Presidentit amerikan, Joe Biden, po i rritet presioni që ta lejojë Ukrainën t’i përdorë armët e Perëndimit për ta sulmuar territorin rus.
Një numër i aleatëve të SHBA-së kanë dhënë sinjale këtë javë se janë të hapura për këtë mundësi, raporton BBC.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar për “pasoja serioze”, veçanërisht për ato që i ka quajtur “shtete të vogla” në Evropë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se qëndrimi i Washingtonit për këtë çështje do të "përshtatet " bazuar në ndryshimin e kushteve të fushëbetejës.
Blinkeni ndodhet aktualisht në kryeqytetin çek, Pragë, për një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Ndërkaq, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby ka deklaruar të mërkurën vonë se ndonëse mbështetja e SHBA-së për Kievin është rritur “tani për tani, nuk ka ndryshim në politikat tona”.
Ukraina ka qenë duke luftuar një ofensivë ruse në lindje të vendit, ndërsa qyteti i Kharkivit ka pësuar javë të tëra sulmesh vdekjeprurëse, shpesh të nisura nga Rusia nga postat ushtarake pranë kufirit ukrainas.
Deklarata e Blinkenit, gjatë një udhëtimi në Evropë, pasoi komentet e drejtpërdrejta të bëra në fillim të kësaj jave nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ka thënë se Ukraina duhet të "lejohet" të përdorë armët e furnizuara nga Perëndimi kundër vendeve ushtarake në territorin rus - edhe pse rreptësisht jo në objektivat civile.
Macroni ka mbrojtur që një kohë idenë e ndërhyrjes më të drejtpërdrejtë në luftën e Ukrainës – por edhe liderë të tjerë perëndimorë duket se po zbuten në këtë drejtim.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz vazhdon të mbetet më i kujdesshëm në këtë aspekt, por një zëdhënës në Berlin ka thënë se "veprimi mbrojtës nuk kufizohet në territorin e dikujt, por përfshin edhe territorin e agresorit".
Javën e kaluar, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka thënë “The Economist” se Perëndimi duhet të lejojë Ukrainën të mbrohet duke goditur bazat ushtarake në Rusi.
“Ukraina ka të drejtë të mbrohet. Dhe kjo përfshin objektivat goditëse në territorin rus”, ka deklaruar Stoltenberg.