Armëpushimi i shpallur mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit u lëkund brenda pak orësh, mes përshkallëzimit të sulmeve në Liban dhe tensioneve rreth Ngushticës së Hormuzit. Pretendimet kontradiktore të palëve dhe dhuna në terren e vënë në dyshim qëndrueshmërinë e marrëveshjes
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Irani që ta rihapë Ngushticën e Hormuzit pasi Republika Islamike e mbylli si përgjigje ndaj sulmeve të vazhduara të Izraelit ndaj grupit Hezbollah në Liban. Lëvizja e fundit ka nxitur dilema nëse një armëpushim i dakorduar dyjavor për t’i dhënë fund luftës do të mbetet në fuqi.
Irani e ka akuzuar SHBA-në për shkelje të tri klauzolave të kornizës për marrëveshje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoArmëpushimi i paraparë për dy javë, zgjati pa prishje të qetësisë për vetëm disa orë. Ai kishte dispozitë në marrëveshje edhe rihapjen e përkohshme të kanalit vendimtar detar.
Në fakt, ngushtica ka mbetur e mbyllur dhe trafiku nuk është rritur fare pas shpalljes së armëpushimit.
SHBA-ja dhe Irani të dyja shpallën fitore pas arritjes së marrëveshjes, dhe liderët botërorë uruan, edhe pse më shumë dronë e raketa goditën Iranin dhe vendet arabe të Gjirit. Izraeli i intensifikoi sulmet mbi Liban, duke goditur disa zona tregtare dhe banesore në Bejrut pa paralajmërim. Të paktën 112 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në një nga ditët më vdekjeprurëse në luftën e fundit Izrael-Hezbollah.
Dhuna e re ka kërcënuar ta prishë atë që zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, e ka quajtur “marrëveshje të brishtë”.
“Agresioni kundër Libanit, është agresion ndaj Iranit”, ka thënë komandanti i hapësirës ajrore të Gardës Revolucionare të Iranit, Seyed Majid Mousavi, në një shkrim në “X”. Ai ka paralajmëruar se forcat iraniane po përgatitin “përgjigje të ashpër”, pa ofruar detaje.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka insistuar se fundi i luftës në Liban ishte pjesë e marrëveshjes së armëpushimit. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë thënë se marrëveshja nuk e përfshin Libanin.
“Bota po i sheh masakrat në Liban”, ka thënë ai në një shkrim në “X”. “Topi është në anën e SHBA-së dhe bota po vëzhgon se si do të veprojë në përputhje me zotimet e saj”.
Ndërkaq zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë se raportimet për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit “janë tërësisht të papranueshme”. Ajo ka përsëritur “pritjet dhe kërkesën” e Trumpit që ngushtica të rihapet.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se forcat amerikane dhe izraelite kanë arritur “fitore” dhe se ushtria e Iranit më nuk paraqet kërcënim të theksuar për forcat amerikane në rajon. Ndërkaq forcat iraniane kanë thënë se kanë arritur ta detyrojnë Izraelin dhe SHBA-në të pranojnë “kushtet e propozuara dhe të dorëzohen”.
Shumë gjëra rreth marrëveshjes së njoftuar në orët e para të së mërkurës, mbetën të paqarta. Palët paraqitën vizione shumë të ndryshme të kushteve.
Irani ka thënë se marrëveshja do t’ia lejonte zyrtarizimin e një praktike të re të tarifimit të anijeve që kalojnë në ngushticë – korridorin e rëndësishëm nga i cili kalon 20 për qind e naftës së botës. Por detajet ishin të paqarta e as nuk dihej nëse anijet do të ndiheshin të sigurta për ta përdorur kanalin, apo edhe nëse trafiku ka filluar. Gjithashtu nuk ishte e qartë nëse ndonjë shtet tjetër është dakorduar me këtë kusht. Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trumpi ishte kundër tarifave për kalimin e anijeve nëpër ngushticë.
Pakistani, që ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe të tjerët thanë se luftimet do të ndaleshin në Liban, aty ku Izraeli ka nisur ndërhyrje tokësore kundër grupit militant Hezbollah, të mbështetur nga Irani. Izraeli ka thënë se kjo s’do të ndodhte dhe e goditi Bejrutin.
Fati i programeve raketore dhe bërthamore të Iranit – eliminimi i të cilave ishin ndër qëllimet kryesore të SHBA-së dhe Izraelit për të hyrë në luftë – mbeti gjithashtu i paqartë. Trumpi ka thënë se do të punojnë me Iranin për ta hequr uraniumin e pasuruar, por Irani nuk e ka konfirmuar këtë.
Fillimisht Trumpi ka njoftuar se Irani ka propozuar një “plan 10 pikësh” për të ndihmuar në dhënien fund të luftës së nisur më 28 shkurt. Por kur versioni doli në persisht, e që tregonte se Iranit i lejohej vazhdimi i pasurimit të uraniumit, Trumpi tha se bëhet fjalë për mashtrim pa dhënë detaje të tjera.
Vance më vonë u shpreh se marrëveshja po keqinterpretohet brenda Iranit.
