Botë

Bideni shpalos propozimin izraelit për armëpushim

Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë ka shpalosur propozimin izraelit për t’i dhënë fund luftimeve në Gazë.

Sipas tij, propozimi ka tri faza. Faza e parë do të zgjaste gjashtë javë e do të përfshinte armëpushim të plotë; tërheqjen e forcave izraelite nga të gjitha zonat e banuara në Gazë; lirimin e një numri të pengjeve, dhe kjo do të nënkuptonte këmbimin e qindra të burgosurve palestinezë.

Sipas propozimit të prezantuar nga Bideni, 600 kamionë me ndihma do të hynin çdo ditë në Gazë.  “Krejt kjo do të niste menjëherë”, ka thënë ai.

Faza e dytë, sipas Bidenit, do të ishte ndërprerja e armiqësive në mënyrë të përhershme. Ai ka thënë se në këtë fazë nënkuptohet që të gjithë pengjet e gjalla do të ktheheshin dhe armëpushimi i përkohshëm do të ishte në fuqi. Armëpushimi më pas “do të ishte ndalja e përhershme e armiqësive”.

Bideni ka thënë se e di që duhen negociata të vështira në mes të fazës së parë dhe të dytë.

Faza e tretë dhe e fundit e planit izraelit do të nënkuptonte kthimin e mbetjeve të pengjeve të vrara të marra nga Izraeli në Gazë më 7 tetor.

“Mbetjet e pengjeve të vrara do të ktheheshin tek familjet e tyre”, ka thënë Bideni. 

Bideni ka thënë se e di që ka zëra në Izrael që nuk pajtohen me propozimin, por e ka lutur udhëheqësinë në Izrael të qëndrojë prapa propozimit pavarësisht presionit që mund të përjetojë. 

Bideni më pas ka pasur një thirrje për popullin e Izraelit. “Ju kërkoj të ndaleni dhe të mendoni se çka do të ndodhë nëse humb ky moment”, ka theksuar ai.

SHBA-ja është zotuar se do të ndihmonte në rindërtimin e Gazës. Bideni ka thënë se duhet bashkim i forcave të liderëve izraelitë dhe palestinezë për të rindërtuar Gazën, ndërsa SHBA-ja do të ndihmonte në ndërtimin e shkollave dhe spitaleve. Ai ka thënë se plani do të hapte rrugë për normalizim raportesh me Arabinë Saudite dhe largimin e kërcënimit iranian.

Sipas Bidenit, sapo të arrihet marrëveshje do të ketë liri dhe të ardhme të dinjitetshme.

Ai ka kërkuar edhe nga Hamasi që ta pranojë propozimin.

“Izraeli e ka bërë propozimin e tij dhe Hamasi ka thënë se dëshiron armëpushim – kjo marrëveshje është shans që të dëshmojë nëse e ka menduar në të vërtetë. Hamasi duhet të pranojë planin”, ka thënë ai. 

Për shpalosjen e propozimit izraelit lidhur me dhënien fund të luftës në Gazë, Bideni ka marrë mbështetje edhe nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“E mbështesim plotësisht udhërrëfyesin e Bidenit për armëpushim të qëndrueshëm dhe lirimin e pengjeve që çon në ndërprerje të përhershme të armiqësive. Lufta duhet të përfundojë tani”, ka shkruar Borrelli në platformën X.