Botë

Bosi i bandës së drogës në Ekuador kapet në Spanjë, disa vjet pasi falsifikoi vdekjen

JohnReimberg/X

JohnReimberg/X

Kreu i njërës prej bandave më të mëdha të trafikut të drogës në Ekuador është kapur në një operacion ku është përfshirë policia spanjolle, ka njoftuar të dielën presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, raportoi BBC-ja.

Wilmer "Pipo" Chavarria, kreu i Los Lobos, u arrestua në qytetin e Malagas, sipas Policisë spanjolle.

Noboa tha se Chavarria ka falsifikuar vdekjen e tij, ka ndryshuar identitetin dhe është fshehur në Evropë, ndërkohë që vazhdonte të kontrollonte operacionet kriminale në Ekuador, duke përfshirë urdhërimin e vrasjeve.

Familja e tij ka pohuar në vitin 2021 se ai ka vdekur nga një atak në zemër për shkak të Covidit.

Si Ekuadori ashtu edhe SHBA-ja e kanë shpallur Los Lobos (Ujqërit) organizatë terroriste.

Në një postim në X, ministri i brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, i cili tha se ishte në Spanjë me policinë, kapjen e Chavarrias e ka cilësuar si "ditë historike" për vendin e tij.

Los Lobos vlerësohet të ketë 8,000 anëtarë dhe është një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Ekuador.

Në qershor të vitit 2024, Thesari i SHBA-së sanksionoi bandën dhe e përshkroi atë si grup me "mijëra anëtarë" që ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e dhunës në Ekuador.

Dhuna dhe vrasjet janë rritur ndjeshëm në këtë vend vitet e fundit, pasi është bërë qendër e madhe e trafikimit të kokainës dhe bandat rivale konkurrojnë për kontroll. Ekuadori nuk e prodhon drogën, por ndodhet pranë vendeve të mëdha prodhuese të drogës, si Peruja dhe Kolumbia.

Shumë anëtarë të Los Lobos janë në burg dhe banda mendohet se ka nxitur disa nga trazirat më të përgjakshme në burgjet e Ekuadorit.

Banda mendohet se ka lidhje me kartelin e fuqishëm të Jalisco New Generation në Meksikë.