për ta shkatërruar rrjetin e energjisë elektrike të Ukrainës.
“Po, po e shkatërrojmë, por kush e nisi këtë?”, kishte pyetur Putini në muajin dhjetor, duke ia hedhur fajin Kievit.
Në atë kohë ishte rrëfim që nuk kishte qare tjetër. Gati më shumë se gjysma e infrastrukturës energjetike ishte dëmtuar dhe eksperti i sigurisë bërthamore të Ukrainës kishte paralajmëruar se situata ishte kritike.
Mirëpo gjatë këtyre javëve të qeta, Rusia po furnizohej me armatim. Në orët e para të së enjtes lëshoi 81 raketa dhe katër rajone ukrainase mbetën pa energji elektrike. Deri të premten, gjysmë milion njerëz nuk kishin energji elektrike në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.
“Është ftohtë. Kemi ushqim, por shumë pak kemi gatuar”, thotë Oleksii, teksa shikonte baterinë e telefonit që kishte rënë në 14 për qind.
Pesëqind njerëz jetojnë në bllokun e apartamenteve të tij. Dhe kur shkoi në qendrën “e padukshme” për të mbushur baterinë e telefonit, pa shumë njerëz që po prisni për të bërë të njëjtën gjë.
Edhe Kievi është goditur dhe spitali në të cilin po mjekoheshin 700 njerëz mbeti pa ngrohje dhe ujë të ngrohtë për disa orë.
Më shumë se 150 mijë banorë kanë mbetur pa energji në Zhytomyr, dy orë larg kufirit me Bjellorusinë. Kryetari i këtij qyteti ka thënë se javët e ardhshme do të jenë vendimtare dhe reduktimet janë e vetmja mundësi për të shtyrë ditët.
Shpresë për të ardhmen
Mirëpo teksa banori Eugene Herasymchuk po niste ditën me diell pranveror, ishte i bindur për të ardhmen.
“Kishim tre javë pa sulme dhe me energji elektrike. Energjia në sistem ua mundësoi autoriteteve që të nisnin trolejbusët dhe tramvajet. Ky ishte hap i madh sepse transporti publik ishte në pauzë”.
Dhe për shumë ukrainas, nuk shkoi shumë gjatë që t’i ktheheshin territ.
“është e sigurt të thuash se Ukraina fitoi në frontin e energjisë”, ka thënë Tetyana Boyko nga rrjetin civil Opora. Ajo ka lavdëruar ekipet e energjisë elektrike dhe ndihmën ndërkombëtare. “Le të lutemi, por mendoj se skenari më i keq ka përfunduar”.
Dimri mund të ketë përfunduar, por Oleksii në Kharkiv beson se beteja për të shpëtuar rrjetin energjetik të Ukrainës nga raketat e Putinit do të vazhdojë për aq kohë sa Rusia ka kapacitet për ta sulmuar.
Çdo fabrikë e energjisë termale dhe hidroelektrike është dëmtuar në Ukrainë qëkur Rusia nisi fushatën ajrore kundër infrastrukturës energjetike në muajin tetor. Kievi veçse kishte humbur centralin bërthamor të Zaporizhzhias, që tani është në duart e rusëve.
Nën-stacionet janë shndërruar në metal të papërdorshëm dhe nuk kanë kapacitet për të transportuar energjinë nëpër shtëpi dhe biznese.
Për dy javë të dimrit, BBC ndoqi ekipet e inxhinierëve dhe teknikëve që nxitonin për të riparuar dëmet që kishin bërë raketat. Një nënstacion është goditur gjashtë herë me raketa ose dronë dhe zëvendësimi i këtyre transformatorëve të dëmtuar do të marrë kohë.
Transformatorët janë bërë shpejt kërkesa numër një e Ukrainës. Ajo ka nevojë për më shumë sesa mund të prodhojë bota në një vit dhe deri më tani është dërguar vetëm një transformator i tensionit të lartë, megjithëse kanë mbërritur dhjetëra makineri me fuqi më të ulët. Me kalimin e dimrit, forcat e armatosura të Ukrainës u bënë më të afta për të rrëzuar raketat dhe dronët rusë.
Por këtë javë, vetëm 34 nga raketat u shkatërruan, sepse Rusia përdori armë të ndryshme me shpejtësi të lartë. Ato përfshinin raketa hipersonike “Kh-47 Kinzhal”, si dhe raketa antianije dhe kundërajrore.
