Botë

Arrestohet bosi më i kërkuar i drogës në Ekuador

Adolfo Macias Villamar

Policia në Ekuador ka kapur sërish të arratisurin më të kërkuar në vend, bosi i drogës Adolfo Macias Villamar.

I njohur me nofkën “Fito”, Macías është lideri i bandës kriminale “Los Choneros”, që fajësohet për transformimin e Ekuadorit nga një destinacion turistik në një ndër vendet me nivelin më të lartë të vrasjeve në rajon. Ai ishte arratisur dy herë nga burgu.

Ai gjithashtu dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e kandidatit për president, Fernando Villavicencio, në vitin 2023.

Policia arriti ta lokalizojë në atë që e përshkroi si “bunker nën tokë”, poshtë një vile luksoze në qytetin bregdetar Manta.

Një zëdhënës i policisë deklaroi se gjatë operacionit të përbashkët 10-orësh mes policisë dhe ushtrisë nuk është qëlluar asnjë plumb. Fillimisht, forcat e sigurisë vëzhguan dhe rrethuan vilën trekatëshe në lagjen Monterrey të Mantas.

Gjatë kontrollit, zbuluan një derë të fshehur, të maskuar si pjesë e dyshemesë prej guri, e cila çonte përmes një shkalle metalike në strehën e Fitos.

“Bunkeri” ishte i pajisur me kondicioner, krevat, ventilator dhe frigorifer. Vetë vila kishte palestër me thes boksi dhe një dhomë lojërash me bilardo dhe futboll tavoline.

Sipas raportimeve, Fito nuk ka bërë rezistencë dhe u transferua me helikopter në qytetin portual Guayaquil, ku ndodhen disa nga burgjet më të mëdha të Ekuadorit.

Presidenti ekuadorian, Daniel Noboa, përgëzoi forcat e sigurisë për arrestimin e Fitos dhe deklaroi se ai do të ekstradohet në SHBA, ku është i akuzuar për trafik kokaine.