Botë

Bideni u shkruan letër demokratëve, u thotë se do ta vazhdojë garën kundër Trumpit

Joe Biden

Joe Biden

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Joe Biden u ka thënë demokratëve të Kongresit në një letër të hënën se ai do të vazhdojë garën e tij për rizgjedhje, pavarësisht shqetësimeve në rritje në lidhje me aftësinë e tij mendore dhe qëndrueshmërinë e fushatës së tij.

“Dua që ju të dini se pavarësisht nga të gjitha spekulimet në shtyp dhe gjetkë, unë jam i vendosur fort për të qëndruar në këtë garë, për ta drejtuar këtë garë deri në fund dhe për të mposhtur Donald Trumpin”, ka shkruar Bideni në letrën të cilën e ka siguruar CNN-i.

Sipas tij, çdo mungesë qartësie dhe dobësim të vendosmërisë vetëm e ndihmon më shumë Trumpin në garën presidenciale.

“Ne kemi një punë. Dhe kjo është për të mposhtur Donald Trumpin. Kemi 42 ditë për Konventën Demokratike dhe 119 ditë për zgjedhjet e përgjithshme. Çdo dobësim i vendosmërisë ose mungesë qartësie për detyrën përpara, vetëm e ndihmon Trumpin dhe na dëmton ne. Është koha për t'u bashkuar, për të ecur përpara si një parti e bashkuar dhe për të mposhtur Donald Trumpin”, ka shtuar ai.

Bideni, 81 vjeç, është përballur me kritika dhe kërkesa për tërheqje nga gara për president, pas debatit të parë që pati më 27 qershor në CNN, përballë kundërshtarit të tij, Donad Trump.

Bideni dukej gjatë debatit i lodhur dhe fliste me zë të ngjirur, duke ngritur dyshime në veçanti në mesin e demokratëve se nuk është kandidati i duhur për t’i përfaqësuar në zgjedhjet e 5 nëntorit.