“Këto raketa mund të shkaktojnë dëme edhe më të mëdha”, ka thënë një zyrtar i qendrës energjetike të Ukrainës.
Centrali i Zaporizhzhias
Deri në fillimin e luftës në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022 kishte 15 reaktorë bërthamorë funksionalë në katër termocentrale. Gjashtë nga ata reaktorë ishin në Zaporizhzhia.
Për muaj të tërë, termocentrali ka qenë në qendër të një mosmarrëveshjeje bërthamore, mes akuzave se Moska dëshiron ta lidhë atë me rrjetin elektrik të Rusisë.
Tre termocentralet e tjera janë Ukraina e Jugut dhe Rivne dhe Khmelnytskyi në perëndim. Midis tyre, këto tani prodhojnë gjysmën e energjisë së Ukrainës.
Kjo mund të tingëllojë e rëndë, por kombinimi i një dimri jashtëzakonisht të butë dhe një pune të palodhur do të thotë se Ukraina është larguar nga vështirësitë dhe ndjenja e optimizmit është e dukshme.
Termocentralet janë restauruar dhe riparuar. Një burim në industri ka thënë se ndërsa ditët bëhen më me diell dhe më të ngrohta, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për fuqinë ushtarake të Rusisë që të terrorizojë Ukrainën.
Qyteti qendror lindor i Dnipros ka pësuar disa sulme vdekjeprurëse me raketa gjatë dimrit, dhe kjo javë nuk ishte ndryshe. Por prej javësh nuk ka probleme me furnizimin me energji.
“Qyteti është transformuar. Më në fund, dritat e rrugëve janë kthyer dhe nuk është më e frikshme të ecësh nëpër rrugët e qytetit”, ka thënë Inna Shtanko.
Gatimi dhe dushi i nxehtë janë bërë pjesë e rutinës së përditshme për familjen e saj. “Gjendja jonë psikologjike është përmirësuar ndjeshëm, sepse familja jonë dhe nënat e tjera gjithashtu mund të planifikojnë lehtësisht ditën”.
Histori e ngjashme është edhe në Khersonin e pushtuar nga forcat ruse derisa u tërhoqën përtej lumit Dnipro nëntorin e kaluar. Jeta ishte e vështirë për disa javë pasi rusët u larguan nga qyteti jugor pa shërbime bazë.
“Ne nuk kishim rrymë për rreth një muaj dhe një javë, pastaj e kishim dy orë në ditë, pastaj gradualisht ajo pushoi së prishur”, ka thënë sipërmarrësi vendas Alexei Sandakov.
Tani ai krenohet me një furnizim të rregullt me energji elektrike, megjithëse presioni mbi sistem është shumë më i ulët se para luftës, sepse popullsia prej 55,000 është një pjesë e vogël e asaj që ishte përpara pushtimit të rusëve.
Numri i popullsisë ka rënë në të gjithë Ukrainën, me më shumë se tetë milionë refugjatë përtej kufijve të saj, dhe kjo gjithashtu ka vënë më pak tendosje në infrastrukturën energjetike. Konsumi është ulur dhe refugjatët nuk janë kthyer ende, është shprehur një zyrtar ukrainas.
Kuptimi i përgjithshëm është se dëmet e shkaktuara nga kjo valë e fundit e raketave do të riparohen shpejt. Dëmi ishte i konsiderueshëm, por inxhinierët janë bërë shumë të aftë për të kthyer energjinë brenda disa ditësh, edhe pas një sulmi të madh.
“Është si garë: sa shpejt mund të na shkaktojnë dëme dhe sa shpejt mund të riparojmë. Dhe ne po e fitojmë atë garë”, ka thënë Oleksandr Kharchenko, drejtor i Qendrës Kërkimore të Industrisë së Energjisë në Kiev.
Në Zhytomyr, Eugene Herasymchuk beson se gjërat po shkojnë mirë. “Shumë ukrainas thonë se është më mirë të kemi një dimër të ftohtë dhe të errët sesa 100 vjet me Rusinë - kështu që unë mendoj se ne mund ta përballojmë këtë”.
Ukrainasit tani kanë gjithçka në anën e tyre, thotë Kharchenko, nga përmirësimi i motit deri te mbështetja e donatorëve ndërkombëtarë dhe stafi profesional në industrinë e energjisë. Por ai është më i kujdesshëm për të ardhmen.
“Nuk them se e kemi fituar luftën energjetike, por mund të them se fituam betejën e energjisë këtë dimër”.
Përktheu: Gent Mehmeti