Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Bërtisja në gjumë”: Gra alavite në Siri rrëfejnë për rrëmbim dhe përdhunim

gra

Dhjetëra gra nga minoriteti alavit në Siri raportohen të jenë rrëmbyer, abuzuar dhe kërcënuar në muajt pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit. Dëshmitë e mbledhura nga BBC-ja flasin për dhunë seksuale, frikë dhe mungesë hetimesh efektive, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë për një klimë pandëshkueshmërie dhe tensione të thella sektare

(BBC) - Ramia po përgatitej për një piknik familjar në një ditë të ngrohtë vere në fshatin e saj në provincën e Latakias, në perëndim të Sirisë, kur një makinë e bardhë u ndal pranë saj, rrëfen ajo.

Tre burra të armatosur zbritën nga automjeti, duke pretenduar se ishin pjesë e forcave të sigurisë shtetërore, dhe e tërhoqën me forcë brenda makinës. Adoleshentja,  emri i së cilës është ndryshuar për arsye sigurie dhe për të mbrojtur identitetin e saj, e tregoi historinë për BBC World Service.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas saj, burrat e rrahën brutalisht dhe e godisnin edhe më fort kur ajo qante dhe bërtiste.

“Njëri prej tyre më pyeti nëse isha sunite apo alavite. Kur iu përgjigja se isha alavite, filluan të fyenin sektin tim”, shtoi ajo.

Ramia është një nga dhjetëra gratë që raportohen të jenë rrëmbyer që nga rënia e diktaturës së Bashar al-Assadit në dhjetor 2024.

Lobi Feminist Sirian (SFL), një organizatë që mbron të drejtat e grave, thotë se ka regjistruar përmes familjeve, mediave dhe burimeve të tjera mbi 80 raste të grave të zhdukura. Sipas organizatës, 26 prej këtyre rasteve janë konfirmuar si rrëmbime.

Pothuajse të gjitha gratë e raportuara si të zhdukura i përkasin sektit alavit, një degë e Islamit shiit që përbën rreth 10% të popullsisë së Sirisë dhe së cilës i përkiste edhe presidenti i rrëzuar.

Dhuna sektare

Dy gra alavite dhe familjarët e tri të tjerave kanë ndarë me BBC-në detaje rreth rrëmbimeve dhe dhunës së përjetuar. Të gjithë emrat janë ndryshuar për arsye sigurie dhe privatësie.

Sipas dëshmive të tyre, Shërbimi i Përgjithshëm i Sigurisë i qeverisë së përkohshme - institucioni përgjegjës për rendin dhe policinë, nuk ka kryer hetime të plota. Njëra prej grave tha se oficerët madje e kishin tallur kur ajo kishte raportuar përvojën e saj.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme deklaroi në nëntor se ishin hetuar 42 raste të dyshuara rrëmbimi dhe se, sipas tyre, të gjitha përveç njërit rezultonin “të rreme”. I kontaktuar nga BBC, institucioni nuk dha koment shtesë. Megjithatë, një burim sigurie i tha BBC-së se rrëmbime kishin ndodhur, përfshirë raste ku ishin përfshirë edhe anëtarë të forcave të sigurisë, të cilët sipas tij,  ishin shkarkuar nga detyra.

Rastet e regjistruara nga SFL-ja thuhet se janë regjistruar nga shkurti 2025 deri në fillim të dhjetorit. Kjo periudhë përfshin edhe muajin mars, kur mbi 1.400 persona - kryesisht civilë alavitë, u vranë gjatë dhunës sektare në rajonet bregdetare perëndimore. Forcat besnike ndaj qeverisë së drejtuar nga islamistë sunitë u akuzuan për një valë vrasjesh hakmarrëse pas një prite vdekjeprurëse nga mbështetësit e Assadit.

Edhe pse shumë anëtarë të elitës së regjimit të Assadit ishin alavitë, pjesëtarë të tjerë të këtij komuniteti kishin pësuar represion për shkak të kundërshtimit ndaj ish-presidentit.

“Tentativa vetëvrasjeje”

Ramia foli me zë të ulët ndërsa përshkruante se si ishte detyruar të vishte një mbulesë të plotë të trupit dhe niqab - një shami  që lë të zbuluar vetëm zonën e syve. Ajo tha se ishte mbyllur në një dhomë nëntokësore, ku kishte vetëm një shtrat dhe një komodinë me disa sende higjienike dhe një prezervativ mbi të.