Orët e tensionuara erdhën ende pa u bërë një ditë e plotë qëkur bota përjetoi qetësi. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në orët e para të së mërkurës njoftoi se ka rënë dakord për një armëpushim dyjavor me Iranin, më pak se dy orë përpara afatit që i vendosi Teheranit për ta rihapur Ngushticën e Hormuzit ose do të pasonte ajo që ai e ka quajtur “Vdekje e një civilizimi”.
Marrëveshja e armëpushimit u njoftua se ka afat prej dy javësh dhe ajo u ndërmjetësua nga Pakistani.
“Një ditë e madhe për paqen botërore! Irani e dëshiron këtë, ata kanë pasur mjaft! Po ashtu edhe të gjithë të tjerët! Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë me menaxhimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit. Do të ketë shumë veprime pozitive dhe mundësi të mëdha për të bërë para. Irani mund të nisë procesin e rindërtimit. Ne do të furnizohemi me çdo lloj materiali dhe do të qëndrojmë të pranishëm për t’u siguruar që gjithçka shkon mirë. Jam i sigurt se do të shkojë ashtu. Ashtu si po ndodh në SHBA, kjo mund të jetë Epoka e Artë e Lindjes së Mesme”, ka shkruar Trump në Truth Social.
E presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, qe shprehur se armëpushimi i shpallur mëngjesin e së mërkurës është në përputhje me kërkesat e përgjithshme të vendit të tij.
“Armëpushimi, me pranimin e parimeve të përgjithshme që dëshironte Irani, është fryt i gjakut të udhëheqësit tonë martir, Khamenei, dhe rezultat i pranisë së të gjithë popullit në skenë. Nga sot e tutje, ne do të qëndrojmë gjithashtu bashkë. Qoftë në fushën e diplomacisë, qoftë në fushën e mbrojtjes, qoftë në rrugë, apo në fushën e ofrimit të shërbimeve”, ka shkruar në X presidenti iranian.
Presidenti amerikan në një prej postimeve të tij në rrjetin “Truth Social” ka thënë se armëpushimi u arrit pasi SHBA-ja pranoi një plan 10-pikësh të Iranit, të cilin e ka cilësuar të realizueshëm nga të dyja palët.
Sipas raportimeve nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve “FARS”, propozimi i Teheranit përfshin pika që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, heqjen e sanksioneve globale dhe zotimin për të mos pasur armë bërthamore.
Trump po ashtu ka thënë se SHBA-ja do të punojë me Iranin për të “gërmuar dhe hequr” uraniumin e pasuruar që u varros si pasojë e sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael verën e shkuar. Ai pati shkruar në Truth Social se nuk do të ketë pasurim të uraniumit dhe se asnjë nga materialet nuk është prekur që nga sulmet e qershorit të vitit të shkuar.
Presidenti amerikan gjithashtu pati lëshuar një paralajmërim për vendet që e furnizojnë Iranin me armë. Sipas tij, SHBA-ja do të vendosë tarifë prej 50% ndaj mallrave të vendeve që i shesin armë Iranit.
E, Pakistani që ka vepruar si ndërmjetës, ka ftuar të dyja palët për bisedime në Islamabad qysh të premten. Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, ka thënë të mërkurën se Irani ka konfirmuar se do të marrë pjesë në bisedimet me Shtetet e Bashkuara. Shtëpia e Bardhë ka thënë po ashtu se Vance do ta udhëheqë një ekip negociator të SHBA-së në Pakistan, me qëllim fundin e luftës.
Edhe zyrtarë të disa prej shteteve kryesore në botë patën reagime me lehtësime pas raportimeve për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit dyjavor. Ministria e Jashtme e Irakut ka thënë se “e vlerëson këtë si një zhvillim që mund të kontribuojë në uljen e tensioneve, rritjen e mundësive për de-eskalim dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”. Udhëheqësit evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, e mirëpritën marrëveshjen e armëpushimit. “Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, ta shndërrojmë atë në një marrëveshje të qëndrueshme dhe të rihapim Ngushticën e Hormuzit”, ka thënë Starmer për të cilin Downing Street ka njoftuar se do të udhëtojë për në Lindjen e Mesme. Omani, një bashkëbisedues kyç, ka thënë se e mirëpriti njoftimin e armëpushimit dhe përgëzoi rolin e Pakistanit në ndërmjetësim, sipas një deklarate nga Ministria e saj e Jashtme. Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se njoftimi ishte lajm pozitiv, duke i thënë Sky News se Australia shpreson që ai të çojë në një depërshkallëzim të përhershëm dhe në fund të konfliktit. Albanese gjithashtu ka kritikuar retorikën e mëparshme të Trumpit, duke thënë se “potenciali i dëmtimit të infrastrukturës civile në Iran ishte një deklaratë e jashtëzakonshme për t'u bërë”. Egjipti e ka quajtur armëpushimin “një hap pozitiv drejt uljes së tensioneve dhe përmbajtjes së tensioneve rajonale”. Sekretari kryesor i kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara, ka thënë se “Ajo që është më e rëndësishme tani është që situata të qetësohet vërtet, duke përfshirë sigurimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit”. Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje “të gjitha palëve të përmbushin detyrimet e tyre” dhe “t’u përmbahen kushteve” të marrëveshjes, sipas një deklarate nga zëdhënësi i tij.