Botë

Aleati i ngushtë i Putinit paralajmëron se Perëndimi po nxit luftë globale

Vladimir Putin dhe Sergei Chemezov

Vladimir Putin dhe Sergei Chemezov

Sergei Chemezov, një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë për Reuters se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë rrezikojnë të shkaktojnë një luftë globale nëse Washingtoni vazhdon të "provokojë" konfliktin në Ukrainë, dhe të lejojë Kievin të sulmojë territorin rus.

Vërejtjet e tij ofrojnë një pasqyrë të rrallë të të menduarit në rrethin e brendshëm të Putinit, pas një sulmi të papritur ukrainas në rajonin Kursk të Rusisë, për të cilin presidenti ka premtuar një përgjigje "të denjë", por nuk ka thënë ende se çfarë do të jetë ajo.

Chemezov, kryeshef ekzekutiv i korporatës “Rostec”, e cila furnizon shumë nga armët ruse për luftë, ka thënë se Rusia ndihet e sigurt dhe se ka armë të mjaftueshme për më shumë se dy vjet, në atë që Kremlini e quan operacionin e saj special ushtarak në Ukrainë.

Ai ka përsëritur qëndrimin e Kremlinit se konflikti është një betejë midis Perëndimit dhe Rusisë.

"Në një situatë ku Perëndimi, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, provokon luftë, ne duhet të jemi gati”, ka thënë Chemezov në përgjigjet me shkrim ndaj një kërkese për intervistë. 

“Viti i tretë i operacionit special është duke u zhvilluar – Rusia ndihet e sigurt”, ka shtuar ai.

Ai ka deklaurar se askush nuk muhnd të japë një kornizë kohore se kur mund të përfundojë lufta dhe akuzoi SHBA-në për nxitjen e konfliktit duke furnizuar me armë Kievit dhe duke lejuar sulme thellë në Rusi.

"Sa më tej shkon, aq më i madh është rreziku që bota të tërhiqet në një konflikt global. Duket e çuditshme, por vendet perëndimore nuk duket se e kuptojnë se sa e vështirë është kjo për ta”, është shprehur ai.

Putini ka thënë javën e kaluar se forcat ruse do të nxirrnin trupat ukrainase nga territori sovran rus, por vazhdojnë të mbeten brenda Rusisë.

Putini e konsideron konfliktin në Ukrainë si pjesë të një beteje ekzistenciale me një Perëndim në rënie dhe dekadent, për të cilin ai thotë se poshtëroi Rusinë pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, duke shkelur atë që ai e konsideron sferën e ndikimit të Moskës, duke përfshirë Ukrainën.

Perëndimi, i cili ka furnizuar Kievin me sasi të mëdha armësh, kundërshton interpretimin e Moskës për luftën dhe e konsideron atë si rrëmbim toke të paprovokuar nga Rusia.

Moska thotë se Perëndimi ishte i përfshirë në planifikimin e sulmit të Ukrainës në rajonin e Kurskut.

Fuqitë perëndimore, të cilat duan të shmangin konfrontimin e drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë, e kanë mohuar këtë dhe thonë se Rusia e ka ndezur luftën.