E mbajtur për dy ditë, ajo u përpoq të arratisej një herë dhe tentoi vetëvrasjen dy herë, sipas rrëfimit të saj.

Kidnapuesi, tha ajo, nuk fliste rrjedhshëm arabisht dhe kishte “tipare aziatike”. Ai ia hoqi niqabin dhe i bëri fotografi.

Një grua që jetonte në të njëjtën ndërtesë - e cila u prezantua si bashkëshortja e kidnapuesit, i shpjegoi se fotografia “shërbente për të përcaktuar çmimin e saj për shitje”, sipas Ramias.

Ajo shtoi se gruaja i kishte thënë se “shumë” të tjera ishin rrëmbyer para saj; disa ishin përdhunuar dhe më pas liruar, ndërsa të tjera ishin “shitur”.

BBC nuk ka mundur të verifikojë raste konkrete të pagesave për gra të rrëmbyera. Megjithatë, aktivistët kanë raportuar raste ku viktimat kanë deklaruar se janë kërcënuar me shitje ose me martesë të detyruar.

“E përdhunuar disa herë”

Nesma, një nënë rreth të tridhjetave, i tha BBC-së se ishte marrë nga fshati i saj, gjithashtu në provincën e Latakias, dhe ishte larguar me një furgon me dritare të mbuluara me perde.

Zëri i saj dridhej në telefon ndërsa përshkruante se ishte mbajtur për shtatë ditë në një dhomë me dritare të larta, që dukej se ndodhej në një objekt industrial. Ajo tha se ishte marrë në pyetje nga tre burra për banorët e fshatit të saj dhe për çdo lidhje të mundshme me regjimin e mëparshëm.

Sipas saj, rrëmbyesit mbanin maska dhe flisnin dialektin sirian të arabishtes. Ajo tregoi se ata i kishin thënë se “gratë alavite janë krijuar për të qenë sabaya” - një term i vjetër arab që do të thotë “robëresha” dhe që përdoret nga disa ekstremistë islamistë për t’iu referuar grave të trajtuara si skllave seksi.

Ajo deklaroi se ishte përdhunuar disa herë nga rrëmbyesit. “E vetmja gjë që mendoja ishte vdekja - që do të vdisja dhe do ta lija fëmijën tim pa nënë”, tha ajo.

Leen, një tjetër adoleshente, përjetoi rrahje, kërcënime me armë dhe abuzim seksual të përditshëm, sipas nënës së saj, Hasna. Kidnapuesi i saj e mbante fytyrën të mbuluar, fliste arabisht dobët dhe mburrej se kishte marrë pjesë në vrasjet e alavitëve gjatë dhunës së marsit, tregoi Hasna.

“Ai i quante vajzat tona sabaya, sepse ‘ato nuk besojnë në Zot’”, tha ajo, duke shtuar se disa ekstremistë sunitë i konsiderojnë alavitët si heretikë.

BBC foli gjithashtu me Aliun, i cili tha se bashkëshortja e tij Noor ishte rrëmbyer dhe mbajtur për disa javë, si dhe me një nënë tjetër, Somaya, e cila tregoi se vajza e saj adoleshente ishte abuzuar seksualisht “për 10 ditë rresht”.

“Kërcënime me telefon”

Nesma tha se oficerët e sigurisë e kishin trajtuar “me tallje dhe pa respekt” kur ajo kishte shkuar të raportonte rrëmbimin. “Më thanë: ‘Duhet të thuash se ishe në piknik’”, tregoi ajo.

Ramia tha se fillimisht oficerët dukeshin të angazhuar me rastin e saj, por nuk iu përgjigjën më telefonatave sapo identifikuan rrëmbyesin. Familja e saj mori kërcënime me telefon se “do të paguanin çmim nëse flisnin”, ndaj vendosën të largoheshin nga vendi.

Aliu tha: “E arrestuan rrëmbyesin, por nuk e dimë çfarë ndodhi më pas”. Ai shtoi se ka frikë se rrëmbyesi mund të lirohet dhe të vijë pas tyre.

Nëna e Leenit tha se vajza e saj ishte intervistuar disa herë “me interes dhe simpati” nga oficerët, por se nuk ishte ndarë asnjë rezultat nga hetimet, edhe pas muajsh të tërë. Edhe Somaya tha se e kishte raportuar rastin, por nuk kishte marrë asnjë informacion të ri.

Në nëntor, Ministria e Brendshme e Sirisë, që mbikëqyr Shërbimin e Përgjithshëm të Sigurisë, mbajti një konferencë për shtyp lidhur me 42 raste të raportuara rrëmbimi.

Zëdhënësi Nour al-Din al-Baba deklaroi se vetëm një rast ishte “rrëmbim i vërtetë”. Sipas tij, rastet e tjera u shpjeguan si “ikje vullnetare me partnerin”, “qëndrim te të afërmit ose miqtë”, “largim nga dhuna në familje”, “pretendime të rreme në rrjetet sociale” apo “përfshirje në prostitucion dhe zhvatje”, ndërsa katër raste ishin “vepra penale për të cilat janë bërë arrestime”.

Ai theksoi se Ministria i trajtonte këto raportime me “seriozitet dhe përgjegjësi maksimale”.

Më vonë gjatë nëntorit, BBC-ja kërkoi sërish përgjigje nga Ministria lidhur me dëshmitë e mbledhura, por u përgjigj se nuk kishte koment shtesë.

Një burim sigurie, duke folur në kushte anonimiteti, deklaroi se “ka veprime të papërgjegjshme nga disa individë që kryejnë rrëmbime të përkohshme për zhvatje financiare, nga pakujdesia apo për motive personale të trashëguara nga koha e regjimit të mëparshëm”.

Ai shtoi se mes tyre kishte edhe anëtarë të Shërbimit të Përgjithshëm të Sigurisë. “Disa oficerë e shohin rrëmbimin si mjet hakmarrjeje. Disa raste janë zbuluar dhe oficerët e përfshirë janë shkarkuar menjëherë,” tha ai.

Katër nga gratë dhe familjet që folën me BBC-në thanë se nuk e dinin kush ishin rrëmbyesit. Njëra tha se e dinte dhe se ai nuk ishte pjesë e shërbimeve të sigurisë. Dy prej tyre thanë se u liruan pas presionit publik; të tjerat nuk e dinin arsyen e lirimit.

“Klimë pandëshkueshmërie”

Në korrik, Amnesty International njoftoi se kishte marrë raportime të besueshme për rrëmbimin e të paktën 36 grave dhe vajzave alavite, nga mosha tre deri në 40 vjeçe, dhe kishte dokumentuar në detaje tetë raste.

Në “pothuajse të gjitha” rastet e dokumentuara, familjet “nuk morën përditësime domethënëse dhe as nuk panë përparim real në hetime”, tha për BBC-në zëvendësdrejtoresha rajonale Kristine Beckerle.

Yamen Hussein, aktivist sirian i të drejtave të njeriut dhe shkrimtar me bazë në Gjermani, tha se dëshmitë e të mbijetuarave tregojnë se rrëmbimet kishin një bazë ideologjike, “të ndërtuar mbi idenë e poshtërimit të palës së mundur”, me qëllim “përhapjen e frikës mes grave alavite”.

Megjithatë, ai shtoi se një “klimë e përgjithshme pandëshkueshmërie” kishte inkurajuar edhe grupe pa motive ideologjike të kryenin rrëmbime.

Sipas Lobit Feminist Sirian, një numër i vogël grash druze dhe sunite u raportuan si të rrëmbyera, por më pas u liruan. Organizata thotë se 16 gra – të gjitha alavite – rezultojnë ende të zhdukura.

Për familjet që folën me BBC-në, frika vazhdon – si nga hakmarrja për faktin që folën publikisht, ashtu edhe nga stigma shoqërore që lidhet me dhunën seksuale.

Leen jeton në ankth të vazhdueshëm, duke u trembur nga çdo trokitje dere, tha nëna e saj.

Martesa e Nesmas ka përfunduar.

“Bërtisja në gjumë”, tha Ramia, duke shtuar se po ndjek terapi, por ende ka vështirësi me gjumin dhe “nuk gjen qetësi”.

Aliu tha se ai dhe Noori kanë shumë frikë për të kërkuar drejtësi, ndërsa Somaya tregoi se vajza e saj është kthyer në shkollë, por “askush përreth nuk di asgjë për atë që ndodhi”.

“Nuk duhet ta mohojmë atë që na ka ndodhur, por njëkohësisht nuk duhet ta ekspozojmë veten ndaj rrezikut”, tha ajo.